Ndërlidhjet

Serbia zgjedh qeverinë e re


Ivica Daçiq
Ivica Daçiq
Kuvendi i Serbisë ka zgjedhur të premten Qeverinë e re, e cila në katër vjetët e ardhshëm do të udhëhiqet nga socialisti Ivica Daçiq. Në favor të përbërjes së re qeveritare kanë votuar 142 deputetë, ndërsa kundër kanë qenë 72 dhe 26 të tjerë kanë munguar.

Kryetari i Kuvendit, Nebojsha Stefanoviq, ka shpallur formimin e qeverisë.

“Pasi për kryetarin dhe anëtarët e qeverisë kanë votuar 142 deputetë, çfarë paraqet shumicën, konstatoj se Kuvendi popullor ka zgjedhur qeverinë në përbërjen e propozuar. Më lejoni që në emrin tuaj dhe timin të uroj kryetarin dhe ministrat e qeverisë për këtë zgjedhje”, ka thënë Stefanoviq.

Qeveria e re ka 17 ministri dhe 19 anëtarë, ndërsa për kryerjen e punëve të rëndësishme që kanë të bëjnë me Kosovën, të drejtat e njeriut dhe të pakicave, kishën dhe bashkësitë fetare, ashtu si edhe diasporën, është thënë se do të formohen shërbime të posaçme.

Daçiq, përveç postit të kryeministrit, mban edhe atë të ministrit të Punëve të Brendshme, ndërsa në koalicion marrin pjesë Partia Përparimtare e Serbisë, Partia Socialiste e Serbisë dhe disa subjekte më të vogla politike.

Mandati i Qeverisë së re ka nisur pasi ministrat kanë dhënë betimin, në të cilin thuhet:

“Betohem për besnikëri ndaj Republikës së Serbisë dhe me nderin tim zotohem se do të respektoj Kushtetutën dhe ligjin, se detyrimin e anëtarit të Qeverisë do ta kryej me ndërgjegje, përgjegjësi dhe përkushtim dhe se do të angazhohem për ruajtjen e Kosovës brenda Republikës së Serbisë”.

Në prezantimin e tij para Kuvendit, Daçiq ka premtuar se do të përshpejtohet integrimi evropian i Serbisë, se prioritet i ekzekutivit të ri do të jetë rimëkëmbja ekonomike e vendit dhe se Serbia nuk do të njohë Kosovën, porse “do të zbatojë marrëveshjet e arritura në dialog me Prishtinën”.

Ai ka thënë se Serbia do të orientohet kah e ardhmja dhe jo e kaluara dhe se mbështet pajtimin në rajon, marrëdhëniet më të mira me fqinjët, respektimin e Marrëveshjes së Dejtonit dhe forcimin e marrëdhënieve me Republikën Serbe.

Serbia ka formuar qeverinë e re më shumë se dy muaj pas zgjedhjeve republikane, të mbajtura më 6 maj, dhe një muaj pasi lideri socialist, Ivica Daçiq, ka fituar mandatin nga presidenti Tomisllav Nikolliq.

Qeveria e Daçiqit është e 12-ta me radhë që nga viti 1990, kur në Serbi ka hyrë në fuqi sistemi shumëpartiak.

Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka thënë se do të bashkëpunojë me Qeverinë e re të Serbisë dhe do të bëjë përpjekje për të zgjeruar më të tej bashkëpunimin.

Ambasadorja e SHBA-së në Beograd, Meri Uorllik, ka shprehur besimin se autoritetet serbe do të veprojnë si një ekip i bashkuar për përmirësimin e marrëdhënieve rajonale, përparimin e dialogut me Prishtinën dhe forcimin e institucioneve”.
XS
SM
MD
LG