Ndërlidhjet

Sinjalet e dërguara nga Bashkimi Evropian, pas takimit të shefes për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Kethrin Eshton, dhe kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, flasin se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të rifillojë së shpejti, vlerësojnë njohësit e rrethanave politike në Kosovë.

Ndryshe, siç ka njoftuar zëdhënësja e baroneshës Eshton, Maja Kocijançiq, pas takimit me kryeministrin Thaçi, Eshton “ka theksuar se këto bisedime duhet të ripërtërihen sa më parë që të jetë e mundshme, atëherë kur në Beograd të fillojë punën qeveria e re”.



Në anën tjetër, kohë më parë, kryeministri Thaçi, pati deklaruar se Kosova nuk do ta rinisë dialogun me Serbinë, nëse kjo e fundit nuk i zbaton marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun teknik.

Por, Shenoll Muharremi, analist i çështjeve politike dhe njohës i rrethanave integruese, vlerëson se duke pasur parasysh faktin se Bashkimi Evropian dhe veçanërisht baronesha Eshton kanë investuar shumë në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, presioni ndaj Qeverisë së Kosovës nuk do të mungojë për vazhdimin e dialogut.

Shenoll Muharremi

Shenoll Muharremi

“Unë mendoj që Republika e Kosovës dhe liderët e saj nuk kanë as kredibilitet politik, por as Kosova, si shtet, nuk është aq e fuqishme për t’i vënë kushte Bashkimit Evropian, apo ndonjë shteti tjetër në marrëdhëniet ndërkombëtare, që nuk hyjmë apo hyjmë në dialog”.

“Mos harroni që në tetor ka për t’u publikuar Studimi i Fiibilitetit, ku ka për ta përcaktuar rrugëtimin e Kosovës në agjendën evropiane. Mos harroni që ne jemi duke dialoguar për liberalizim të vizave dhe mos harroni që Kosova është vendi i fundit në rajon, sa i përket procesit të integrimeve. Andaj, nuk shoh se si ka mundësi kryeministri i Kosovës që të këmbëngulë se nuk do të futet në dialog”
, thotë Muharremi.

Mendim të ngjashëm shpreh edhe analisti i çështjeve politike, Shpend Kursani nga Instituti për Kërkim dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED). Kursani shpreh mendimin se kryeministri Thaçi dhe Qeveria e Kosovës do të lëshojnë pe para presionit të Bashkimit Evropian dhe do ta rinisin dialogun me Serbinë dhe temë kryesore do të jetë veriu i Kosovës.

“Kryeministri i Kosovës gjithmonë u është nënshtruar presioneve. Tash, sa i përket veriut të Kosovës, edhe pse kryeministri thotë se nuk do t’u nënshtrohet këtyre presioneve dhe nuk do të bisedojë me Serbinë, sa i përket veriut, është vështirë të besohet, pasi që të njëjtën gjë kryeministri e ka bërë edhe për fusnotën, për të cilën pati thënë se nuk do ta pranonte”.

“Po ashtu, pati thënë se nuk do të pranojë që zgjedhjet e Serbisë të mbahen në Kosovë... dhe i ka pranuar. Kështu që presioni për veriun dhe shumë rrethana të tjera që janë krijuar,si për shembull: përmbyllja e pavarësisë së Kosovës, bashkë me këtë presion, do ta fusë kryeministrin e Kosovës në biseda me Serbinë, për veriun”
, pohon Kursani.

Ndryshe, ngritja e dialogut teknik në formatin politik, ndonëse edhe ai i deritashmi kishte primesa politike, sipas analistit Muharremi, do të ishte krejtësisht normal, nëse Serbia do ta kishte ndryshuar qasjen ndaj Kosovës. Por, siç thotë ai, duke marrë parasysh se kjo qasje nuk ka ndryshuar dhe duke marrë parasysh të kaluarën e liderëve aktualë serbë, Kosova duhet t’i qaset dialogut eventual me shumë kujdes.

“Pikë së pari, le të kthehemi pak te kërkesat e zonjës Merkel (kancelares gjermane) që i ka bërë vitin e kaluar. Njëra prej tyre është largimi i strukturave paralele, të financuara nga Qeveria e Serbisë në Kosovë, të cilat e sabotojnë zhvillimin e vetë Kosovës”.

“Andaj, këto janë çështje të ndjeshme dhe dialogu politik duhet t’i ketë disa parakushte, në mënyrë që ne të bindemi se Serbia dëshiron ta ndryshojë qasjen e saj ndaj Kosovës. Por, fatkeqësisht, deri tash nuk kemi pasur sinjale të tilla dhe po shihet një vazhdimësi e politikës së rëndë ndaj Kosovës, e cila nuk është në interes të qytetarëve të Kosovës, qofshin ata qytetarë shqiptarë apo serbë”,
thekson Muharremi.

Por, analisti Kursani vlerëson se Kosova duhet të bëjë çmos që t’i shmanget temës së veriut të vendit në dialogun eventual me Serbinë, i cili, sipas tij, mund të fillojë në shtator të këtij viti.
...presioni ndërkombëtar që ushtrohet ndaj Qeverisë së Kosovës për veriun, është vetëm një opsion më i lehtë i komunitetit ndërkombëtar për ta zgjidhur çështjen e veriut, por nuk është i vetmi.

“Absolutisht, nuk ka nevojë të bisedojë Kosova me Serbinë sa i përket veriut të Kosovës, sepse ky i fundit mund të integrohet edhe pa biseda me Serbinë. Ndërkaq, presioni ndërkombëtar që ushtrohet ndaj Qeverisë së Kosovës për veriun, është vetëm një opsion më i lehtë i komunitetit ndërkombëtar për ta zgjidhur çështjen e veriut, por nuk është i vetmi. Komuniteti ndërkombëtar, në fakt, duhet t’i bëjë presion Serbisë, për t’i hequr strukturat paralele në veri dhe Kosova t’i kryejë ‘detyrat e shtëpisë’, të bëjë gjithçka për popullatën në veri që ta integrojë dhe ta bindë se kjo është e vetmja zgjidhje”, vlerëson Kursani.

Dialogu i ndërmjetësuar nga Brukseli ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pati nisur në mars të vitit të kaluar për të rezultuar, deri më tash, me shtatë marrëveshje brenda nëntë raundeve të diskutimeve.

Marrëveshjet janë arritur për vulat doganore, për librat e amzës, për librat e kadastrës, për njohjen e diplomave universitare, për Administrimin e Integruar të Kufijve (IBM), për përfaqësimin e Kosovës në nismat dhe tubimet rajonale, si dhe për lëvizjen e lirë.

Deri më tash, Qeveria e Kosovës në vazhdimësi ka ripërsëritur se Serbia nuk i ka zbatuar marrëveshjet e arritura ose disa prej tyre i ka zbatuar pjesërisht.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG