Ndërlidhjet

Autostrada Prishtinë-Shkup nis më 2013?


Autostrada "Rruga e Kombit"

Autostrada "Rruga e Kombit"

Dhjetëra kompani private vendore dhe ndërkombëtare kanë shprehur interesim për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Shkup, që pritet të nisë në fillim të vitit të ardhshëm, pas përfundimit të autostradës Vërmicë-Merdare.

Lah Nitaj, këshilltar në Ministrinë e Infrastrukturës, thotë se shprehja e interesit do të jetë e hapur deri në javën e parë të muajit gusht dhe shpresohet që gjatë kësaj periudhe të ketë më tepër kompani të interesuara me renome ndërkombëtare.

Por, Nitaj nuk tregon ndonjë periudhë të saktë kohore se kur do të shpallet kompania fituese, për ndërtimin e autostradës që lidh Kosovën me Maqedoninë, por premton se kompani fituese do të shpallet ajo që plotëson kushtet, kriteret, parametrat dhe çmimin.

“Pas konsultimeve që kemi pasur me mekanizmat ndërkombëtarë dhe akterët qeveritarë, akordimin me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore, ne presim që proceset tenderuese dhe deri tek arritja e kontratës me operatorë të caktuar ekonomikë, të vijmë brenda vitit 2012”.

“Sipas kësaj dinamike të përcaktuar, planifikojmë që në pjesën e parë, me krijimin e rrethanave dhe kushteve të motit, të fillojmë me punimet e para. Shpresojmë të jetë kuarti i parë i vitit 2013”
, bën të ditur Nitaj.

Ekspertë të ndërtimtarisë konsiderojnë se ndërtimi i infrastrukturës rrugore viteve të fundit ndikon në bashkëpunimin më të lehtë edhe në aspektin ekonomik me vendet e rajonit.

Megjithatë, Florim Graiçevci, profesor në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës, thotë se autoritetet kompetente duhet të kenë kujdes në përzgjedhjen e kompanisë fituese, pasi nga ajo varet edhe cilësia e autostradës Prishtinë - Hani i Elezit, e quajtur Rruga 6.

“Kush do të donte t’i hynte kësaj pune, kompania duhet të përgjigjet për projektimin, hartimin e projektit ose kërkesat që janë në projekt shumë më përpara të specifikuara dhe ato duhet të respektohen në maksimum”.

“Prandaj, kompanitë në këto situata duhet të jenë shumë të kujdesshme në caktimin e çmimit, dhe çmimi duhet të jetë fiks, të mos ketë variacione, të mos të ketë punë dhe aktivitet shtesë, përveç atyre që janë paraparë përmes projektit”,
konsideron Graiçevci.

Por, si do të financohet ndërtimi i kësaj autostrade dhe sa do të kushtojë? Këshilltari Lah Nitaj, thotë se autoritetet kompetente vendore janë në kontakte të vazhdueshme me institucione të ndryshme financiare ndërkombëtare që të gjejnë mënyra për financimin e autostradës së dytë në vend.

“Janë shumë të kujdesshëm dhe të vëmendshëm që të kenë parasysh interesin e Kosovës, interesin e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe të mos rrezikojnë në asnjë moment parametrat financiarë të vendit”.

“Ne jemi në akordancë të plotë për fazën e tanishme të veprimeve të ndërmarra dhe nuk kemi ndonjë çalim në këtë drejtim. Por, do të jemi të vëmendshëm që parametrat makro-financiarë të vendit të ruhen, rruga të ndërtohet në partneritet dhe akordancë të plotë më të gjithë mekanizmat”
, thekson Nitaj.

Projekti për realizimin e autostradës Prishtinë-Shkup është prezantuar në vitin 2010. Sipas projektit të prezantuar, autostrada do të ndërtohet në një trase tërësisht të re, me gjatësi prej 55 kilometrash.

Autostrada do të ketë dy tunele, ndërsa më i gjati do të jetë ai i Kaçanikut, me 2. 2 kilometra.

Shpejtësia maksimale në autostradë, sipas projektit, do të jetë 120 kilometra në orë.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG