Ndërlidhjet

logo-print

(S')ka kushte për investime nga diaspora


Ilustrim

Ilustrim

Zyrtarë të ekzekutivit të vendit, përmes manifestimit tradicional, “Ditët e Diasporës në Kosovë 2012”, vazhdojnë të ftojnë mërgatën që të investojnë në Kosovës, pasi sipas tyre, investimet konkrete të diasporës janë shumë të rëndësishme për vendin.

Por, përveç thirrjes, autoritet kompetente janë duke krijuar lehtësira në të bërit biznes për diasporën kosovare.

Zëvendëskryeministrja, njëherazi ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari Lila, tha se në bashkëpunim me Ministrinë e Diasporës, kanë krijuar projekte të shumta, të cilat kanë për synim rritjen e vëmendjes së bashkatdhetarëve që të investojnë në sektorin privat në vend.

Megjithatë, Kusari Lila tha se deri më tani 30 për qind e investimeve direkt në Kosovë, kanë ardhur nga diaspora.

Ndërkaq, sipas saj, konsiderohet se 2.5 milionë euro është shuma që kursejnë brenda një viti në bankat evropiane, qytetarët kosovarë që jetojnë dhe veprojnë jashtë vendit.

Është shumë e rëndësishme të thuhet se 30 për qind e investimeve të huaja direkt në Kosovë vijnë nga diaspora. Dhe këto investime kanë hyrë në Kosovë përmes procesit të privatizimit, apo si investime të drejtpërdrejta në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, ku të punësuar janë kryesisht familjarët e përfaqësuesve të cilët jetojnë jashtë Kosovës. Numri i të punësuarve në këto ndërmarrje sillet nga 5 deri në 10 persona”, tha Kusari Lila.

Në anën tjetër, përfaqësues të partive opozitare në vend, vlerësojnë se partitë në pushtet nuk kanë hartuar politika të favorshme për investitorët potencialë nga diaspora.

Hikmete Bajrami, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, thotë se derisa qeveria nuk lufton korrupsionin është e vështirë të bindet se investimet janë të sigurta në vend.

Mendoj se kjo do të marrë kohë, pasi shoqëria kosovare, konkretisht qeveria, para se gjithash duhet të luftojë korrupsionin. Në një vend ku percepcioni për korrupsionin është shumë i lartë, e sidomos percepcioni për korrupsionin në mesin e bashkatdhetarëve është dyfish më i lartë se sa paragjykimet në mesin e pjesëtarëve të shoqërisë sonë”, u shpreh Bajrami.

Burim Ramadani, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se qeveria ka neglizhuar dhe injoruar mërgatën kosovare që jetojnë në perëndim.

Nuk ka pasur as trajtim të mirë të mërgatës në nivelin institucional, politik po ashtu edhe në nivelin shoqëror. Ajo çka po shohim, janë vetëm lojë fjalësh, efektet konkrete kanë munguar, mungojnë dhe shihet çartë se kjo qeveri nuk ka strategji se si tërheq investimet nga mërgata jonë”, theksoi Ramadani.

Edhe zyrtarë të subjektit tjetër opozitar Vetëvendosje, konsiderojnë se ekzekutivi nuk ka trajtuar në nivel të duhur mërgatën kosovare në aspektin investues.

Daradan Molliqaj, nga kjo lëvizje, tha qeveria deri më tani ka injoruar bashkatdhetarët kosovarë, ndërkaq tashmë, kur ekzekutivi ka mungesë të mjeteve buxhetore, bënë thirrje mërgatës që të investojnë:

Nuk ka krijuar asnjë favorizim për ta, e në anën tjetër është e interesuar që t’ia marrë paratë, në kohën kur Qeveria e Kosovës ka probleme financiare dhe të investimeve të huaja. Pa pasur lehtësime tatimore, bankare dhe administrative nuk mund të thuhet që është krijuar kushte të favorshme”.

Mos të harrojmë se diaspora është burimi më i madh financiar për Kosovën, ku përafërsisht llogaritet që rreth 500 milionë euro në vit janë investime përmes remitancave që vijnë në Kosovë”, tha Molliqaj.

Për t’i informuar investitorët potencialë nga mërgata, Ministria e Diasporës, në kuadër të “Ditëve të Mërgatës”, ka organizuar një mori debatesh më investitorë potencialë nga diaspora, për t’i njoftuar për mundësitë ligjore që i kanë për të investuar në Kosovë.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG