Ndërlidhjet

Server: Integrimi – jo me forcë por me joshje


Daniel Server
Daniel Server

“Duhet të jetë strategji që i fiton zemrat dhe mendjet. Kjo nuk do të arrihet me forcë, por duhet të arrihet duke i joshur njerëzit në institucionet e Kosovës, siç ka bërë qeveria me sukses me serbët në jug të lumit Ibër”, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, analisti Daniel Server, profesor në Johns Hopkins University në Uashington.



RADIO EVROPA E LIRË
Çështje aktuale në Kosovë është përvjetori i aksionit të qeverisë në pjesën veriore për të realizuar kontroll në dy vendkalimet kufitare. Zyrtarët qeveritarë thonë se është arritur shumë, por disa thonë se situata nuk ka ndryshuar. Çka mendoni ju?

DANIEL SERVER
E dini se është krejtësisht e qartë se diçka ka ndryshuar, pasi tash ka prani në disa pika kufitare, por situata nuk është zgjidhur. Ekziston nevoja reale për implementimin e marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit, që ishte arritur me Beogradin dhe shpresoj se tash, kur në Beograd është qeveria e re, kjo marrëveshje do të realizohet.

RADIO EVROPA E LIRË
Situata në pjesën veriore të Kosovës është ende me probleme dhe serbët lokalë atje nuk dëshirojnë të integrohen brenda institucioneve të Kosovës, por ata i mbajnë të ashtuquajturat struktura paralele të Serbisë. Në anën tjetër, perëndimi po kërkon nga Qeveria e Kosovës një strategji për integrimin e kësaj pjese. Çfarë lloji i strategjisë ju mendoni se do të funksiononte në këtë çështje?

DANIEL SERVER
Duhet të jetë strategji që i fiton zemrat dhe mendjet. Kjo nuk do të arrihet me forcë, por duhet të arrihet duke i joshur njerëzit në institucionet e Kosovës, siç ka bërë qeveria me sukses me serbët në jug të lumit Ibër. Qeveria filloi me një Zyrë Administrative në veri, që po i financon disa projekte dhe i ka punësuar disa njerëz. Shpresoj se kjo do të zgjerohet dhe vazhdojë. Qeverisë i duhet, po ashtu, edhe bashkëpunimi me Beogradin, i cili duhet të fillojë t’i tërheqë disa nga institucionet e ndërtuara në veri. Veçanërisht, institucionet e sigurisë duhet të ndalen në pjesën veriore dhe për këtë atyre u duhet ndihmë nga Beogradi.

RADIO EVROPA E LIRË
Para disa ditësh, kryeministri Thaçi ka biseduar me zonjën Kethrin Eshton për dialogun me Serbinë. Tash, pasi në Serbi në pushtet janë liderët nacionalistë, siç thonë shumë njerëz, ka hezitim lidhur me këtë dialog. Si e shihni ju perspektivën e dialogut ndërmjet Kosovës e Serbisë?

DANIEL SERVER
Ju e dini se nuk mund ta zgjidhni se me kë do të zhvilloni negociata. Në demokraci ju zhvilloni negociata me secilin që është zgjedhur në vendin tjetër. Më duket se qeveria e re e Serbisë, qartazi, po përpiqet të sinjalizojë se dëshiron t’i implementojë marrëveshjet e arritura dhe dëshiron ta ulë prioritetin që i është dhënë Kosovës në favor të rritjes së prioritetit për ripërtëritje ekonomike në Serbi. Kjo më duket si qasje shumë e arsyeshme dhe mendoj se populli në Kosovë thjeshtë duhet ta kuptoj se ju zhvilloni negociata me këdo që është në pozitë. Ju nuk mund të zgjidhni.

