Ndërlidhjet

Reporterët Pa Kufij dënojnë sulmet ndaj mediave kosovare

  • RFE /RL

Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Reporterët Pa Kufij dënuan dy sulmet e fundit të selive të mediave, njëra prej të cilëve u bë shënjestër e të shtënave me armë zjarri, ndërsa tjetra u mbyll pas një urdhëri të qeverisë lokale.

“Këto dy incidente pothuaj simultante vënë në pah paqëndrueshmërinë e lartë, në të cilën profesionistët e mediave punojnë në rajon”, vlerësoi organizata për lirinë e shtypit.

Më 17 korrik, autoritetet lokale në Mitrovicë hynë në zyrat e Radio TV Mitrovicës.

Të shoqëruar nga pjesëtarët e policisë, zyrtarët komunalë ia ndërprenë programin RTV Mitrovicës, e detyruan stafin ta lëshojë objektin, ndërsa hodhën pajisjet dhe materialet e incizuara në rrugë.

Ditë më parë, kryetari i komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati. Kishte nënshkruar një urdhër, me të cilin punonjësve të mediumit në fjalë u kërkohej largimi nga objekti.

RTV Mitrovica dhe komuna kanë një mosmarrëveshje pronësore mbi objektin në fjalë që nga viti 1999.

Një gjykatë do të duhej ta merrte vendimin për këtë çështje, por komuna nuk pat treguar vullnetin për ta pritur vendimin ligjor.

Tri ditë para hyrjes së zyrtarëve komunalë dhe të policisë në ndërtesën e RTV Mitrovicës, anëtarëve të mediumit u ishte sugjeruar ta lëshojnë objektin.

Themeluesi i RTV Mitrovicës, Nexhmedin Spahiu, e kritikoi veprimin e komunës duke e cilësuar atë si “arbitrar”.

Ai tha se autoritetet kanë pritur derisa ai të ishte jashtë vendit, në Qipro, për ta zbatuar aksionin e tyre.

Spahiu tha se kryetari i komunës ka urdhëruar bastisjen në mënyrë që t’i nxjerr nga objekti dokumentet që përmbajnë dëshmi mbi korrupsionin.

Është e papranueshme që qeveria lokale urdhëron vandalizmin e një organizate mediale, derisa është duke u përpiluar vendimi ligjor, i cili do ta qartësonte të drejtën e pronës”, vlerësuan Reporterët Pa Kufij.

Ne kërkojmë që RTV M-së t’i ofrohet kompensimi për dëmin e konsiderueshëm që i është bërë dhe kërkojmë që të zhbëhet vendimi i komunës. RTV M duhet të jetë e gatshme të operojë lirshëm në zyrat e saj deri në marrjen e vendimit gjyqësor”.

Në ndërkohë, 40 kilometra në veri të Mitrovicës, të shtëna me armë zjarri kanë shënjestëruar Radio Kollashinin në Zubin Potok. Sulmi ndodhi më 19 korrik, dy ditë pas aksionit në RTV M.

Një bankë dhe shtëpia e një pjesëtari të policisë u bënë po ashtu cak i të shtënave me armë zjarri.

Askush nuk u pat lënduar gjatë incidenteve, por motivet e sulmit mbesin të panjohura.

Jemi të shokuar ga sulmi mbi Radio Kollashinin”, theksuan Reporterët Pa Kufij.

Hetimet fillestare lënë të kuptojnë se sulmi ishte i planifikuar. Ne kërkojmë që autoritetet t’i ndërmarrin të gjitha masat për të garantuar sigurinë e gazetarëve nëpër vendet e tyre të punës”.

Kosova rangohet e 87-ta në mesin e 187 vendeve në indeksin e Reporterëve Pa Kufi për lirinë e shtypit në vitin 2012.(e.p.)
XS
SM
MD
LG