Ndërlidhjet

logo-print

Maqedoni: Çimentoja nxit reciprocitet


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Qeveria e Maqedonisë, në mbledhjen e së martës, ka miratuar një vendim lidhur me rritjen e tarifave doganore për disa mallra kosovare, respektivisht për ujin, 40 % dhe gypat e salduar për 15%.

Ky vendim merret si masë reciprociteti ndaj Kosovës për rritjen e doganës për çimento prej 35%, bëri të ditur zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë, Muhamet Hoxha.

Ai theksoi se autoritetet kosovare për më shumë se një javë para se të merret vendimi, janë informuar duke u ftuar të heqin masën e ndalesës për çimenton.

Hoxha, duke komentuar vendimin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, se nga 1 gushti shfuqizohet vendimi për aplikimin e tarifës doganore për importin e çimentos thotë:

Qëndrimi i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë është që pasi kompanitë nga Maqedonia të fillojnë të importojnë në Kosovë çimenton, atëherë edhe Qeveria e Republikës së Maqedonisë do të shfuqizojë vendimin për masat e reciprocitetit për dy produkte".

"Pra, për ujin e paketuar, që duhet theksuar se importi vjetor arin vlerën prej 1.7 milionë dollarë, si dhe për gypat e hekurt të salduar që importi arin vlerën 2 milionë dollarë, gjersa eksporti i çimentos nga Maqedonia në Kosovë arrin vlerën prej 24 milionë dollarë në vit
”, theksoi Muhamet Hoxha.

Ai shtoi se Kosova edhe më tej mbetet për Maqedoninë partneri më i rëndësishëm në planin ekonomik.

Ne edhe më tej do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me Republikën e Kosovës, duke pasur parasysh faktin se Kosova është partner shumë i rëndësishëm ekonomik i Maqedonisë, dhe do të angazhohemi që ky bashkëpunim dhe partneritet i mirë të vazhdojë edhe në të ardhmen”, tha Hoxha.

Nga ana tjetër Mirce Cekrexhi, kryetar i Lidhjes së Odave Ekonomike të Maqedonisë, tha se të gjitha ndalesat që i aplikon Qeveria e Maqedonisë dhe ajo e Kosovës në kurriz të tregtisë së lirë mes dy vendeve fqinje, dëmton zhvillimin ekonomik të të dy vendeve.

Ne si lidhje e Odave Ekonomike të Maqedonisë sugjerojmë të mos miratohen kurrfarë ndalesash. Biznesi vetvetiu gjen rrjedhën e zhvillimit të biznesit, andaj duke pasur parasysh se të ty vendet, Maqedonia dhe Kosova, paraqesin tregje të vogla dhe kanë nevojë për lehtësim të bashkëpunimit dhe jo ndalesa të çfarëdollojshme qofshin ato”, theksoi Cekrexhi.

Ai gjithashtu ka përshëndetur vendimin e Qeverisë së Kosovës për përfundimin e masave mbrojtëse në import të çimentos, i cili duhet të hyjë në fuqi më 1 gusht dhe largon plotësisht taksën prej 35% të aplikuar gjatë periudhës së masave të përkohshme.
XS
SM
MD
LG