Ndërlidhjet

WSJ: Vendim kundër besimit hebre dhe islam


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

“The Wall Street Journal”

Shkruan: Jozef Jofe, redaktor në Die Zeit dhe zyrtar i lartë në Institutin për Studime Ndërkombëtare dhe Institutin Hoover-që të dyja pjesë e Universitetit Stanford.



Një gjykatë në Këlln ka vendosur që bërja synet e një djali parqet një “dëmtim trupor” dhe se është e ndaluar për këtë arsye. Përderisa nuk ndërhyn Bundestagu gjerman, gjë që është zotuar se do ta bëjë, rreth katër milionë myslimanëve dhe 100 mijë hebrejëve do t’u duhet ta praktikojnë një nga pjesët kryesore të fesë së tyre në katakombat e Berlinit, Frankfurtit dhe Mynhenit.

I tërë faji qëndron tek Zoti. “Kjo është marrëveshja ime të cilës duhet t’i përmbaheni dhe ta zbatoni. Secili fëmijë mashkull në mesin e juaj duhet të bëhet synet”, porosit ai në pjesën 17:10 të biblës së parë hebrenje. Krimineli origjinal ishte Abrahami, i cili e pat bërë vetën synet pa mjete sterile e pa anestezion.

Të njëjtin veprim e zbatoi pastaj tek i biri Isaku në ditën e tetë pas lindjes së tij diku katër mijë vite më parë.

Jemi duke folur për disa milimetra lëkurë, por jo për gjymtimin femëror. Por, nëse i besoni gjykatësit në Këlln dhe korit mbështetës prapa tij, atëherë ky është një “ritual barbar” siç e ka cilësuar edhe ombudspersoni për të drejtat e fëmijëve i Social-Demokratëve.

Matias Franc, një psikiatër në Universitetin e Dyzeldorfit, shpreh keqardhje për “lëndimet e rënda gjenitale që shkaktojnë pasoja psiçike dhe seksuale”.

Tregojani këtë mbi gjashtë milionë meshkujve hebrenj, një gjysmë miliardi meshkujve myslimanë dhe mbi tri të katërtës së meshkujve amerikanë.

Gjykatësi në Këlln vendosi që “integriteti psikik” i një djali qëndron mbi ritualin fetar. Përveç kësaj: Vullneti i foshnjës mbizotërohet nga ai i prindërve. Andaj, duhet të ndërhyjë shteti, pavarësisht të drejtave të prindërve ose besimit.

Nëse prindërit e këtij autori nuk do të kishin vdekur, ai do t’i padiste me gjithë dëshirë për heqjen e padëshirueshme të bajameve në moshën pesë vjeçare, meqë tani e di se ato inde voluminoze, janë mbrojtësit e parë të trupit ndaj patogjeneve.

Ai gjithashtu do t’i padiste për numrin e madh të vaksinave të padëshirueshme dhe efektet e tyre pasuese.

Por, çfarë për nënat e futbollistëve që i dërgojnë të bijtë e tyre për sakatim në fushë? Ose, çfarë për të gjithë prindërit ambicioz që rrezikojnë jetën e fëmijëve të tyre në skijim, kalërim apo sporte të tjera?

Ky debat, megjithatë, nuk ka të bëjë me fakte apo besime, siç dëshmojnë qindra letrat që i janë dërguar redaktorit. Një “ekspert” më thotë se praktika amerikane nuk ka të bëjë asgjë me shëndetin.

Qëllimi ishte “anti-epshor” për t’u pamundësuar djemëve “masturbimin”. Një tjetër i futi synetitë në të njëjtën kategori me sterilizimet e nazistëve dhe abortimet e detyrueshme në Kinë. Kjo nuk është qesharake, por paraqet një urrejtje serioze ndaj gjërave amerikane, hebrenje dhe myslimane.

Nëse e lëmë anash frikën dhe urrejtjen, përfundojmë me kokëdhemjen më të madhe nga të gjitha: shteti kundër një kishe në një Evropë që është duke u de-kristianizuar. Sa më e ngushtë që është lidhja ndërmjet fronit dhe altarit, si në Gjermani dhe në Evropën protestante, aq më shumë kontroll i atribuon shteti vetës.

Në Gjermani, e cila e zbuloi “cuius regio, eius religio” (besimi i sundimtarit përcakton besimin e subjekteve të tij), qeveria është ajo që mbledh të dhjetën e kishës, mandaton instruksionet fetare në shkollat publike dhe vendos se cilat kisha mund “të themelohen” (protestante, katolike, hebreje por jo edhe mormone apo baptiste).

“Muri i ndarjes” i Tomës Xhefersonit i justifikuar nga “feja si çështje që qëndron vetëm ndërmjet njeriut dhe Zotit”, gjithmonë ka qenë një gardh i ulët në Evropë. Me rritjen e sekularizmit, u rrit dhe shtrirja e shtetit si kamxhik i besëtytnive dhe paarsyeshmërisë. Por, gjykatësi në Këlln nuk është i vetmi; 45 për qind e gjermanëve mendojnë se ai ka të drejtë.

Ironia e gjithë kësaj është se shteti, siç përfaqësohet nga legjislatura, duhet ta zhbëjë vendimin e gjykatësit. Fuqia e përkohshme si shpëtues i besimit nuk është bash ëndrra e një liberali, por nuk është as “muri i ndarjes” që ndan tani hebrejtë dhe myslimanët nga e pjesa tjetër e botës.(e.p.)
XS
SM
MD
LG