Ndërlidhjet

Qeveria serbe me qasje të re ndaj Kosovës (?)


Qeveria e Serbisë
Qeveria e Serbisë
Paralajmërimet e Qeverisë së re serbe, të cilat gjenden në programin e saj, se do t’i zbatojë marrëveshjet e arritura në dialogun e deritashëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por edhe mjaft ngjarje që i kanë paraprirë formimit të kësaj qeverie, janë sinjale se pushteti i ri në Serbi do ta ndryshojë qasjen e shtetit serb ndaj Kosovës, të paktën krahasuar me qeverinë paraprake, vlerësojnë politikanët serbë të Kosovës.

Marko Jakshiq, politikan serb nga veriu i Kosovës dhe njëkohësisht deputet në Kuvendin e Serbisë nga radhët e Partisë Demokratike të Serbisë, thotë për Radion Evropa e Lirë, se Qeveria e re serbe, bazuar në deklaratat e muajve më parë dhe ato të tashme të kreut të saj, Ivica Daçiq, duket se e ka humbur rrugën ndërmjet orientimit evropian, në njërën anë, dhe në anën tjetër, mbrojtjes së interesave shtetërore serbe në Kosovë.

Qeveria e re do të gjendet ndërmjet dëshirës që të hyjë në Bashkimin Evropian, ndër të tjera edhe për shkak se këtë qeveri e kanë krijuar përsëri disa ambasada të huaja, si dhe dëshirës për ta mbajtur në një mënyrë Kosovën.

“Ekzistojnë deklarata të llojllojshme. Ka të tilla që thonë se duan që të realizohen marrëveshjet, që janë ndryshe nga ato, të cilat, para së gjithash, ishin aktuale në fushatën parazgjedhore dhe që thonë se marrëveshjet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës duhet të anulohen”.

“Qeveria e re do të gjendet ndërmjet dëshirës që të hyjë në Bashkimin Evropian, ndër të tjera edhe për shkak se këtë qeveri e kanë krijuar përsëri disa ambasada të huaja, si dhe dëshirës për ta mbajtur në një mënyrë Kosovën. Ne e kemi shembull qeverinë e kaluar se e kishte humbur rrugën në mes të këtyre dy proceseve. Se a do ta humbë rrugën edhe kjo qeveri, mbetet të shihet”
, thotë Jakshiq.

Por, ndryshe nga ajo që thotë Jakshiq, Rangjell Nojkiq, politikan serb nga Kosova qendrore, thotë se Qeverinë e re serbe nuk e ka krijuar bashkësia ndërkombëtare, por, siç thotë ai, ajo ia ka dhënë dritën e gjelbër formimit të kësaj qeverie, si dhe ua ka bërë me dije partnerëve të koalicionit qeveritar se cilat janë obligimet e tyre.

“Në qoftë se përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, para së gjithash, Uashingtoni dhe Brukseli, në vazhdimësi do t’ua rikujtojnë obligimet, mendoj se kjo qeveri do të jetë mbase edhe më konstruktive dhe më e përgjegjshme ndaj përgjegjësive që i ka, sepse hipotekat, të cilat i ka pasur qeveria e kaluar, kjo qeveri nuk i ka dhe mendoj se në këtë kuptim ajo do t’i përmbushë të gjitha obligimet. Unë jam optimist dhe mendoj se situata në Kosovë do të ndryshojë në mënyrë domethënëse”, thekson Nojkiq për Radion Evropa e Lirë.

Ai shpreh mendimin se Qeveria e re serbe e bartë mbi supe hipotekën e viteve ‘90 dhe mu për këtë shkak ajo do të përpiqet që ta tregojë veten sa më demokratike dhe pro-evropiane.

Ndërkaq, Jakshiq mendon se nëse Qeveria e re serbe do t’i respektojë marrëveshjet e dialogut Kosovë-Serbi, ajo do ta ketë fatin e qeverisë paraprake. Madje, sipas tij, një gjë e tillë, mund të shkaktojë rënien e parakohshme të qeverisë aktuale.

“Mendoj se qeveria paraprake ka rënë për shkak se i ka nënshkruar marrëveshjet me Prishtinën, të cilat paraqesin tradhti. Ajo që ka nënshkruar Beogradi, bie në domenin e tradhtisë klasike kombëtare. Se a do ta ndjekë Qeveria e re të njëjtën rrugë, mbetet të shihet. Por, nëse niset ashtu, ajo nuk do të mund të qëndrojë katër vjet, aq sa ka qëndruar qeveria paraprake”, potencon Jakshiq.

Ndryshe, Nojkiq vlerëson se qeveria e re serbe do ta ketë një qasje më pozitive ndaj Kosovës, por mund të ketë edhe komplikim të situatës.
Mendoj se situata mund të komplikohet në momentin kur Qeveria e re serbe do të tregohet se është konstruktive dhe se dëshiron t’i kryejë obligimet e veta.

“Mendoj dhe shpresoj se do të jetë më pozitive. Por, megjithatë, do të varet edhe nga ajo se çfarë qëndrimi do të marrë Prishtina. Mendoj se situata mund të komplikohet në momentin kur Qeveria e re serbe do të tregohet se është konstruktive dhe se dëshiron t’i kryejë obligimet e veta”.

“Në këtë rast mund të ketë probleme me Prishtinën, sepse ndoshta asaj nuk do t’i konvenojë një qëndrim dhe një strategji e tillë, të cilën do ta ketë qeveria e re serbe, sepse edhe Prishtina, ashtu si Beogradi, ka obligime të mëdha ndaj Brukselit”
, vlerëson Nojkiq.

Ndryshe, Kuvendi i Serbisë ka zgjedhur të premten, më 27 korrik, Qeverinë e re, e cila në katër vjetët e ardhshëm do të udhëhiqet nga socialisti Ivica Daçiq.

Në koalicionin qeveritar marrin pjesë Partia Përparimtare e Serbisë, Partia Socialiste e Serbisë dhe disa subjekte më të vogla politike.
XS
SM
MD
LG