Ndërlidhjet

OSBE: Secilit individ t’i garantohet qasje në regjistrim civil


Komunitetet e cenueshme në Kosovë përballen me vështirësi në regjistrimin civil, gjë që vazhdon të pengojë përfshirjen e tyre në shoqëri, thotë një raport i OSBE-së i publikuar sot.

Përderisa institucionet e Kosovës, në vitet e fundit, e kanë përmirësuar kornizën ligjore dhe kanë rritur numrin e zyrave të regjistrimit civil gjatë periudhës raportuese, financimi, resurset logjistike dhe njerëzore jo adekuate të alokuara në këto zyra, e kufizojnë funksionimin e mirëfilltë të mekanizmit.

Barrierat gjuhësore dhe mungesa e udhëzimeve rreth dokumenteve të kërkuara për regjistrimin civil paraqesin pengesa shtesë, thotë OSBE-ja.

“Nëpërmjet regjistrimit civil, një person identifikohet dhe njihet si pjesë e shoqërisë dhe është në gjendje të ushtrojë të drejtat e veta dhe të ketë qasje në arsim, shëndetësi dhe punësim”, tha ambasadori Werner Almhofer, shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë, dhe shtoi se “është shumë e rëndësishme që secilit individ t’i garantohet qasja në regjistrim civil”.

Për ta përmirësuar pajtueshmërinë me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, raporti i OSBE-ë u rekomandon institucioneve të Kosovës që të alokojnë resurse adekuate në zyrat e regjistrimit civil, shtrirje te komunitetet e cenueshme, dhe që të sigurojnë tarifa të regjistrimit të përballueshme me kriteret e vendosura qartë.

Institucionet gjithashtu inkurajohen që të fillojnë praktikën e shpalljes së një muaji gjatë vitit për regjistrim pa pagesë.
XS
SM
MD
LG