Ndërlidhjet

logo-print

Bruksel: Eshton dhe Thaçi biseduan për dialogun


Kethrin Eshton dhe Hashim Thaçi në takimin e sotëm në Bruksel

Kethrin Eshton dhe Hashim Thaçi në takimin e sotëm në Bruksel

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kethrin Eshton, dhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, sot në Bruksel “e kanë shqyrtuar domosdoshmërinë e vazhdimit të dialogut ndërmjet Prishtinës e Beogradit”.

Mëtutje, siç ka njoftuar zëdhënësja Maja Kocijançiq, zonja Eshton “ka theksuar se këto bisedime duhet të ripërtrihen sa më parë që të jetë e mundshme, atëherë kur në Beograd ta filloj punën qeveria e re”.

Sipas saj, Eshton ka “theksuar rëndësinë që të dy palët në tërësi t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog”.

Kethrin Eshton ka “shfaqur kënaqësi për ripërtritjen e mandatit të misionit EULEKS” dhe ka theksuar se ky mision është pjesë përbërëse e rëndësishme e angazhimit të Bashkimit Evropian në Kosovë.

Zëdhënësja Kocijançiq tha se takimi Eshton – Thaçi në Bruksle është bërë “në kuadër të shkëmbimit të rregullt të mendimeve për përparimin e Kosovës dhe realizimin e programit evropian” të Kosovës.

Kethrin Eshton dhe Hashim Thaçi “kanë vlerësuar se përparimi në këtë vit ishte shumë i rëndësishëm dhe janë marrë vesh që të vazhdojnë për së afërti bashkëpunimin në shtytjen e mëtejshme të perspektivës evropiane për Kosovën”.

Pas takimit, Eshton dhe Thaçi nuk kanë dhënë deklarata para gazetarëve.
XS
SM
MD
LG