Ndërlidhjet

Lavrov: Kombet e Bashkuara, ende me mandat në Kosovë


Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.
Ministri në largim i Punëve të Jashtme të Serbisë, Vuk Jeremiq, dhe shefi i diplomacisë ruse, Sergej Lavrov, kanë konfirmuar sot në Moskë “afërsinë ndërmjet dy vendeve”.

Jeremiq dhe Lavrov janë pajtuar se çështjet dhe krizat ndërkombëtare, përfshirë edhe çështjen e Kosovës, "mund të zgjidhen vetëm në bazë të së drejtës ndërkombëtare", ndërkohë që hapat e dhunshëm, sipas tyre, janë të papranueshëm.

Jeremiq, i cili është zgjedhur president i Asamblesë Kombëtare të Kombeve të Bashkuara, ka thënë se Serbia ka kundërshtuar ashpër “përpjejkjet për ndarje dhe ndryshumet e njëanshme të kufijve të saj” dhe se për një gjë të tillë ka pasur gjithmonë mbështetjen parimore të Rusisë.

Duke theksuar se “çështja e pazgjidhur e Kosovës paraqet sfidën më të madhe të sigurisë për Ballkanin Perëndimor”, Jeremiq ka thënë se Rezoluta 1244 e Kombeve të Bashkuara është baza e vetme për arritjen e zgjidhjes.

Me një gjë të tillë, siç raportojnë mediat serbe, është pajtuar edhe Lavrov, i cili ka thënë se në këtë proces kanë rol edhe Kombet e Bashkuara.

“Karta e OKB-së dhe Rezoluta 1244 paraqesin bazën e vetme ndërkombëtare për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Nuk ka rrugë tjetër pos dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Kombet e Bashkuara në Kosovë kanë mandatin e tyre dhe duhet ta përmbushin”, ka thënë Lavrov.
XS
SM
MD
LG