Ndërlidhjet

SHBA: Entuziazmi zgjedhor ndër të rinjtë ka rënë


Barak Obama
Barak Obama

Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2008 pat fituar Barak Obama. Për këtë fitore, në masë të konsiderueshme, ai duhet t’i falënderojë amerikanët e rinj entuziastë, që bënë fushatë për ta mbështetur Obamën me numra historikisht të lartë.

Hulumtimet e opinionit pak muaj para zgjedhjeve të 2008-s, tregonin se 78% e votuesve të moshës prej 18-30 vjeç, planifikonin të votonin për Obamën.

Përfundimisht, dy të tretat e këtij numri votuan për presidentin aktual amerikan.

Por, tash katër vjet më vonë, numrat nuk duken aq të favorshëm për Obamën.

Sipas një hulumtimi të opinionit të realizuar nga kompania Gallup, një numër shumë më i vogël i të rinjve “gjithsesi do të votojnë” në zgjedhjet e nëntorit 2012, në të cilat presidenti Obama ballafaqohet me rivalin republikan Mit Romni.

Vetëm 58% e votuesve të rinj të regjistruar, thonë se do të votojnë më 6 nëntor të këtij viti. Kjo shifër është për 20% më e vogël se ajo e para katër vjetëve.

Shkaqet e një rënieje të tillë varen nga ajo se me cilin votues të ri bisedoni.

Xhejk Merill, është student 24 vjeçar nga Uashingtoni. Ai thotë se më pak njerëz bartin fanela me slogane politike.

Definitivisht mund të them, në kompleks nuk është entuziazëm si më parë. Më pak njerëz bartin fanela me slogane politike, më pak njerëz flasin në këtë temë. Më duket se ka shumë më tepër njerëz që janë të ngopur me këtë çështje në përgjithësi, që është pikëlluese, por më duket e arsyeshme”, thotë studenti Xhejk Merill, duke theksuar se në vitin 2008 ka votuar për Barak Obamën dhe përsëri do të votojë për të.

Filip Nasif, 27 vjeçar, po ashtu thotë se edhe kësaj radhe do të votojë për Obamën.

Mendoj se njerëzit janë të pakënaqur më tepër me sistemin tonë politik se sa me presidentin, prandaj rejtingu i tij i përshtatshmërisë për t’u zgjedhur është ende i lartë. Ajo që ai ka bërë në zyre ishte shumë e mirë, por mendoj se sistemi politik, Kongresi, një lloj i paralizimit në Uashington, është ajo çfarë janë realisht njerëzit. Jam i lodhur nga kjo”, thotë votuesi Nasif.

Njëzetekatër vjeçarja Kejt Leisner, aktualisht e diplomuar në universitet, që kërkon punë, po ashtu, për të dytën herë do të votojë për Obamën, por thotë se e di se shumë të rinj, sikur edhe ajo, ndjejnë se ishin lënë anash nga presidenti.

Absolutisht. Mendoj se shumë njerëz janë pak të zhgënjyer me Barak Obamën, njerëzit që realisht ishin të nxehur të votonin për të, janë pak më tepër të pakënaqur. Mendoj se ata, prapë se prapë, do të votojnë për të, por janë pak më hezitues. Mendoj se shumë njerëz përsëri do të votojnë për të, njerëzit që votuan për atë herën e parë, por me gjasë do të ketë njerëz që përmbahen, pasi ata më nuk e kanë atë pasion”, thotë Kejt Leisner.

Sirina Uajt, 23 vjeçe, thotë se ajo dhe shokët e saj janë më pak të entuziazmuar këtë vit me njeriun i cili e fitoi Shtëpinë e Bardhë, me premtimin për “Shpresë dhe ndryshim” në Amerikë.

Por, ajo nuk është e kënaqur as me Mit Romnin, për të cilin ajo planifikon të votojë.

Kam shumë miq konservatorë dhe ekziston shumë zemërim, veçanërisht për çështjet e kujdesit shëndetësor, pastaj me shkeljet e tyre në liritë fetare. Prandaj, vota ime është më tepër ndjenjë kundër Obamës”, tha Sirina Uajt.

Pra, shihet se me gjithë zbehjen, të rinjtë në Shtetet e Bashkuara ende në mënyrë të fuqishme e mbështesin Obamën, në krahasim me Romnin, dhe raporti i hulumtimit të opinionit është 64:29%. (f. b.)
XS
SM
MD
LG