Ndërlidhjet

Lojërat Olimpike: Londra gati

  • RFE /RL

Ceremonia e hapjes së Lojërave Olimpike Verore 2012 në Londër fillon sot në orën 22 sipas kohës së Evropës së Mesme.

Pritet që në stadiumin olimpik në Londër do të jenë 80 mijë shikues, ndërsa në televizion këtë spektakël tre orësh do ta shijojnë afro një miliard shikues në mbarë botën.

Zyrtarët e lartë britanikë dhe ata të Londrës thonë se çdo gjë është gati për Lojërat Olimpike Verore 2012.

Simboli i Lojërave Olimpike, Flaka Olimpike, e vazhdon rrugën e saj nëpër Londër përgjatë lumit Temza, ku arriti pas 70 ditësh të marshimit nëpër shumë qytet të botës. Tash flaka do të vendoset në pishtarin grandioz, ku do të jetë e ndezur për 16 ditët e zgjatjes së Lojërave Olimpike.

Tash për tash mbetet sekret se kush do të jetë ai sportist që do ta ketë nderin ta ndezë pishtarin e madh olimpik.

Në olimpiadë marrin pjesë më se 10 mijë sportistë nga 204 vende, që synojnë fitimin e medaljeve të arta, të bronzta dhe të argjendta.

Për sportistët medalja olimpike është pothuajse e shenjtë, pasi olimpiada mbahen për çdo katër vite dhe paraqet sukses jetësor për sportistin apo sportisten që fiton medale.

Kryeministri britanik, Dejvid Kamerun, tha se çdo gjë është gati për këtë manifestim të madh të sportit.

Britania është e gatshme ta mirëpres shoun më të madh në tokë dhe këto do të jenë pak javë të jashtëzakonshme për vendin tonë. Mendoj se është mundësi e madhe për t’i treguar botës atë më të mirën në Britani, vend që e ka një të kaluar jashtëzakonisht të pasur, por tash e ka një të ardhme entuziaste dhe të gjallë”, tha Dejvid Kamerun, para gazetarëve në Londër.

Nga ana tjetër, prefekti i qytetit të Londrës, Boris Xhonson, duke folur në televizionin kinez CCTV, tha se Londra është e gatshme të jetë mikpritëse e ngjarjes më të madhe sportive në histori.

Ne jemi më të gatshëm se çdo qytet ndonjëherë në histori të Lojërave Olimpike dhe ne jemi krenarë për atë që po e bëjmë. Por, është e qartë se ju nuk mund të keni vetëkënaqësi. Ju asnjëherë nuk mund të keni besim të tepërt për diçka si kjo, por ne mendojmë se ne jemi në një situatë shumë të mirë”, tha Boris Xhonson.

Ai ka theksuar se përgatitjet e jashtëzakonshme të sigurisë do të mundësojnë gara të qeta për shikuesit dhe sportistët.

Nëse ju shkoni përreth dhe bisedoni me njerëz që po i udhëheqin ngjarjet, ata janë të sigurt, ekipet po punojnë mirë, ju e keni një përzierje të personelit të armatosur dhe të pjesëtarëve të sigurisë dhe ata të gjithë janë shumë të lumtur që po e bëjnë këtë punë”, tha Boris Xhonson.

Megjithëqë, ceremonia e hapjes nuk ka filluar ende, garat sportive tashmë po zhvillohen në futbollin e meshkujv dhe të femrave.

Në ndeshjet e së enjtes, Japonia e befasoi Spanjën duke e mundur me rezultat 1:0, në takimin që u zhvillua në Glazgou të Skocisë.

Megjithëqë, në olimpiadë mund të luajnë vetëm futbollistët më të rinjë se 23 vjeç, Spanja, që është kampione botërore dhe evropiane, është konsideruar favoriti kryesor në turneun e futbollit.

Në ceremoninë e hapjes do të bie këmbana më e madhe në Evropë, që do ta simbolizoj fillimin e ceremonisë së hapjes.

Mbretëresha dhe Princi Filip në Pallatin e Bakingemit organizojnë pritje për shefat e shteteve dhe të qeverive të shumë vendeve të botës, ndërsa një koncert festiv mbahet në Hajd Park. (f. b.)
XS
SM
MD
LG