RADIO EVROPA E LIRË
Presidenti i ri, Tomisllav Nikolliq, ishte në Moskë, në udhëtimin e tij të parë jashtë Serbisë. Pra, në Moskë e jo në Bruksel. Në këtë aspekt, është interesant të dëgjohet komenti juaj për deklaratat e liderëve serbë se ata janë të përkushtuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

DANIEL SERVER
Të shohim se si ata do të punojnë. Të mos shqetësohemi se kë e kanë vizituar së pari. Të shohim se çka po bëjnë. Nëse janë të interesuar në anëtarësim në BE, ata duhet të lëvizin shpejtë për t’i zgjidhur problemet e mbetura në Kosovë dhe të lëvizin përpara me vendosjen e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me Prishtinën. Pra, të shohim se si ata sillen.

RADIO EVROPA E LIRË
Pra, çfarë lloj perspektive kanë Kosova dhe Serbia të bëhen anëtarë të BE-së, në këtë situatë kur dy vendet kanë shumë mospajtime?

DANIEL SERVER
Ata duhet t’i zgjidhin këto mospajtime, para se të bëhen anëtarë të Bashkimit Evropian. Anëtarësimi është rrugë e gjatë. Do të thosha me siguri se kjo nuk mund të ndodhë para vitit 2020. Pra, kërkohet kohë. Por, po ashtu, ka arsye të mirë për të përshpejtuar procesin e normalizimit të raporteve ndërmjet Prishtinës e Beogradit, pasi pa këtë normalizim, Beogradi nuk mund ta ketë datën e fillimit të negociatave për pranim në BE. Çështjet janë shumë të vështira, por me vullnet të mirë në të dy anët, më duket se ato mund të zgjidhen.

RADIO EVROPA E LIRË
Para pak çastesh thatë se qeveria në Prishtinë duhet t’i joshë serbët në veri. Në çfarë mënyre mendoni se ata mund të tërhiqen?

DANIEL SERVER
Mendoj se kjo mund të arrihet nëse njerëzit fillojnë të shohin se ata do të trajtohen në mënyrë korrekte dhe se do të kenë përmirësime në kushtet shoqërore dhe se nuk do ta humbin lidhjen me Serbinë, se do të kenë mundësi më të mira për punë, ambient të përmirësuar… Unë e kam vizituar pjesën veriore të Kosovës. Gjërat atje duken saktësisht sikur para 10 viteve. Nuk ka pasur ndonjë zhvillim ekonomik. Gjërat duken pak më mirë në jug të Mitrovicës se sa në veri të Mitrovicës. Pra, nëse ka më tepër mundësi, më tepër vende të punës, më tepër zhvillim ekonomik, njerëzit do t’i përgjigjeshin kësaj.

RADIO EVROPA E LIRË
Aktualisht ju jeni në Prishtinë. Pra, si i shihni gjërat në aspektin politik, ekonomik dhe në fusha të tjera?

DANIEL SERVER
Më duket se ajo që kemi këtu në Prishtinë është një sistem i ndërtuar demokratik. Kuptohet se ka vështirësi, të cilat i kanë edhe të gjitha sistemet demokratike, por ato janë zgjidhur në një mënyrë institucionale. Parlamenti funksionon mirë, Gjykata Kushtetuese funksionon mirë dhe njerëzit i zgjidhin çështjet në mënyrë paqësore dhe në mënyrë normale politike. Ka shumë kritika për qeverinë, e cila përpiqet të përgjigjet me funksionimin më të mirë që mundet. Kjo është diçka që unë dua ta shoh. Sa i përket ekonomisë, ka shumë aktivitete ekonomike si asnjëherë më parë në Prishtinë, por ka, po ashtu, edhe varfëri të thellë dhe mungesë të mundësive. Njerëzit këtu kanë të drejtë të kërkojnë më mirë, por kushtet janë shumë të vështira. Ekonomia në Evropë nuk po ngritet dhe ende ka shumë punë për të bërë në përmirësimin e kushteve për investime të jashtme në Kosovë. Më duket se qeveria po punon në këtë çështje, jo çdoherë me sukses, por me përkushtim të konsiderueshëm.
XS
SM
MD
LG