Ndërlidhjet

Allepo - vatër e luftimeve në Siri

  • RFE /RL

Siri...

Siri...

Përplasjet ndërmjet forcave qeveritare dhe atyre të opozitës në Siri që nisën në mars të 2011-tës, ka disa javë që janë zhvendosur dhe intensifikuar në Allepo, qytetin më të madh dhe qendrën komerciale të vendit.

Pas luftimeve që vazhduan të dielën dhe të hënën, të dyja palët shpallën fitoren, ndërsa kundërshtuan njëra-tjetrën në këto deklarime.

Forcat qeveritare, të cilat përdorën helikopterët luftarakë, përpiqeshin të shpërbëjnë rebelët që e kanë marrë kontrollin mbi Allepon që nga java e kaluar.

Qeveria siriane tha se “ka spastruar” të dielën mbrëma qarkun Salahedine të Alleopos nga, siç i quajti ajo, “terroristët”.

Aktivistët e opozitës hodhën poshtë pretendimin e ekzekutivit sirian duke thënë se forcat opozitare vazhdojnë ta kenë kontrollin mbi qytetin dhe se u kanë shkaktuar dëme në njerëz kundërshtarëve të tyre qeveritarë.

Një gazetar i agjencisë së lajmeve AFP, i bazuar në Allepo, tha se forcat rebele kanë ukupuar një pikë strategjike të kontrollit në afërsi të qytetit pas diku 10 orësh të përleshjeve. Pika në fjalë gjendet në rrugën kryesore ndërmjet Allepos dhe kufirit turk.

Gazetari bëri gjithashtu të ditur se rebelët kanë marrë kontrollin mbi shtatë tanke dhe mjete të tjera luftarake, ndërsa kanë shkatërruar tetë të tilla gjatë luftimeve të së hënës.

Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, diku 200 mijë banorë të Allepos kanë braktisur shtëpitë e tyre për të kërkuar strehë në vendet fqinjë.

Kombet e Bashkuara tërhoqën vërejtjen për krijimin e një katastrofe humanitare në Allepo dhe u bënë thirrje të dyja palëve të përfshira në konflikt që të respektojnë të drejtat e qytetarëve.

Duke e folur për situatën aktuale në Allepo, një qytetar i tha agjencisë së lajmeve Reuters:

Situata është shumë e keqe këtu në Allepo. Ka të shtëna me armë zjarri, të cilat na drejtohen edhe neve dhe ne nuk kemi asgjë këtu”.

Ndërsa një grua përshkroi rrethanat, në të cilat allepasit janë të detyruar ta vazhdojnë jetën në kohën kur qyteti i tyre është bërë vatër e luftimeve.

Janë bërë shtatë ditë që kemi mbetur pa bukë, betohem se janë bërë shtatë-pa ushqim e madje pa ushqim për fëmijët”, tha ajo.

Zërat se forcat e regjimit sirian nuk po i kursejnë nga dhuna as civilët i konfirmoi edhe shefi i Ushtrisë Siria e Lirë për rajonin e Allepos, Sheik Abderahmane.

Situata këtu është e përgjakshme dhe e trishtuar. Aeroplanët po gjuajnë me bomba nga gjithandej. Të shtënat e artilerisë drejtohen në çdo kënd. Ata nuk bëjnë dallim në mes të civilëve dhe të tjerëve”, theksoi ai.

Për shkak të rritjes së tensioneve dhe numrit të madh të viktimave, i cili tani konsiderohet të ketë arritur në mbi 17 mijë, Kombet e Bashkuara kishin emëruar Kofi Ananin si emisar special për krizën në Siri, ndërsa kishin dërguar një mision vëzhgues në këtë vend.

Kreu i ri i lkëtij misioni, gjeneral-leutnant Babakar Gej, tha të hënën para gazetarëve në Damask se është i bindur në zbatimin e marrëveshjes për dhënien fund të konfliktit.

“Askush nga palët nuk i ka thënë ‘Jo’ pauzës apo ndonjë marrëveshje, por ajo do të mbetet e tille derisa të jetë finalizuar dhe derisa popullata t’i ketë parë benefitet e saj. Nuk dua ta kem një të menduar dëshirash, por unë besoj në veprime dhe po punoj në këtë drejtim”, tha ai.

Sekretari amerikan i mbrojtjes, Leon Paneta, ndërkaq kritikoi të dielën mbrëma regjimin e presidentit të Sirisë, Bashar Al Asad, ndërsa akuzoi forcat e tij për përdorimin e “dhunës së papërmbajtur” ndaj civilëve në Allepo.

Është mjaft e qartë se Allepo është bërë një shembull tjetër tragjik për atë lloj dhune që s’bën dallim në mes të forcave të armatosura dhe civilëve e të cilën regjimi i Asadit po e zbaton tek populli i tij. Nëse ata vazhdojnë me këto sulme tragjike mbi njerëzit e tyre, atëherë automatikisht do t’i vihet një gozhdë arkivolit të Asadit. Vetëm se po bëhet gjithnjë e më e qartë se do t’i vijë fundi regjimit të Asadit pikërisht për shkak të dhunës që ata po përdorin mbi popullin e tyre”, u shpreh Paneta.

Sekretari amerikan i mbrojtjes shprehi bindjen se fundi i konfliktit është çështje e kohës.

Ajo që kemi parë gjatë javëve të kaluara me jep përshtypjen se niveli i dhunës që është përdorur gjatë shpërfaqjes së fuqisë së opozitës-të gjithë këta faktorë vetëm se e bëjnë të qartë se nuk është më në pikëpyetje fundi i regjimit të Asadit. Pyetja është se kur do të ndodhë kjo”, theksoi ai.

Në ndërkohë, ministri i jashtëm francez, Laurent Fabius, tha se Franca do të kërkojë një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit lidhur me përleshjet në Siri sapo ta ketë marrë rotacionin mbi presidencën e Këshillit në muajin gusht.

Allepo ka pasur një popullatë prej 2 milionë banorësh para nisjes së konfliktit në muajin mars të vitit të kaluar.(e.p.)
XS
SM
MD
LG