Ndërlidhjet

Alepo në prag të ofensivës


Banorët braktisin Alepon.

Banorët braktisin Alepon.

Aktivistët sirianë thonë se trupat qeveritare kanë hapur zjarr nga helikopterët në disa lagje të Alepos.

Forcat ushtarake raportohet të jenë mbledhur që nga e enjtja në periferitë e qytetit për një ofensivë të pritshme kundër kryengritësve rebelë.

Zëdhënësi i Ushtrisë së Lirië Siriane, kolonel Abdel Xhabar al-Okaidi, i ka thënë AFP-së përmes Sype-it se “përforcimet e ushtrisë kanë arritur dhe se trupat mbështeten nga rreth 100 tanke”.

“Presim ofensivë të madhe në çdo kohë, sidomos në zonat nga lindja në perëndim”, ka thënë ai.

Komisionarja për të Drejtat e Njeriut e Kombeve të Bashkuara, Navi Pillaj, u ka bërë thirrje forcave siriane të sigurisë dhe kryengritësve rebelë në qytetin Alepo që të kursejnë civilët nga luftimet.

“Gjasat për një konfrontim të pashmangshëm në Alepo kanë rritur në masë të madhe shqetësimet për sigurinë e civilëve të bllokuar në qytetin më të populluar të Sirisë, i cili kishte më shumë se dy milionë banorë para shpërthimit të konfliktit”, ka thënë Pillaj në një deklaratë të shkruar.

Shumë banorë raportohet se kanë braktisur tashmë lagjet e Alepos.

Protestat antiqeveritare në Siri kanë nisur qysh në mars të vitit të kaluar. Mijëra persona kanë humbur jetën në trazirat ndërmjet kryengritësve dhe forcave që mbështesin regjimin e presidentit Bashar al-Asad.
XS
SM
MD
LG