Ndërlidhjet

Efektet e intervenimit të 25 korrikut në veri të Kosovës


Policia e Kosovës, veri, 26 korrik 2011

Policia e Kosovës, veri, 26 korrik 2011

Intervenimi i institucioneve të Kosovës, më 25 korrik të vitit të kaluar, për vënien nën kontroll të vendkalimeve kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, në veri të vendit, ndonëse simbolik, ka reflektuar efektet e saj, të cilat më shumë peshojnë pozitivisht, vlerësojnë njohësit e rrethanave politike në Kosovë, në prag të njëvjetorit të këtij intervenimi.

Analisti i çështjeve politike, Shkëlzen Maliqi, vlerëson se është e dukshme që pas intervenimit të institucioneve të Kosovës në veri, për pasojë serbët lokalë, por edhe vet shteti i Serbisë, kanë hyrë në një konflikt me faktorët ndërkombëtarë.

Në njëfarë dore, politikisht, çështja ka lëvizur, sidomos me zotimet e faktorëve ndërkombëtarë se kjo është pjesë e territorit të Kosovës, do të thotë, veriu dhe se nuk do të ketë ndarje”.

Më shumë, në këtë aspekt ka pasur përparime edhe pse faktikisht shumë pak gjëra janë përmirësuar në terren. Kontrolli ende mbetet në strukturat paralele atje, vetëm se konflikti është bartur ndërmjet KFOR-it dhe serbëve lokal atje. Ata i kanë bllokuar rrugët dhe kështu me radhë”, shprehet Maliqi.

Ai shton se institucionet e Kosovës, përveç atij suksesit fillestar që ka zgjatur një ditë, më pas kryesisht kanë pasur rol dytësor, pasiv dhe deklarativ se do ta kthejnë kontrollin.

Por, sipas tij, duket se do të kalojë edhe një fazë e dialogut dhe bisedave, ndoshta edhe politike që kjo çështje të zgjidhet, mbase jo përfundimisht, por të gjendet një zgjidhje e pranueshme për të dyja palët.

Ndërkaq, analisti i çështjeve politike, Ismajl Hasani, vlerëson se një vjetori i intervenimit të forcave speciale policore të Kosovës në veri të vendit, nuk mund të ketë asnjë kuptim nëse nuk shihet edhe progresi i vogël në raport me faktorin ndërkombëtar, për gatishmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të vazhduar bisedimet me Serbinë, të aranzhuara nga Brukseli.

Në këtë kuptim, mendoj se Kosova ka shënuar një progres, sado që veriu vazhdon të jetë problematik, sado që atje funksionojnë forcat paramilitare, njësitë e specializuara të MUP-it serb, etj”.

Megjithatë, të paktën, në kuadër të këtij një vjetori, Kosova është një fitues moral, për faktin se pikërisht para një viti, njësitë speciale kanë treguar gatishmërinë për të mbrojtur integritetin territorial të Republikës së Kosovës, që e garanton Kushtetuta”, thotë Hasani.

Një prej efekteve të intervenimit të institucioneve të Kosovës në veri, një vit më parë, sipas analistit Maliqi, është edhe ri-aktualizimi i çështjes së veriut të vendit, ku gjatë dhjetë vjetëve janë krijuar strukturat paralele dhe kriminale.

Efekti i aksionit është se, megjithatë, është kthyer çështja në qendër të vëmendjes. Ka pasur ashpërsime dhe incidente, por nuk e ka provokuar ndonjë konflikt të madh dhe tash është çështje që kërkon zgjidhje”.

Të gjithë e kanë kuptuar se pa e zgjidhur këtë problem, nuk mund të shkojnë përpara as Kosova, as Serbie e as rajoni, në krijimin e një rendi dhe stabiliteti të ri”, deklaron Maliqi.

Analisti Hasani thotë se efektet e vetme negative të intervenimit një vjet më parë në veri janë humbja e jetës së policit Enver Zymberi, si dhe situatat e caktuara që kanë krijuar konfuzitet brenda partnerëve në jetën politike në Kosovë, e sidomos siç i quan ai, partive joserioze parlamentare dhe parlamentare.

Efekte negative nuk janë shënuar, për faktin se reagimi i faktorit ndërkombëtar në fillim ishte shumë i ashpër, me rastin e ndërhyrjes”.

Por, ky reagim është zbutur, pikërisht për faktin, kur faktori ndërkombëtarë ka parë shkallën e lartë të seriozitetit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për të mbrojtur integritetin territorial të vendit, përkatësisht, për të mbrojtur kushtetutën e Republikës së Kosovës”.

Ndryshe, institucionet e Kosovë e kishin nisur aksionin për rivendosjen e kontrollit mbi vendkalimet kufitare 1 dhe 31 në veri të Kosovës, me 25 korrik të vitit të kaluar.

Njësiti special i Policisë Rosu, kishte vendosur kontrollin mbi vendkalimet në Jarinjë dhe Bërnjak dhe aksioni i policisë kishte pasuar vendimin e disa ditëve më parë të qeverisë për vendosjen e masave të reciprocitetit me Serbinë duke pamundësuar kështu hyrjen e mallrave serbe në Kosovë.

Me këtë rast, me 26 korrik, ishte qëlluar për vdekje me armë zjarri pjesëtari i njësisë speciale të policisë “Rosu”, Enver Zymberi, i cili më pas nga presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, ishte shpallur “Hero i Kosovës”.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG