Ndërlidhjet

Maqedoni: Fjalor ofendues mes partive


Kuvendi i Maqedonisë
Kuvendi i Maqedonisë

Partitë politike, si ato shqiptare, ashtu edhe ato maqedonase, kanë ashpërsuar fjalorin e tyre duke akuzuar njëra tjetrën madje edhe për të kaluarën e tyre shumë vite më parë.

Veprimet e tyre janë intensifikuar kryesisht nga BDI-ja në pushtet dhe PDSH-ja në opozitë, pas arritjes së marrëveshjes së opozitës shqiptare për bashkëpunim me opozitën maqedonase për zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në mars të vitit të ardhshëm.

Fjalët më ofenduese që janë përdorur kohëve të fundit nga ana e tyre janë ato si: “çetnik”, “vojvoda” dhe “prostitucion”.

Por, akuza të tilla nuk mungojnë tani një kohë të gjatë edhe mes partive maqedonase, LSDM dhe VMRO-DPMNE.

Kjo e fundit, të gjitha akuzat i ka përqendruar në periudhën e qeverisjes së viteve të 90-ta, opozita e tanishme, e cila, nga ana tjetër akuzon pushtetin aktual me fjalor ofendues për varfërimin e popullatës dhe bllokimin e procesin integrues.

Analistët politikë thonë se situata e këtillë është brengosëse pasi me sjelljen e tyre partitë vetëm sa dëshmojnë mungesën e platformave të tyre për të zgjidhur problemet reale.

Kjo vjen si pasojë e mungesës së ofertave konkrete për joshjen e votuesve dhe kështu partitë shqiptare më tepër mbahen gjallë duke etiketuar në baza personale konkurrentin politike, sesa duke debatuar dhe duke debatuar dhe duke argumentuar pikat e platformave që i kanë. Kjo flet për një mungesë të një bërthame politike dhe ushqyerje të elektoratit të tyre me zënka të këtij lloji”, shprehet analisti Xhelal Neziri, duke shtuar se një fjalor i tillë ofendues mes partive vetëm sa do ta largojë edhe më shumë elektoratin nga pjesëmarrja në zgjedhje.

Unë mendoj se elektorati shqiptar, veçmas është larguar pasi ai nuk del në zgjedhje. Në votime dalin kryesisht militantët partiakë, pra ata të cilët në njërën apo mënyrën tjetër janë të lidhur me ndonjë parti ekzistuese në bazë interesi apo anëtarësie”, thekson Neziri, duke iu referuar shifrave sipas të cilave në zgjedhjet e fundit në votime kanë dalë më pak se 40 për qind votuesve shqiptarë.

Por, ndryshe nga ai, analistja, Sonja Stojadinoviq thotë se në Maqedoni elektorati ende nuk është në nivelin e duhur për të dënuar fjalorin e tillë ofendues me mosdalje në votime.

Një fjalor i tillë ofendues është i dëmshëm për të gjitha palët pa marrë parasysh nëse vjen nga partitë në pushtet apo ato në opozitë, ndërsa sa i përket voruesve unë konsideroj se një numër i vogël mund të mos dalin në votime duke dënuar ofendimet që dëgjohen nga liderët e papërgjegjshëm kurse pjesa më e madhe e tyre ende mendojnë si të them në mënyrën e tyre më primitive”, thotë Stojadinoviq duke theksuar se e gjithë kjo është pasojë e mungesës së platformave partiake.

Nëse akuzat vijnë nga politikanët të cilët janë në pushtet, kjo tregon se për momentin ata janë në gjendje dëshpëruese, nuk kanë zgjidhje për problemet dhe e vetmja gjë që u mbetet janë akuzat ndaj opozitës, por edhe nëse akuzat dhe ofendimet vijnë nga kjo e fundit, pra nga opozita atëherë edhe këtu mund të konstatojmë se edhe ajo përdorë metoda primitive për të përfituar elektoratin pasi nuk është në gjendje të ofrojë zgjidhje të qëndrueshme për problemet e shumta më të cilat përballen qytetarët e Maqedonisë”, thotë Sonja Stojadinoviq.
XS
SM
MD
LG