Ndërlidhjet

logo-print

Maqedoni: Investimet, anashkalohen zonat shqiptare


Nisja e punimeve për ndërtimin e rrokaqiejve në Shkup.

Nisja e punimeve për ndërtimin e rrokaqiejve në Shkup.

Zonat e banuara me shqiptarë në Maqedoni anashkalohen nga investimet e huaja, vlerësojnë ekspertët e ekonomisë, duke komentuar rastet e fundit të investimeve vetëm në zonat e banuara me popullatë maqedonase.

Vetëm ditëve të fundit ka nisur ndërtimi i katër fabrikave të mëdha në Manastir, Vallandovë dhe Shkup, ku po ashtu në një lagje të kryeqytetit të banuar me maqedonas, janë vendosur themelet për ngritjen e katër rrokaqiejve me nga 42 kate dhe të një qendre tregtare, që besohet të jetë më modernja në rajon.

Gjithashtu, qeveria ka njoftuar sigurimin e dhjetëra miliona eurove për ndërtimin e hekurudhës me Bullgarinë, ndërsa ajo me Shqipërinë është lënë pas disa viteve.

Kjo, sipas ekspertëve, është edhe një dëshmi se qeveria anashkalon zonat e banuara me shqiptarë, duke tentuar që vendin ta lidh me portet detare me Bullgarinë, prej nga edhe do të realizohej eksporti dhe importi i mallrave.

Visar Ademi, profesor i ekonomisë, thotë se kjo situatë, në radhë, të parë është pasojë e pozitës inferiore të partnerit shqiptar në qeveri.

“Unë mendoj se një investitor i huaj kur vjen në Maqedoni, kur vendos se në cilën pjesë të vendit do të investojë, ai kërkon garanci të mëdha nga shteti duke filluar nga prona e deri te tregu. Por, në qoftë se një investitor i huaj e sheh se partneri shqiptar majorizohet, në kuptimin se nuk përfillet fare në vendimarrje për të realizuar politika ekonomike, atëherë unë nuk besoj se ndonjë investitor i huaj do të thoshte, në rregull, unë do të investoj në zonat shqiptare se do ta kem përkrahjen më të madhe”, thotë Ademi.

Ai shton se partitë shqiptarë duhet të kenë gjithashtu politika të qarta sa i përket ekonomisë, të konsultohen me ekspertët e këtij lëmi për të hartuar politika investuese që janë shumë të rëndësishme për tërheqjen e investimeve nga jashtë.

“Mendoj se partneri shqiptar nuk ka strategji të qartë, se në çfarë lloj sektori do të investojmë, çfarë lloj kompanie do të tërheqim, çfarë lloj fuqie punëtore ne u ofrojmë këtyre kompanive. Pra, nuk kemi strategji të qartë, nuk kemi një mesazh të qartë se çfarë modeli ekonomik ne duam për dallim nga partneri tjetër. Ata e dinë se në Maqedoninë lindore ka tekstil dhe mundohen që të gjitha kompanitë të lidhen rreth tekstilit, ndërsa sa i përket pjesës shqiptare nuk kemi një mesazh të qartë se në cilën pjesë të sektorëve do të kërkonim investitorë të huaj”, shton Ademi.

Nga ana tjetër, drejtuesit e institucioneve, shpresojnë me hapjen e zonës së lirë ekonomike në Tetovë situata do të ndryshojë. Kjo zonë është caktuar qysh në vitin 2008, por ende nuk është arritur të ndërtohet për shkak të mosgjetjes së firmave ndërtuese.

Ministri i Ekonomisë, Valon Saraçini, beson se në vjeshtë do të dihen emrat e kompanive që do të menaxhojnë këtë zonë ekonomike. Në garë janë dy: një nga Turqia dhe tjetra nga Norvegjia.

“Unë besoj se në fund të shtatorit apo në fillim të tetorit do të shpallim zyrtarisht se cilat nga këto dy kompani do të menaxhojnë me Zonën e Lirë Ekonomike në Tetovë”, deklaron Saraçini, ministër i Ekonomisë.

Sipas zyrtarëve, në fazën e parë është planifikuar të ndërtohen 30 objekte dhe të hapen 7 mijë vende të reja pune. Zona me tërë infrastrukturën do të kushtojë rreth 300 milionë euro.

Por, nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-perëndimore që tubon afaristët shqiptarë, nuk presin shumë nga premtimet e këtilla. Ata kohë më parë kanë prezantuar një sërë projektesh investuese që pritet t’i dorëzohen qeverisë para se të miratohet buxheti për vitin 2013. Parësore, sipas kësaj ode ekonomike, është ndërtimi i “Rrugës së Arbërit”, që do ta lidhte Maqedoninë perëndimore me bregdetin shqiptar. Ndërsa, janë paraparë edhe projekte tjera që besojnë do të gjallërojnë ekonominë e kësaj pjesë të vendit të lënë pas dore.
XS
SM
MD
LG