Ndërlidhjet

logo-print

Vëllezërit Kuzhnini me projekt kundër vëllavrasjes


Ilustrim

Ilustrim

Vëllezërit Mikel e Simon Kuzhnini, veprimtarë të njohur të çështjes kombëtare, kanë prezantuar në Mitrovicë projektin “Stop vëllavrasjes, jo hakmarrje”, bëhet e ditur në një njoftim të lëshuar nga Kuvendi Komunal i Mitrovicës.

Përzgjedhja e Mitrovicës për nisjen e një projekti kombëtar të Lidhjes Shqiptare në Botë (LSHB) thuhet se është bërë me qëllim simbolik për rrethanat në të cilat ndodhet qyteti.

Vëllezërit Kuzhnini, janë shprehur të bindur në suksesin e këtij projekti, për çka kërkuan edhe mbështetjen e përfaqësuesve të institucioneve shtetërore të Kosovës dhe Shqipërisë.

“Është një plagë që e ka lënduar kombin tonë, për çka ne duhet të angazhohemi dhe ta stopojmë një herë e përgjithmonë”, tha Mikel Kuzhnini, njëri prej dy vëllezërve të njohur nga Prizreni, të cilët janë bërë të njohur me veprimtarinë e tyre kombëtare në Kroaci ku jetojnë dhe punojnë që shumë vite.

Ndërsa vëllai tjetër, Simoni, sqaroi se ideja është që në secilën komunë të Kosovës të përzgjidhen nga pesë, ndërsa në Shqipëri nga dy personalitete prej çdo bashkie, që gëzojnë autoritet në popull, të cilët do të përfshihen në Këshillin kombëtar që do të formohet për këtë qëllim.

“Ende është duke u punuar në përpunimin detajeve, mirëpo qysh tani kemi një përkrahje të madhe për këtë projekt, që do ta ndihmojë kombin shqiptar që sa më parë të zë vendin e duhur krahas popujve të qytetëruar të perëndimit”, ka thënë Kuzhnini.
XS
SM
MD
LG