Ndërlidhjet

Ban shpreh shqetësim për situatën në veri


Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-mun, ka shprehur shqetësimin e tij për situatën në veri dhe përshkallëzimin e tensioneve në këtë pjesë të vendit gjatë vitit të kaluar.

Këto komente zoti Ban i bëri me të arritur në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës, në kuadër të turneut të tij ballkanik.

“Është thelbësore që çështja e ndjeshme dhe komplekse në raport me veriun e Kosovës të zgjidhet përmjet një dialogu paqësor".

"Pikëpamjet e komuniteteve, të cilat ndikohen drejtëpërsëdrejti nga këto tensione janë thelbësore. Zërat e tyre duhet të dëgjohen. Nevojat dhe të drejtat e tyre azë duhet të përfaqësohen në mënyrë demokratike”,
ka thënë zoti Ban, gjatë një adresimi të shkurtër para gazetarëve të mbledhur në aeroport.

Ai ka thënë gjithashtu se gjatë vizitës së sotme, do të njihet gjerësisht me situatën, veçanërisht me statusin e marrëdhënieve midis komuniteteve, me të drejtat e pakicave dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

Por, tema kyçe e vizitës, ka thënë ai, është rëndësia e dialogut dhe respektit të ndërsjellë në gjithë rajonin.

“Ua kam thënë të gjithë liderëve me të cilët po takohem se ndërmarrja e hapave të mëtejmë në arritjen e një mirëkuptimi edhe më të madh është e një rëndësie thelbësore”, ka thënë Ban Ki-mun, duke nënvizuar se të njejtin mesazh e ka sjellë edhe për liderët e Kosovës, për popullin e Kosovës.

Në veçanti, tha sekretari i përgjithshëm, “pres përpjekje më të fuqishme drejt normalizimit të raporteve me Beogradin, përfshirë këtu edhe një përkushtim serioz dhe të sinqertë karshi dialogut - gjënë e njejtë të cilën e kam kërkuar edhe nga lidershipi serb”.

Zoti Ban ka rikujtuar se është Bashkimi Evropian ai që ka marrë rolin udhëheqës në përpjekjet ndërkombëtare në rajon.

“Kombet e Bashkuara do të vazhdojnë të bashkëpunojnë me të gjithë partnerët ndërkombëtarë në arritjen e synimeve tona të përbashkëta për popullin e Kosovës dhe rajonin në përgjithësi”, ka thënë sekretari i përgjithshëm Ban Ki-moon.

Me këtë rast, zoti Ban ka kërkuar nga të gjitha palët që të intensifikojnë përpjekjet e tyre për të zgjidhur çështjen e personave që vazhdojnë të llogariten si të zhdukur, duke thënë se “kjo çështje është një çështje e të drejtave thelbësore të njeriut dhe kyçe për pajtim dhe respektim të ndërsjellë”.

Zoti Ban ka shfrytëzuar këtë paraqitje para mediave në Prishtinë, për të shprehur ngushëllimet e tij për vdekjen e poetit me renome ndërkombëtare, Ali Podrimja, trupi i pajetë i të cilit u gjet në Francë të shtunën më 21 korrik.

Në kuadër të agjendës zyrtare, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara është takuar me presidenten e Republikës, Atifete Jahjaga dhe kryeministrin Hashim Thaçi.

Thaçi vizitën e zotit Ban në Kosovë e ka vlerësuar si historike. Për më tepër, ai tha se vetë vizita e një niveli të tillë tregon për mbështetjen ndaj progresit të arritur në Kosovë.

Edhe vet zoti Ban Ki-mun në takim theksoi se njeh realitetin në Kosovë dhe respekton, vlerëson dhe mbështet aspiratat e qytetareve të Kosovës. E aspiratat e qytetarëve të Kosovës janë e ardhmja evropiane dhe vizioni ynë, qëllimi ynë është anëtarësimi në NATO, Bashkim Evropian dhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara”, tha Thaçi për të shtuar se sekretarin e gjeneral të OKB-së e ka informuar për të gjitha zhvillimet në Kosovë, duke përmendur edhe procesin e përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur.

Kurse, sa i takon çështjes se cili mund të jetë roli i Organizatës së Kombeve të Bashkuara në dialogun në mes të Prishtinës dhe Beogradit, Thaçi ka deklaruar se OKB-ja,në këtë drejtim nuk mund të ketë ndonjë rol.

Organizata Kombeve të Bashkuara nuk mund të participojë në ketë çështje, sa i përket dialogut teknik që ka filluar tash e dy vjet me Serbinë".

"Është një dialog që ka filluar dhe paraprakisht duhet të ndodh implementimi i të gjitha marrëveshjeve që janë arritur në Bruksel, dhe pastaj të shqyrtohen mundësitë e vazhdimit të dialogut teknik për fqinjësi dhe normalizim të marrëdhënieve ndërshtetërore mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë
”, tha Thaçi.

Ndryshe, Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-mun pasdite ka vizituar Deçanin dhe Prizrenin.

Ai, pas vizitës në Kosovë, do të vizitojë Maqedoninë dhe Bosnjën për ta përmbyllur kështu turneun e tij në rajon më 26 korrik.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG