Ndërlidhjet

Putini e nënshkroi ligjin: OJQ-të, “agjentë të jashtëm”

  • RFE /RL

Vlladimir Putin

Vlladimir Putin

Shërbimi për shtyp i Presidencës së Rusisë ka njoftuar se presidenti Vlladimir Putin e ka nënshkruar ligjin kundërthënës, i cili kërkon që organizatat joqeveritare, që marrin fonde nga jashtë, të regjistrohen në Ministrinë e Drejtësisë si “agjentë të jashtëm”.

Ky ligj, që është miratuar nga Dhoma e Lartë e Parlamentit të Rusisë dhe Këshilli i Federatës, në fillim të këtij muaji, e ashpërson kontrollin ndaj OJQ-ve që marrin fonde nga jashtë, duke i detyruar ato që të përpilojnë raporte të detajuara tremujore financiare për aktivitetet e tyre tek autoritetet e Rusisë.

Kjo mundëson, po ashtu, që OJQ-të e caktuara të jenë subjekt i inspektimeve të rregullta dhe të paparalajmëruara.

Shkelja eventuale e këtij ligji ndëshkohet me penallti financiare ose burgim potencial.

Ky legjislacion ka shkaktuar shqetësim të madh në mesin e aktivistëve, të cilët kanë frikë se do të përdoret për t’i njollosur OJQ-të, që janë kritike ndaj aktiviteteve të qeverisë ose policisë.

Vëzhguesit theksojnë se shprehja “agjent i jashtëm” ishte sinonim për spiunim për shumë njerëz në Rusi dhe në vendet e tjera.

Juri Dzhibladze, president i Qendrës për zhvillim demokratik dhe të drejta të njeriut, thotë se kundër këtij ligji do të luftohet edhe në gjykatë.

“Ne këtë ligj e konsiderojmë kundër-kushtetues. Kjo nuk është vetëm çështje për dënimin tonë, por edhe çështje e strategjisë juridike. E di se një numër i madh i organizatave nuk do të nënshkruajnë deklarata se ata po punojnë nën urdhrin e dikujt. Ky legjislacion parasheh sanksione prej vërejtjeve zyrtare e deri te dënimet dhe suspendimi i aktiviteteve të OJQ-ve. Këtë legjislacion ne do ta luftojmë edhe në gjykata”, thotë Juri Dzhibladze.

Aktivistët e tjerë thonë se legjislacioni është i paqartë. Sipas tij, OJQ-të që marrin fonde nga jashtë dhe angazhohen në “aktivitet politik”, duhet të regjistrohen si “agjentë të jashtëm”, por nuk e përcakton se çka definohet me aktivitet politik.

Mihail Fedotov, kryesues i Këshillit Presidencial për të Drejta të Njeriut, thotë se është krejtësisht konfuz sa i përket definimit të aktivitetit politik.

“Legjislacioni hyn në fuqi 120 ditë pas publikimit të tij zyrtar. Publikimi pritet brenda disa ditësh. Pastaj janë katër muaj, gjatë të cilëve duhet të jemi të gatshëm që ligji të bëhet fuqiplotë. Me gjasë, në atë kohë, shumë gjëra do të jenë më të qarta. Aktualisht, jam krejtësisht konfuz lidhur me definimin e aktivitetit politik. Do të jetë shumë e rëndësishme të shihet se si do të realizohet ai në praktikë”, shprehet Mihail Fedotov.

Kritikët e shohin këtë legjislacion si pjesë të goditjes ndaj lirive civile, që ishte kthyer me ardhjen e Putinit në mandatin e tretë në presidencë, në muajin maj të këtij viti.

Gjatë muajit korrik, Departamenti Amerikan i Shtetit ka shfaqur “shqetësim të thellë” për Ligjin për OJQ-të, por kjo nga Rusia ishte kritikuar dhe vlerësuar si “ndërhyrje e thellë”.

Bashkimi Evropian, po ashtu, e kishte dënuar këtë legjislacion si të pa-arsyeshëm. (f.b.)
XS
SM
MD
LG