Ndërlidhjet

Kreditorët ndërkombëtarë diskutojnë për Greqinë


Athinë

Athinë

Inspektorët ndërkombëtarë kanë nisur të enjten në Athinë një raund të ri bisedimesh me zyrtarët grekë, në lidhje me masat e kursimit.

Ekipi inspektues, i përbërë nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Qendrore Evropiane, do të verifikojë nëse Greqia ka zbatuar shkurtime të mjaftueshme për të marrë këstin e ardhshëm të ndihmës emergjente.

Greqia duhet të zbatojë një sërë masash të rrepta shtrënguese si kusht për marrjen e ndihmave, si dhe për të parandaluar falimentimin dhe daljen e mundshme nga euroja.

Sipas mediave greke, për të përmbushur objektivat që kërkohen nga kreditorët ndërkombëtarë, Athina, pos tjerash, pritet të propozojë shkurtime në kujdesin shëndetësor në vlerë prej 2.8 miliardë eurosh.

Po sot, presidenti i Komisionit Evropian, Hoze Manuel Baroso, pritet të zhvillojë bisedime me udhëheqësit në Athinë.

Kjo është vizita e parë e Barosos në këtë vend që nga mesi i vitit 2009, kur edhe ka shpërthyer kriza financiare e Greqisë.
XS
SM
MD
LG