Ndërlidhjet

WP: Heshtja e Obamas dhe Romnit


Obama dhe Romni
Obama dhe Romni
“The Washintgon Post”


Pasojat e një tragjedie kombëtare në përgjithësi shkaktojnë dy gjëra. E para është shpërfaqja e pikëllimit kolektiv si element krucial i procesit të shërimit, ndërsa e dyta është pyetja- esenciale nëse jo tërësisht amerikane, se çfarë mund të bëhet për t’i parandaluar ngjarjet e tilla.

Uragani Katrina nxiti një debat mbi përgatitjet për uragane; sulmet e 11 Shtatorit shtruan kërkesën për një hetim të gjerë rreth përpjekjeve anti-terroriste. Vetëm për një kategori të tragjedisë-vrasjet masive, një varg pyetjesh të qarta si: Çfarë shkoi gabimisht? Çfarë duhet të ndryshojë?-u zhvendosen prerazi nga tryezat e diskutimit-të paktën për politikanët.

Realiteti i politikës moderne, që është në fakt fuqia politike e përdorur nga Shoqata Kombëtare e Pushkëve, mbyt çfarëdo diskutimi serioz mbi kontrollin e armëve.

Ky ishte harku- sa i parashikueshëm, aq dhe zhgënjyes, i përgjigjeve politike ndaj masakrës së javës së kaluar në Aurora të Kolorados-kryesisht nga presidenti Obama dhe nga kandidati republikan për president, Mit Romni.

Presidenti iu afrua më së shumti kësaj çështje të dielën, kur shfaqi shpresën se “ne të gjithë duhet të mendojmë se si mund të bëjmë diçka lidhur me dhunën e paarsyeshme që po e prish këtë shtet”.

Si për shembull? Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Xhej Karni, e shpjegoi këtë në mënyrë gjysmake duke u thënë gazetarëve se “Sipas mendimit të presidentit, ne mund të ndërmarrim disa veprime për t’i mbajtur armët larg duarve të njerëzve që nuk do të duhej t’i kishin ato bazuar në ligjin ekzistues”.

Mirëpo, nuk ka ndonjë indikacion se ligji ekzistues do të mund të kishte bërë diçka për ta ndalur Xhejms Houmsin, vrasësin e dyshuar.

Reagimi i zotit Romnei, ndërkaq, u karakterizua nga retorika qetësuese dhe specifikimi i dobët i gjërave.

“Sot, ne nuk jemi vetëm të pikëlluar, por ndoshta edhe pa shpresa”, tha Romnei pas vrasjeve. “Por, ka diçka që mund të bëjmë. Ne mund t’i ofrojmë rehati dikujt afër nesh, i cili po vuan apo është i ngarkuar me gjëra të tilla dhe ne mund të mbajmë zi me ata që mbajnë zi në Kolorado”.

Kryetari i Nju Jorkut, Majkëll Blumbërg, kishte të drejtë kur kritikoi të dy kandidatët rreth përgjigjeve të tilla.

“Fjalët qetësuese janë të mira”, tha zoti Blumbërg të premten. “Por, ndoshta ka ardhur koha që të dy personat që duan të jenë president të Shteteve të Bashkuara të na tregojnë dhe të thonë se çfarë duan të bëjnë lidhur me këtë”.

Mirëpo, asnjë ligj mbi kontrollin e armëve, sado kufizues që të jetë, nuk është në gjendje ta ndalë ndonjë masakër. Pas ngjarjeve që pasuan Auroran, Taksën dhe Virgjinia Tekun, politikanëve nuk do të duhej t’u lejohej t’i shmangen një diskutimi serioz për nevojën e masave shtesë të kufizimit.

Ndalesa e armëve sulmuese, e cili skadoi në vitin 2004, edhe pse e karakterizuar nga zbrazëtirat ligjore, do ta kishte parandaluar përdorimin e armës së tipit AR-15 që u përdor gjatë incidentit. Gjatë fushatës elektorale në vitin 2008, zoti Obama pat mbështetur rinimin e ndalesës, por që nga atëherë e ka heshtur këtë çështje.

Zoti Romnei, dikur, mbështeste po ashtu ndalesën, por më vonë pat hequr dorë nga ai qëndrim.

Ndalesa mbi armët sulmuese ndalonte edhe prodhimin e magazinave me më shumë se 10 plumba.

Sipas policisë, zoti Houms, kishte një armë me kapacitet të lartë që përmbante një të ashtuquajtur “drum magazine” e cila është në gjendje të mbajë 100 plumba e që mund t’i shkrep 60 plumba në minutë.

Magazinat e kapacitetit të lartë ishin përdorur edhe në incidentet në Taksën dhe Fort Hud. A e mbështesin kandidatët për president rinimin e kufizimit për madhësinë e magazinave?

Zoti Houms dyshohet t’i ketë porositur tre mijë plumba përmes internetit. A do të duhej të ndalohej shitja e municionit përmes internetit apo do të duhej të mbikëqyrej më shumë?

Dështimi i kandidatëve presidencialë që t’i trajtojnë këto çështje nuk është në shërbim të amerikanëve, të cilët ata shpresojnë t’i udhëheqin e as në shërbim të kujtimit të viktimave në Aurora.(e.p.)
XS
SM
MD
LG