Ndërlidhjet

Nis Olimpiada në Londër


Mbretëresha Elizabeta II e ka deklaruar të hapur Olimpiadën e Londrës pas një spektakli treorësh, të përcjellë nga një audiencë televizive prej një miliard njerëzish.

Kryeqyteti i Britanisë së Madhe ofroi një spektakël të madh duke risjellë historinë e një shekulli.

Ceremonia e hapjes së lojërave përfshinte në koreografinë e saj historinë e Britanisë duke nisur nga epoka e industrializimit deri në ditët e sotme.

Mbretëresha i hapi Lojërat Olimpike në një stadium olimpik në orët e para të së shtunës, duke përdorur fraza tradicionale:

“Unë i deklaroj të hapura Lojërat e Londrës duke festuar olimpiadën XXX të epokës moderne”, tha mbretëresha Elizabetë.

Disa momente më vonë, flaka olimpike u ndez nga shtatë atletë të rinj britanikë.

Kreu i Lojërave Olimpike, Seb Koe, e mirëpriti botën në Londër, duke thënë se ngjarja feston atë që “është më e mira e njerëzimit”.

Shumë udhëheqës botërorë ndoqën shfaqjen, e cila nisi kur fituesi i “Tour de France”, Bredli Uigins, i ra kambanës së një zileje gjigante para një turme prej rreth 80 mijë njerëzish.

Spektakli festoi historinë britanike, kulturën dhe veçantinë. Ai drejtohej nga Dani Bojl, që fitoi çmimin Oskar si regjisori më i mirë në filmin “Slumdog Millionaire.”

Siç e kërkon tradita, ekipi olimpik grek hyri në stadium në krye të paradës së atletëve prej më shumë se 200 shteteve që marrin pjesë në lojëra, duke bartur flamujt kombëtarë.


Rreth 10 mijë e 500 atletë nga 204 vende konkurrojnë për 302 medalje ari në 26 sporte deri më 12 gusht.

Duke folur në Pallatin Bakingem vetëm disa orë para se të niste Olimpiada, Mbretëresha Elizabetë iu uroi ekipeve të të gjitha vendeve fat të mirë në lojëra.

“Në të gjitha ekipet tona olimpike ka shumë gjëra që na bëjnë krenarë – grupe të djemve dhe vajzave të reja, të dedikuara për përsosmëri dhe arritje, në shumë disiplina të sportit”.

“Këto ekipe janë mbështetur nga mijëra organizatorë, vullnetarë dhe mbështetës, të cilët do të ndjekin aksionet jo vetëm në objektet olimpike këtu në Mbretërinë e Bashkuar, por në mbarë botën. Për të gjitha këto arsye, unë ju dëshiroj juve dhe vendeve tuaja lojëra të suksesshme, të këndshme dhe të paharrueshme!”, tha mbretëresha Elizabetë.

Pjesëmarrësit në Stadiumin Olimpik në Londër janë shprehur të mahnitur nga ceremonia e hapjes.


“Tërheqëse, e paharrueshme. Kam qarë. Ishte mënyra që e kam pritur”, u shpreh për Reuters, Roberto nga Brazili.

“Kanë kryer një punë shumë të mirë. E di që janë duke u përgatitur për një kohë të gjatë. Unë në të vërtetë jam gjysmë britanike dhe gjysmë amerikane, andaj e di se ata janë bërë me të vërtetë gati për këtë për një kohë të gjatë dhe mendoj se kanë bërë një punë të mrekullueshme”, tha Ema nga Miçigeni.

Ndërsa, një grua meksikane shprehet se ceremonia ishte mahnitëse:

“Ishte fascinuese, fantastike. Punë e shkëlqyeshme.(a.i)
XS
SM
MD
LG