Ndërlidhjet

Humbja e Ali Podrimjes, humbje e madhe për Kosovën


Ilustrim
Ilustrim
Shkuarja nga kjo botë e poetit të njohur shqiptar të Kosovës, Ali Podrimja, është humbje e madhe për familjen e tij, miqtë, lexuesit, komunitetin e artistëve, Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, si dhe për gjithë vendin në përgjithësi.

Kështu e përshkruajnë humbjen e Ali Podrimjes, përfaqësuesit e institucioneve të larta politike, shkencore dhe të artit në Kosovë.



Hivzi Islami, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, i tha Radios Evropa e Lirë se me vdekjen e Ali Podrimjes, letërsia shqiptare dhe vetë kombi shqiptar, humbi një nga kolosët më të mëdhenj të poezisë shqipe, të cilët, siç tha ai, i kanë dhënë emër epokës së shekujve XX dhe XXI.

Poezia e Ali Podrimjes, sipas Islamit, për më shumë se gjysmë shekulli, ishte zëri identitar i Kosovës, i cili e artikuloi dhembjen dhe shpresat e vendit, si dhe idealet dhe synimet e saj.
Zëri i tij ishte i veçantë, i papërsëritshëm në poezinë shqipe...

“Zëri i tij ishte i veçantë, i papërsëritshëm në poezinë shqipe. Ishte zë që shprehte qenësinë e qëndresës dhe popullit tonë. Ideali i tij poetik dhe ideali i tij intelektual, ishin pasion i pashuar për liri dhe dinjitet njerëzor. Me vdekjen e Aliut, Kosova mbeti pa poetin e saj, i cili si askush tjetër e njohu dhe e artikuloi dhembjen e saj. Vargu i tij ‘Kosova është gjaku im që nuk falet’, e thotë atë që nuk e tha askush tjetër për popullin dhe për vendin e tij”, tha Islami.

Në emër të presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, zëdhënësi i presidentes Arbër Vllahiu, tha se lajmi për humbjen e Ali Podrimjes, në Kosovë është marrë me dhimbje dhe trishtim të thellë dhe është përjetuar si një humbje që ka goditur të gjithë në Kosovë.

“Poeti e intelektuali i madh, Ali Podrimja, me fjalët dhe veprat e tij, kaloi shumë herët kufijtë e Kosovës dhe u bë i njohur në rrethe shumë më të gjera të artit dhe të kulturës, duke e ofruar Kosovën me botën. Vepra e madhe e Ali Podrimjes do të jetojë ndër mote, duke ruajtur kujtimin për të dhe duke shërbyer si frymëzim e motivim për brezat e rinj të poetëve dhe intelektualëve të Kosovës”, u shpreh Vllahiu.

Memli Krasniqi, ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Qeverinë e Kosovës, tha se lajmi për vdekjen e Ali Podrimjes ishte tronditës për të gjithë qytetarët në Kosovë.

Ali Podrimja
Ali Podrimja
“Humbja e Ali Podrimjes është padyshim një humbje e madhe për të gjithë. Është një humbje që në radhë të parë e varfëron komunitetin letrar, artistik dhe kulturor në Kosovë edhe më gjerë. Por, padyshim, përmes krijimtarisë së tij, aq të pasur, Podrimja ka lënë gjurmë të pashlyeshme të letërsinë tonë kombëtare dhe padyshim që vepra e tij do të jetë e pavdekshme”, tha Krasniqi.

Kryetari i PEN- Qendrës së Kosovës, Basri Çapriqi, tha se vdekja e Ali Podrimjes ka prekur zemrat e gjithë lexuesve të poezive të tij, shqiptarë dhe të botës.

Siç u shpreh Çapriqi, largimi nga kjo botë e poetit Podrimja, ka prekur gjithë kombin shqiptar, sepse emri i tij, tash e një kohë të gjatë, konsiderohet si një nga kulmet e artit dhe letërsisë që ka prodhuar kombi shqiptar.

“Emri i Ali Podrimjes është një emër i nderuar i gjithë kombit shqiptarë, është një emër i nderuar i literaturës së rajonit, është një emër i shquar i poezisë së shekullit XX”.

“Vdekja e Ali Podrimjes na ka prekur të gjithëve, sepse e kemi njohur si njeriun që nuk di të ndalet, si njeriun që gjendet gjithkund. Njeri, i cili ka pasur një vullnet të jashtëzakonshëm, njeriu që është lidhur me fatin e këtij kombi me poezinë e tij, ka qenë aty, në kohën e duhur, gjithmonë dhe i ka kënduar ose e ka vajtuar sa herë që e ka pasur fatin e mirë ose fatin e keq ky popull”
, theksoi Çapriqi.

Poetja Naime Beqiraj tha se komuniteti i artistëve e ka pritur shumë rëndë lajmin për humbjen e Ali Podrimjes. Sipas Beqirajt, poetët e rinj e kanë humbur njeriun që i mbështeste dhe poetin model për ta:
Aliun e kemi pasur, në një formë, jo vetëm model, udhërrëfyes, por edhe mbështetës të krijimtarisë letrare.

“Nëse them që jam shumë e pikëlluar, është pak. Aliun e kemi pasur, në një formë, jo vetëm model, udhërrëfyes, por edhe mbështetës të krijimtarisë letrare. I jam shumë mirënjohëse dhe them që po të mos më kishte bërë, do të thotë atë nxitjen Ali Podrimja, ndoshta unë sot nuk do të kisha botuar libra me poezi, sepse gjithmonë e ndrydhja emocionin e publikimit”.

Ndryshe, me rastin e ndërrimit të jetës së poetit Ali Podrimja, drejtuesit e institucioneve më të larta të vendit, mesazhe ngushëllimi i dërguan familjes, komunitetit akademik dhe të artistëve, si dhe gjithë popullit.

Ata thanë se poeti Podrimja ka lënë gjurmë të thella dhe të përjetshme në kulturën kombëtare dhe se vdekja e tij paraqet humbje të madhe për këtë kulturë.

Poeti Ali Podrimja ka lindur në Gjakovë në vitin 1942 dhe vdiq në moshën 70-vjeçare.

Derisa po merrte pjesë në festivalin “Zërat e Mesdheut”, në Lodev, në jug të Francës, ai ishte larguar më 18 korrik.

Më 21 korrik trupi i tij i pajetë ishte gjetur në një hapësirë me drunj, katër kilometra nga Lodev. Zyrtarë të prefekturës lokale thanë se trupi ishte gjetur të shtunën pak pas mesditës, afër një rruge, ndërsa nuk kishte shenja të dhunës.
XS
SM
MD
LG