Ndërlidhjet

Qiproja, optimiste për Serbinë


Ilustrim
Ilustrim
Presidenca qipriote e Bashkimit Evropian pret që Serbia të nisë shumë shpejt negociatat për anëtarësim në BE, ka deklaruar ambasadorja e Qipros në Serbi, Nafsika Krusti.

“Realizimi i këtij qëllimi ambicioz kryesisht varet nga vetë Serbia dhe përparimi që do të bëjë në përmbushjen e kushteve që ka vënë BE-ja në dhjetor të vitit të kaluar”, ka thënë ajo për mediat serbe.

Po sipas saj, presidenti i ri i Serbisë, Tomisllav Nikolliq, ka dërguar sinjale “inkurajuese” sa i përket angazhimit për integrime evropiane dhe për dialogun Beograd-Prishtinë.

“Në raport me Kosovën, Qiproja do të kryejë në mënyrë të paanshme detyrat e presidencës (së BE-së), duke marrë në konsideratë qëndrimet e të 27 vendeve anëtare, pa marrë parasysh nëse e kanë njohur ose jo Kosovën, por duke mos dëmtuar pozicionin tonë për mosnjohjen e Kosovës”, ka thënë Krusti.

Qiproja së bashku me Greqinë, Spanjën, Sllovakinë dhe Rumaninë, janë pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur ende shtetësinë e Kosovës.

Shteti qipriot ka marrë presidencën gjashtëmujore të BE-së më 1 korrik.
XS
SM
MD
LG