Ndërlidhjet

Gjendet trupi i pajetë i poetit Ali Podrimja


Poeti Ali Podrimja
Poeti Ali Podrimja
Autoritetet shtetërore franceze i kanë përcjellë ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, lajmin për gjetjen e trupit të pajetë të poetit të njohur kosovar, Ali Podrimja, në Francë.

I tronditur nga kjo humbje e madhe, ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së poetit Podrimja, komunitetit të poetëve, shkrimtarëve e artistëve si dhe mbarë popullit të Kosovës.

“Humbja e poetit me renome ndërkombëtare Ali Podrimja, është një humbje e madhe jo vetëm për familjen dhe miqtë e panumërt të tij, por një humbje e jashtëzakonshme edhe për kulturën dhe artin kosovar, shqiptar e më gjerë. Kujtimi i poetit Ali Podrimja do të jetë gjithnjë i gjallë në mesin tonë dhe do të shërbejë si figurë motivimi për brezat e ardhshëm të Kosovës”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të ministrit Hoxhaj.

Poeti Ali Podrimja kishte humbur kontaktet me kolegët dhe miqtë e familjarët e tij nga data 18 korrik, në kohën kur po qëndronte në Francë në kuadër të festivalit të poezisë “Voix de la Méditerranée”, në qytetin e Lodève.

Autoritetet franceze po punojnë në zbardhjen e plotë të rrethanave të humbjes së jetës së poetit Ali Podrimja.

Zyrtarë të prefekturës lokale thanë se trupi ishte gjetur të shtunën pak pas mesditës, afër një rruge, ndërsa nuk kishte shenja të dhunës.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës falënderon autoritetet e Ministrisë së Jashtme dhe asaj të Brendshme franceze, si dhe të gjitha institucionet e tjera lokale e qendrore në Francë për angazhimin maksimal të tyre në ndriçimin e këtij rasti.

Ndërkaq, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, i ka dërguar telegram ngushëllimi famlijes së poetit të ndjerë, Ali Podrimja, në të cilin thekson se këtë lajm e kishte marrë me trishtim dhe dhembje të thellë.

“Humbja e Ali Podrimjes nuk është humbje vetëm për familjen, të afërmit e miqtë; është humbje e madhe për të gjithë qytetarët e Kosovës, për kulturën dhe artin, për Kosovën në përgjithësi”, thuhet në telegramin e presidentes Jahjaga.

Poet e intelektual i madh, Ali Podrimja, me fjalët dhe veprat e tij, i kaloi shunë herë kufijtë e Kosovës dhe u bë i njohur në rrethe shumë më të gjëra të artit dhe të kulturës, duke e afruar Kosovën me botën, thuhet në telegramin e ngushëllimit.

Presidentja Jahjaga ka thënë se në këto çaste të dhembjes e pikëllimit qëndron së bashku me familjen e të ndjerit Podrimja.

Familjen e të ndjerit Ali Podrimja dhe Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës e ka ngushëlluar edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, nëpërmjet një telegrami.

“Vdekja e poetit Ali Podrimja është humbje e madhe për familjen, për kulturën kombëtare dhe Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës”, thuhet në fillim të telegramit të ngushëllimit të zotit Thaçi.

Më tutje ai thekson se “Ali Podrimja, një talent i rrallë dhe krijues i vlerave të përjetshme artistike, ka lënë gjurmë të thella dhe të përjetshme në kulturën tonë kombëtare”.

Kryeministri Thaçi thotë se ai “ishte lirik i lindur dhe i realizuar në veprën e tij poetike dhe i preku majat e lirikës shqipe, duke u bërë edhe vetë vlerë kulturore”.

Telegram ngushëllimi ka dërguar edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi.

Ministri Krasniqi ka vlerësuar se vdekja e poetit Ali Podrimja, është një humbje e madhe e gjithë kombit shqiptar, e padyshim edhe e gjithë komunitetit letrar dhe artistik në botë.

Krasniqi ka theksuar se poeti Ali Podrimja ishte “gjithmonë një motivim për mua” dhe se i shpreh ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje të madhe për të gjithë ne në Kosovë.

“Kujtimi për poetin Ali Podrimja do të jetë i përhershëm”, thuhet në fund të telegramit të ngushëllimit të ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi.

Edhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, në telegramin e ngushëllimit dërguar familjes së të ndjerit Ali Podrimja, thekson se lajmi për vdekjen e poetit na ka tronditur të gjithëve, pasi Ali Podrimja ishte një krijues me dhunti të veçanta, një poet që kaherë i kishte kapërcyer kufijtë nacionalë, duke u bërë vlerë e artit të përbotshëm”.

Duke shprehur ngushëllime në emrin e tij dhe të gjithë anëtarësisë dhe strukturave të LDK-së, Isa Mustafa thekson se “Podrimja ishte dhe do të mbetet emblemë e poezisë së krijuar në Kosovë, por edhe të poezisë shqipe në përgjithësi” dhe shton se “ikja e tij është një goditje e rëndë për të gjithë komunitetin tonë letrar e artistik”.

Ali Podrimja, me të gjitha veprat e tij, “por sidomos me kryeveprën “Lum Lumi”, arriti ta universalizojë dhimbjen dhe tragjedinë personale, arriti që vargun shqip ta skalisë përsosmërisht”, thuhet, pos tjerash, në telegramin e ngushëllimit të Isa Mustafës, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Me rastin e gjetjes së trupit të pajetë të poetit Ali Podrimja, Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës (ASHAK) gjithashtu i ka dërguar telegram ngushëllimi familjes së të ndjerit.

“Me tronditje të thellë e morëm lajmin për vdekjen e parakohshme të poetit emblematik të letërsisë shqipe, akademikut Ali Podrimja”, thuhet në fillim të telegramit të ASHAK-ut.

Aty theksohet se “vdekja e tij është humbje e madhe për familjen, për të gjithë miqtë e tij të shumtë, për lexuesit që e çmuan dhe e donin, për Akademinë dhe për të gjitha institucionet e Kosovës, për kulturën dhe letërsinë shqiptare”.

Në telegramin e ASHAK-ut theksohet se vargu i tij “Kosova është gjaku im që nuk falet”, e thotë atë që nuk e tha askush tjetër por popullin dhe vendin e tij.

Poezia e poetit Podrimja “për më shumë se gjysmë shekulli ishte zëri identitar i Kosovës, zëri që artikuloi dhembjen dhe shpresat e Kosovës , idealet dhe synimet e saj”, thuhet, pos tjerash, në telegramin e ASHAK-ut, me rastin e vdekjes së poetit Ali Podrimja, i cili njëherësh ishte edhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Poeti Ali Podrimja lindi në Gjakovë në vitin 1942, ndërsa botues i tij në Francë ishte Cheyene.

I ndjeri Podrimja kishte botuar më se 20 libra me poezi dhe se “konsiderohej njëra nga figurat më të mëdha të poezisë bashkëkohëse shqiptare”. (z.p. & b.b.)
XS
SM
MD
LG