Ndërlidhjet

Largimi i diplomatëve sirianë


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi
Shtetet e Bashkuara kanë konfirmuar dezertimin e dy diplomatëve të tjerë të Sirisë, në periudhën e intensifikimit të përleshjeve ndërmjet forcave të qeverisë dhe kryengritësve në qytetin Alepo.

Përfaqësuesit e Sirisë në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe në Qipro, që janë çift bashkëshortor, raportohet se janë larguar në Katar.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Xhej Karni, tha se kjo lëvizje tregon se zyrtarët e lartë po largohen nga qeveria për shkak se është e qartë se ditët e presidentit Bashar al-Asad janë “të numëruara”.

Rrjeti televiziv Al – Xhazira ka raportuar se edhe atasheu ushtarak në Ambasadën e Sirisë në Oman ka dezertuar.

Më herët këtë muaj, ambasadori sirian në Irak, Naval Fares, ishte larguar dhe kishte ikur në Katar.

Njëherësh, forcat e regjimit me trupa dhe me tanke janë nisur në drejtim të qytetit Alepo, që thuhet se ishte nën kontrollin e kryengritësve.

Në Alepo janë dërguar edhe përforcime dhe prej 21 korrikut ka luftime në rrugë ndërmjet forcave qeveritare dhe kryengritësve.

Alepo është qyteti i dytë më i madh në Siri dhe qendër e njohur komerciale.

Alepo, 24 korrik
Alepo, 24 korrik

Ka raporte se disa lagje kryengritëse në këtë qytet janë sulmuar me të shtëna artilerike, me mortaja dhe të shtëna nga helikopterët.

Këto përleshje i kanë ripërtrirë shqetësimet rajonale, duke nxitur Turqinë të ashpërsojë kontrollet e kufirit me Sirinë, por mendohet se vendkalimet do të jenë të hapura për refugjatë.

Ministri i jashtëm i Turqisë, Ahmet Davutogllu, tha se Ankaraja vazhdon të qëndrojë me popullin sisiran.

“Çdokush vlerësohet sipas zgjedhjes së tij. Nëse ai zgjedh ta sulmoj popullin e tij duke e drejtuar ushtrinë kundër popullit, duke e sulmuar me artileri dhe tanke, që ka rezultuar me 20 mijë vëllezër tanë të vrarë, në vend që të bashkohet me ta, ekziston vetëm një rrugë për ne. Ne qëndrojmë pranë vëllezërve tanë të shtypur sirianë dhe ne do të qëndrojmë me ta”, tha Davutogllu në Ankara.

Nga ana tjetër, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-mun, që aktualisht gjendet në përfundim të turneut të tij ballkanik, ka kërkuar nga bota që “të veproëj tash për ta ndalur mizorinë”, por anëtarët e Këshillit të Sigurimit të mërkurën vonë kanë këmbyer akuza të ashpra të fajësisë.

Peter Vitig
Peter Vitig

Ambasadori i Gjermanisë në OKB, Peter Vitig, tha se populli i Sirisë do ta paguajë çmimin për dështimin e Këshillit të Sigurimit për të vepruar.

“Autoritetet e Asadit nuk kanë dërguar vetëm armatim të rëndë dhe helikopterë kundër popullit të vet. Para disa ditësh ata shkuan edhe mëtutje dhe bashkësisë ndërkombëtare iu kërcënuan me përdorim të armatimit kimik dhe biologjik. Ky është kërcënim i pamëshirshëm dhe jonjerëzor”, tha ambasadori gjerman Vitig.

Ambasadori rus në OKB, Vitali Çurkin, tha se përkushtimet e disa vendeve për të ndërmarrë hapa për mbështetjen e opozitës në Siri jashtë Këshillit të Sigurimit “çojnë në përshkallëzim të konfrontimit”.

Damasku ka thënë se nuk do ta përdorë armatimin kimik në konfliktin kundër kryengritësve, por se ky armatim mund të përdoret kundër intervenimit të ndonjë force të jashtme.

Rusia ka njoftuar si i ka thënë qeverisë së Sirisë se është i papranueshëm kërcënimi me përdorim të armatimit kimik. (f. b.)
XS
SM
MD
LG