Ndërlidhjet

Gjendja e (pa)ndryshuar në veri


Jarinjë
Jarinjë

Përfaqësuesit e disa partive politike opozitare dhe ish-drejtues të policisë, kritikuan institucionet e Kosovës se edhe një vit pas intervenimit të policisë për vënien nën kontroll të vendkalimeve kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, gjendja atje është e pandryshuar dhe pa rezultate.

Megjithatë, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, vlerësoi se vendimi për dërgimin e forcave të sigurisë në veri ka qenë vendimtar që të lëvizë e gjithë diplomacia botërore për normalizimin e gjendjes në veri.
26 korrik 2011, Zubin Potok...
26 korrik 2011, Zubin Potok...

“Atje, për 12 vite të tëra ishte toleruar korrupsioni, krimi i organizuar, kontrabanda, strukturat e Ministrisë së Brendshme të Serbisë dhe inteligjencës së Serbisë. Më 25 korrik të vitit të kaluar, ka ndodhur fillimi i goditjes përfundimtare të prezencës së tyre”.

“Natyrisht, ka mbetur për t’u bërë edhe më tepër dhe sot Kosova me angazhimet e veta për lëvizje të lirë, rend dhe ligje për demokraci dhe investime socio-ekonomike, e ka mbështetjen e plotë të të gjithë botës demokratike”
, tha Thaçi.

Por, Lëvizja Vetëvendosje tha se edhe një vit prej ndërhyrjes së forcave speciale të policisë në veriun e Kosovës, gjendja nuk ka ndryshuar.

Për më tepër, sipas këtij subjekti politik, Qeveria e Kosovës, jo që nuk është duke bërë përpjekje për ta përmirësuar gjendjen, por ajo, sipas tyre, po përgatitet për negociata të reja me Serbinë.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në një konferencë për media të mërkurën, tha se dialogu në Bruksel, pa kurrfarë kushtesh për Serbinë, po e amniston dhe rehabiliton Serbinë për krimet e tmerrshme të luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin e saj të bërë në Kosovë.

“Tryeza e bisedimeve me Serbinë është tryezë e ngrënies. Aty po e hanë Kosovën. Kryeministri Thaçi po e ha Kosovën si buxhet dhe pasuri publike e natyrore. Serbia po e ha Kosovën si territor dhe si shtet. Në këtë tryezë Kosova kurrsesi s’mund të jetë subjekt, por veçse objekt”.
Dialogu me Serbinë për veriun e Kosovës është dialog për krimin dhe dialog me krimin...

“Dialogu me Serbinë për veriun e Kosovës është dialog për krimin dhe dialog me krimin. Çdo ditë që kjo qeveri qëndron në pushtet, qytetarët e Kosovës humbin pjesë nga pavarësia e shtetit, humbin pjesë të pasurisë publike të Kosovës, humbin pjesë të buxhetit të Kosovës dhe humbin pjesë të territorit të shtetit tonë”, u shpreh Kurti.

Lëvizja Vetëvendosje u bëri thirrje të gjitha subjekteve opozitare të mos i bashkohen Partisë Demokratike të Kosovës në një koalicion të mundshëm, ashtu si thuhet në mediat lokale.

Një koalicion i mundshëm me ndonjërën prej partive opozitare, sipas Vetëvendosjes, do të krijohet për t’ia dhënë veriut autonominë e kontrolluar nga Beogradi.

“Kosova nuk ka nevojë për një Qeveri që bën kompromise për territorin e vet. Republika e Kosovës ka nevojë për një bashkim të fuqishëm opozitar dhe mbarëshoqëror deri në shfuqizimin e mandatit të kësaj Qeverie aktuale, dhe jo t’i ndihmojmë asaj në qëllimet dhe projektin e saj të dëmshëm”, thanë zyrtarët e lartë të Vetëvendosjes.

Ndryshe, kryeprokurori i Prokurorisë së Qarkut në Mitrovicë, Shyqyri Syla, udhëheqës në hetimet për vrasjen e policit kosovar, Enver Zymberi, tha se për këtë rast ende janë duke vazhduar hetimet.

Enver Zymberi nga Dubovci i Vushtrrisë, pjesëtar i Policisë së Kosovës, u vra si pasojë e plagëve të marra, në kuadër të aksionit të ndërmarrë nga forcat e rendit një vit më parë, për të rivendosur kontrollin në vendkalimet kufitare me Serbinë, në veri të Kosovës.\

Varrimi i policit Enver Zymberi, i vrarë gjatë aksionit të një viti më parë për marrjen e kontrollit në veri
Varrimi i policit Enver Zymberi, i vrarë gjatë aksionit të një viti më parë për marrjen e kontrollit në veri
Zymberi ishte pjesëtar i njësiteve speciale ROSU që nga viti 2000.

Syla tha për Radion Evropa e Lirë se një pengesë në zhvillimin e hetimeve paraqet mungesa e lirisë së lëvizjes në pjesën veriore të Mitrovicës. Ai sqaroi se në kuptim të kapjes se autorëve të vrasjes, ende nuk ka diçka konkrete.

“Janë identifikuar si të implikuar gjashtë persona, për të cilët është lëshuar edhe një flet-arrest ndërkombëtar. Janë edhe dy persona që dyshohen për ndihmë pas kryerjes së veprës penale".

"Sigurisht e dini që dy kanë qenë të arrestuar, njëri ka qenë gabimisht dhe është liruar nga gjyqtari i EULEX-it, dhe tjetrit i është ndërruar masa e paraburgimit, por është nën hetime. Provat janë grumbulluar deri diku relativisht mirë, mirëpo pengesa paraqesin vështirësitë e lëvizjes në veri të prokurorëve dhe të policisë së EULEX-it”
, bëri të ditur Syla.

Ndryshe, në fund të muajit tetor të vitit të kaluar, Interpoli pati lëshuar fletë-arrestet për disa qytetarë të përkatësisë serbe, të dyshuar lidhur me vrasjen e pjesëtarit të njësitit special të Policisë së Kosovës, Enver Zymberi.

Ndërkohë, ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Reshat Maliqi, aktualisht drejtor për Planifikim Strategjik dhe Çështje Ligjore në Policinë e Kosovës, tha se në veri të Kosovës, gjendja para 25 korrikut ka qenë më e pranueshme se sa që është sot.

“Situatën, të cilën e kemi pasur para 25 korrikut, ka qenë më e favorshme se tani. Tani atje i kemi vetëm dy policë, të cilët dërgohen me helikopter, kurse deri më 25 korrik ata kanë shfrytëzuar rrugët tokësore, kanë shkuar me makina dhe askush nuk i ka penguar".

"Veç kësaj, unë nuk kam vërejtur se është arritur diçka që ne dëshmojmë dhe shohim sovranitetin e plotë atje - ndalimi i kontrabandës dhe mbyllja e kalimeve ilegale - sepse serbët andej kanë hapur edhe shumë rrugë të tjera
”, tha Maliqi.

Sipas Maliqit, kjo gjendje në veri të Kosovës duhet të jetë mesazh për bashkësinë ndërkombëtare që të ndërmerren hapa për ndryshimin e gjendjes, duke nisur me shuarjen e strukturave ilegale.
XS
SM
MD
LG