Ndërlidhjet

Irak: Mbyllen e rihapen kufijtë


Refugjatët sirianë
Refugjatët sirianë
Vetëm katër ditë pasi Iraku mbylli kufijtë me Sirinë, kryeministri irakian, Nuri Al Maliki, urdhëroi rihapjen e të gjitha pikave kufitare për refugjatët që po e braktisin Sirinë për shkak të dhunës në këtë shtet.

Në ndërkohë, nisën përgatitjet për strehimin e fluksit të madh të sirianëve që po ikin për në Irak.

Vendimi i Malikit erdhi në kohën kur po rritet presioni politik mbi Irakun për ofrimin e strehës për refugjatët sirianë, ashtu siç kishte bërë Siria për mijëra irakianët para disa vitesh.

Të martën, një zëdhënës i qeverisë njoftoi se Bagdadi do të ndërtojë dy kampe afër pikave kufitare për t’i akomoduar refugjatët-një në afërsi të Al Kaimit dhe tjetrin afër Rabijahit.

Një kamp i Kombeve të Bashkuara në provincën kurde Duhok është vendosur tashmë dhe po pranon refugjatët nga Siria.

Gjenerali Ahmed Al Kafaji, zëvendësministër për çështje kufitare, tha se refugjatët që ia kanë mësyrë kampit të Kombeve të Bashkuara do ta gjejnë atë të gatshëm për t’i pranuar.

Ekziston një kamp për refugjatët sirianë në Dohuk nën mbikëqyrjen e Kombeve të Bashkuara. Ne i kemi bërë përgatitjet për t’i pritur refugjatët. Pjesa më e madhe përreth Sirisë është shkretëtirë, andaj nuk do t’i ekspozohet kërkuesve të strehës. Nëse ka refugjatë sirianë nga veriu, si për shembull Kamshili ose Durabi, ata mund të shkojnë në kampin e mbikëqyrur nga Kombet e Bashkuara”, tha ai.

Shkretëtira mbulon afro 500 kilometra të kufirit 600 kilometërsh ndërmjet Irakut dhe Sirisë.

Al Kafaji tha se qeveria irakiane pret që pjesa dërrmuese e refugjatëve të vijnë përmes pikës kryesore kufitare, kufirin Al Valid, i cili aktualisht funksionon si pikë kryesore për kalimin e njerëzve-përfshirë irakianet e kthyer që kishin braktisur vendin më parë.

Gjatë dekadës së kaluar dhe veçanërisht në kulmin e dhunës sektare më 2006 deri në vitin 2007, dhjetëra-mijëra irakianë kishin ikur për në Siri, e cila atëkohë kishte një politikë për kufij të hapur për refugjatët irakianë.

Një vlerësim i Komitetit për Refugjatë të Kombeve të Bashkuara më 2012 vuri në pah se janë më shumë se një milion irakianë që jetojnë në Siri.

Asad Ahmed, një irakian që jetonte në Siri për disa vite, tha se Siria ka trajtuar shumë mirë refugjatët irakianë.

Doktrina e presidentit Bashar Al Asad i konsideron irakianët të barabartë me sirianët dhe ne kemi marrë edukim dhe kujdes shëndetësor pa pagesë”, shpjegoi ai për të theksuar se “Sirianët i kanë pranuar irakianët”.

Tani kur situata është kthyer mbrapsht, zëvendësministri i brendshëm Al Kafaji tha se Iraku nuk mund t’u kthejë shpinën sirianëve.

Ne s’mund të mohojmë se vëllezërit tanë sirianë kishin mirëpritur vëllezërit e tyre irakianë gjatë regjimit të kaluar, andaj si mund t’i trajtojmë në këtë situatë?", shtroi pyetjen ai.

Kombet e Bashkuara dhe Iraku vlerësojnë se diku 10 mijë irakianë kanë braktisur Sirinë në ditët e fundit. Zyrtarët irakianë, ndërkaq, vlerësojnë se diku 80 mijë qytetarë të tij mbesin në Siri prej 143 mijë sa ishin para nisjes së konfliktit në vitin e kaluar.

Bagdadi gradualisht ka rritur përpjekjet për të lehtësuar kthimin e qytetarëve të tij në kohën e rritjes së përleshjeve në Siri. Disa ditë më parë, u paralajmërua se të gjithë irakianët e kthyer do të marrin nga tre mijë dollarë për t’i mbuluar shpenzimet ditore.

Zëdhënësi i qeverisë, Ali Dabag, tha në një deklaratë se 42 milionë dollarë janë alokuar për “të siguruar mbështetje dhe asistencë” për refugjatët.

Urdhëri i Al Malikit, që duhet të zbatohet në të gjitha pikat kufitare me Sirinë, nuk u mirëprit nga i gjithë populli në Bagdad. Vendimi rriti shqetësimet në mesin e disa ligjvënësve mbi mundësinë e hyrjes së grupeve të armatosura në Irak.

Më 19 korrik, Iraku mbylli një nga pikat kryesore kufitare me Sirinë pasi rebelët e këtij vendi morën kontrollin në pikën kufitare Albu Kamal Kaim për ta vendosur flamurin e Ushtrisë Siria e Lirë në anën siriane të kufirit.

Analisti politik në Irak, Ahmed Al Abjad, tërhoqi po ashtu vërejtjen për situatën e sigurisë pas rihapjes së kufijve për refugjatët.

Nëse i strehojmë nëpër kampe, nuk mund t’u garantojmë siguri, veçanërisht nëse i marrim parasysh qasjet e ndryshme politike dhe kundërshtimet në trajtimin e situatës në Siri”, tha ai.(e.p.)
XS
SM
MD
LG