Ndërlidhjet

logo-print

Analistët në Maqedoni: Skeptikë për çështjen e emrit


Rojet kufitare greke vendosin një letër mbi shkronjat MK, në targat e automjeteve të Maqedonisë, ku shkruan: "E njohur nga Greqia si FYROM"

Rojet kufitare greke vendosin një letër mbi shkronjat MK, në targat e automjeteve të Maqedonisë, ku shkruan: "E njohur nga Greqia si FYROM"

Vizita dhe mesazhet e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-mun, nuk do të sjellin asgjë të re në raport me zgjidhjen e çështjes së emrit, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve ndërkombëtare.

Ata thonë se dëshmi për këtë është edhe njoftimi nga kabineti i qeverisë se muajve në vazhdim, kryeministri Nikolla Gruevski nuk do të flasë më para mediave për kontestin e emrit, me arsyetimin se deklaratat e tij po keqinterpretohen nga individë të caktuar dhe politikanë në Greqi.

Por, pavarësisht qëndrimeve të këtilla, mesazhet e fundit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për bisedime të drejtpërdejta ndërmjet Shkupit dhe Athinës, sipas Mirjana Malevskës, ligjëruese E së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Evropës Juglindore, flasin se ndërkombëtarët nuk heqin dorë nga zgjidhja e këtij problemi, në radhë të parë për shkak të sigurimit të paqes dhe stabilitetit në Ballkan.

“Apelet e sotme nga ana e tyre janë po ato apele që dërgonin më parë, vetëm se tani janë më të brengosur, mendoj, për investimin e tyre për paqen dhe sigurinë në Ballkan. Pra, ata për këtë janë të shqetësuar pasi tani një kohë të gjatë nuk po arrihet të zgjidhet problemi dhe të bëhemi pjesë e strukturave të NATO-s dhe BE-së, e që do të forconin edhe më shumë paqen dhe sigurinë në rajon”, deklaron Malevska.

Nga ana tjetër, duke komentuar shkëmbimin e akuzave mes Shkupit dhe Athinës për atë se kush më tepër e ndërlikon situatën e zgjidhjes së kontestit, analisti, Albert Musliu thotë se pala maqedonase është ajo që duhet të jetë e përmbajtur nga deklaratat, pasi zgjidhja e kontestit është në interes të Maqedonisë.

Athina, pas vizitës së kreut të OKB-së, Ban Ki-mun, reagoi ndaj prononcimeve të Gruevskit duke thënë se ai nuk është partner për bisedime, pasi ngre çështje, për të cilat as që mund të ëndërrohet, duke aluduar në çështjen e pakicës maqedonase në Greqi.

“Nuk ka nevojë që të përdoret fjalor provokues, fjalor që përdoret në politikën ditore. Është një çështje shpejtësia e zgjidhjes të së cilës është më me rëndësi për Maqedoninë sesa për Greqinë. Viteve të fundit është çështja më kruciale që po pengon të gjitha proceset”.

“Kështu që nëse dikush ka nevojë të zbusë retorikën, ajo është Maqedonia. Duhet të tregojë vullnet pozitiv, ta rikthejë energjinë pozitive dhe të partnerëve tanë euroatlantikë, me qëllim që çështja të përmbyllet, të hiqet nga politika ditore, të bëhet një konsensus pak më i gjerë me qëllim që t’i japë motiv edhe palës greke për ta përmbyllur çështjen”, vlerëson Musliu.

Por, duke marrë parasysh zhvillimet e fundit dhe vizitën, siç shprehet, shumë protokollare të Ban Ki-munit, Biljana Vankovska, njohëse e çështjeve të integrimit, nuk pret zgjidhje të shpejtë të çështjes së emrit. Ajo thotë se Ban Ki-mun, me dy fjalime krejtësisht të ndryshme shkaktoi, siç shprehet Vankovska, eufori naive në opinionin maqedonas duke përmendur emrin Maqedoni në një takim joformal, por që në fjalimin e tij zyrtar në Kuvend, riktheu retorikën e tij lojale të mbrojtjes së qëndrimeve të Kombeve të Bashkuara.

“Unë, personalisht, nuk pres që në një periudhë të afërt kohore të ketë bisedime intensive pasi sipas të gjitha gjasave, edhe Qeveria e kryeministrit Samaras nuk do të jetë me afat të gjatë, për shkak të problemeve rreth krizës ekonomike”.

“Pra, nuk pres të ketë zhvillime pozitive, vetëm nëse nuk ndodhin çudira që ndërkombëtarët ta kushtëzojnë Greqinë me benefite të caktuara për të hequr dorë nga kushtëzimet, përkatësisht të respektojë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për respektimin e Marrëveshjes së vitit 1995, e cila mundëson inkuadrimin e Maqedonisë në NATO dhe BE me emrin e përkohshëm IRJM”
, thekson Vankovska.
XS
SM
MD
LG