Ndërlidhjet

Njohës të çështjeve ekonomike në Prishtinë japin vlerësime të ndryshme rreth mundësisë se formimit të të ashtu quajturit “Beneluksit Ballkanik”.

Ndryshe, ditë më parë disa qeveri ballkanike kanë paraqitur idenë e formimit të të ashtu quajturit Beneluksit Ballkanik, apo bashkimit ekonomik dhe politik të Maqedonisë, Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi, që do të ndikonte në bashkëpunim më të shtuar midis vendeve të rajonit.

Krijimin e bashkësive të disa shteteve ballkanike, sipas shembullit të “Beneluksit”, Lumir Abdixhiku drejtor ekzekutiv në Institutin “Riinvest”, e quan ide utopike.

Mendoj se është një ide utopike se sa e aftë të bëhet realitet. Me qenë se pjesëmarrësit në këtë nomenklaturë kanë jo fortë ndjenja miqësore ndaj njëri tjetrit. Dhe, pa pajtimin e tyre, në rend të parë të Maqedonisë dhe Malit të Zi, nuk mund të kemi një treg të përbashkët, qoftë ekonomik ose një strukturë të përbashkët udhëheqëse”.

Mendoj se është shumë herët të flitet për një gjë të tillë, paraprakisht mendoj se duhet të ngritën kapacitet tona bashkëpunuese mes këtyre vendeve. Në fund të fundit, Kosova ka problem bashkëpunimi me Shqipërinë, që kanë fare pak pengesa, e lërë më shtetet si Maqedonia dhe Mali i Zi”, deklaron Abdixhiku.

Kurse, Lekë Musa nga Oda Ekonomike Amerikane në Prishtinë, thotë një ide e tillë është e mirëseardhur për Kosovës, pasi një bashkim i tillë do të forconte pozitën e rajonit në përgjithësi.

Musa konsideron se është ide vështirë e realizueshme, por që sipas tij, realizimi eventual i kësaj iniciative do ndikonte edhe në tërheqjen e investitorëve potencialë në rajon.

Do të ngritë në një formë atraktivitetin e rajonit për të tërhequr investitorët e mundshëm, edhe pse tani më marrëveshjen e CEFTA-s, një gjë e tillë ekziston. Mirëpo, sidoqoftë, një bashkim i tillë do të ndihmonte që edhe legjislacionet përkatëse të këtyre vendeve të harmonizohen dhe të përafrohen në një farë forme. Me ç’rast investitorët potencialë do të kenë më të lehtë të operojnë në këtë rajon”, thotë Musa.

Edhe Abdixhiku, thotë se kjo nismë mund të tërheqë investitorët potencialë.

Vendet e Ballkanit perëndimor herë do kur do të bashkëpunojnë nën ombrellën e Bashkimit Evropian, prandaj bashkëpunimi nuk është zgjidhje por është domosdoshmëri. Por, paraprakisht, model i tillë mund të funksionojë para integrimit në Bashkimin Evropian, në mënyrë që ne të tërheqin investitorë potencialë".

"Por, po themi se është një ide e cila është më tepër utopike dhe më me pak gjasa që mund të bëhet realitet ndonjëherë
”, shprehet Abdixhiku.

Një bashkim i tillë do të ishte i dobishëm, pasi mund të krijohet treg më i madh me qarkullim të lirë të mallrave, shërbimeve, e që sjell mirëqenie më të mirë për të gjithë qytetarët, thotë Lekë Musa, nga Oda Ekonomike Amerikane në Prishtinë.

Është mirë sepse hapen tregje edhe për prodhuesit vendorë dhe sigurisht që edhe depërtimi i tyre në mallra dhe shërbime, ndoshta do të ishte më i lehtë në shtet tjera fqinje”.

Sidoqoftë, kjo ide është përshëndetur edhe nga Bashkimi Evropian, ndërsa është përkrahur nga qarqe qeveritare shqiptare në Shkup, Tiranë dhe Prishtinë, kurse zyrtarët shtetërorë maqedonas dhe ata të Serbisë kanë shprehur doza dyshimi dhe kundërshtimi, duke thënë se bëhet fjalë për projekt me prapavijë “Shqipërinë e Madhe”.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG