Ndërlidhjet

Freizer: Qeveria e re serbe - e favorshme për Prishtinën


Sabine Freizer
Sabine Freizer
“Qeveria e re e zgjedhur në Serbi është partneri i vetëm, të cilin mund dhe do ta ketë Prishtina, andaj është e nevojshme që të shikohet përpara me shpresën që pikërisht për shkak të mbështetjes së tyre nacionaliste ata të jenë në gjendje ‘t’ia shesin’ më lehtë publikut marrëveshjet e arritura”, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, drejtorja për Evropën në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, Sabine Freizer.


RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Freizer, dialogu ndërmjet Prishtinës e Beogradit pritet të vazhdojë në muajt e ardhshëm edhe pse nuk është caktuar ende ndonjë agjendë precize. Një nga parakushtet të vazhdimin e dialogut ishte krijimi i një qeverie të re në Serbi, e cila është themeluar tashmë. Por, Prishtina thotë se nuk do ta vazhdojë dialogun përderisa Beogradi nuk i zbaton në tërësi të gjitha marrëveshjet në terren. Si e vlerësoni ju atmosferën aktuale sa i përket dialogut?

SABINE FREIZER
Fillimisht më duhet të theksoj se është e rëndësishme që të ketë një dialog ndërmjet Prishtinës e Beogradit. Dialogu teknik, i cili ekzistonte në vitin e kaluar, ishte mjaft i dobishëm, interesant dhe rezultoi me disa marrëveshje. Është e rëndësishme që, ose të vazhdojë dialogu teknik, ose që ky dialog të zgjerohet në nivel politik në mënyrë që lidershipeve në Kosovë e Serbi t’u jepet mundësia t’i diskutojnë çështjet statusore apo legale në karshi atyre teknike që i kanë diskutuar deri më tani.

E kuptoj qëndrimin e palës kosovare rreth nevojës që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura meqë i kemi parë disa pengesa në zbatimin e tyre si për shembull në marrëveshjen për përfaqësimin rajonal të Kosovës, pastaj ajo që ka të bëjë me një çështjet më komplekse e që është menaxhimi i integruar i kufirit. Në këto çështje ka pasur ngecje. Është esenciale për bashkëpunimin ndërmjet Kosovës e Serbisë që këto marrëveshje të zbatohen në mënyrë që i tërë rajoni të ecë përpara me më shumë besim.

Në anën tjetër, është shumë me rëndësi të ketë një dialog politik, për shkak se çështjet si veriu janë çështje të ndjeshme që s’mund të zgjidhen në nivelin teknik, por të cilat kërkojnë disa marrëveshje politike ndërmjet Prishtinës e Beogradit”.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju thoni se është i nevojshëm një dialog politik, por a nuk do të dëmtonte një dialog politik për veriun përpjekjet për integrimin e asaj pjese në jetën institucionale të vendit?

SABINE FREIZER
Qëllimi i këtij dialogu do të duhej të kishte për qëllim integrimin gradual të veriut në institucionet kosovare. Nuk besoj që integrimi të bëhet brenda natës; mendoj se do të jetë diçka që do të kërkojë angazhim tejet të madh në ndërtimin e besimit ndërmjet serbëve kosovarë dhe pjesës tjetër të shtetit.

Pra, dialogu do ta ndihmojë këtë-do ta ndihmojë vënien e besimit. Pastaj, do të ndodhte një dorëzim i ngadalshëm në mes të Beogradit e Prishtinës, i cili do të duhej të ishte i koreografuar. Do të duhej të kishte një dizajn për dorëzimin gradual të disa gjërave tek Prishtina dhe një diskutim se cilat do të ishin ato gjëra e për cilat çështje do të ishin përgjegjëse të dyja palët.

Natyrisht se plani i Ahtisaarit lejon mjaft përfshirje të Beogradit në veri. Për këtë arsye, është e rëndësishme që Prishtina e Beogradi të merren vesh se kush do të luajë çfarë roli në veri.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Freizer, a e ka qeveria aktuale në Kosovë fuqinë për të negociuar rreth veriut me qeverinë e re serbe, e cila konsiderohet të jetë mjaft radikale kur bëhet fjalë për Kosovën?

SABINE FREIZER
Pajtohem që qeveria e re në Serbi, nëse i shihni njerëzit që kanë role kyçe në të, është pak sa shqetësuese. Por, edhe zoti Thaçi e ka thënë vet se nuk duhet ta shikojmë të kaluarën e atyre njerëzve, por duhet ta shohim të ardhmen dhe se çfarë qëndrime dhe role do të kenë ata në të ardhmen.

Qeveria e re e zgjedhur në Serbi është partneri i vetëm, të cilin mund dhe do ta ketë Prishtina, andaj është e nevojshme që të shikohet përpara me shpresën që pikërisht për shkak të mbështetjes së tyre nacionaliste ata të jenë në gjendje ‘t’ia shesin’ më lehtë publikut marrëveshjet e arritura.

Kjo shihet nganjëherë në negociatat e udhëhequra nga liderët radikalë-e mira tek ata qëndron në mundësinë e tyre që marrëveshjet e arritura në tryezën e diskutimit t’ia shesin publikut të tyre pa u parë si tradhëtarë.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë mendoni kur thoni “t’ia shesin publikut”? Si prisni se do të veprojë qeveria serbe kur bëhet fjalë për çështjet rreth Kosovës?

SABINE FREIZER
Ajo që shpresoj se do të jetë në gjendje ta bëjë qeveria në Serbi është t’u shpjegojë njerëzve që veriu nuk mund të mbetet përgjithmonë tërësisht nën Serbi dhe se duhet të ndodhë një tranzicion ku Serbia do t’ia dorëzonte kompetencat Prishtinës.

Kjo është ndoshta gjëja më e rëndësishme që mund ta bëjë qeveria në Serbi tani-të shpjegojë se do të ndodhë ky proces, që do të jetë një proces gradual për të cilin ata besojnë se do t’u ndihmojë dhe do t’u sjell përfitime njerëzve që jetojnë në veri”.

RADIO EVROPA E LIRË
Pa e integruar veriun në kornizën institucionale të Kosovës do ta përfundojë mandatin e saj Zyra Civile Ndërkombëtare duke i dhënë fund mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës. A i ka përmbushur Kosova të gjitha që është dashur t’i bëjë për t’i dhënë fund mbikëqyrjes së saj ndërkombëtare?

SABINE FREIZER
Me duhet të them se përmbyllja e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës e veçanërisht përfundimi i mandatit të Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar është pk sa i pamatur, sepse Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar do të mund ta kishte luajtur një rol kyç në zbatimin e çfarëdo marrëveshje për veriun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. PCN do të mund të kishte qenë një forcë neutrale që do të kishte ndihmuar zbatimin e këtyre marrëveshjeve në terren.

Tani nuk do ta kemi më atë person dhe do të mund të jetë më e vështirë të caktohet një ndërmjetësues ndërkombëtar që gëzon besimin e të dyja palëve e që mund ta nxis zbatimin e marrëveshjeve. Në anën tjetër, mendoj se ka pasur progres në pjesën tjetër të Kosovës ku qeveria ka qenë me autonome se sa ishte. Pra, po bëhet e qartë se po i vie fundi mbikëqyrjes. Por, ne, Grupi Ndërkombëtar i Krizave, jemi duke e përgatitur një raport mbi zbatimit e planit gjithëpërfshirës mbi statusin e Kosovës në jug.

Ajo që kemi identifikuar është se ekzistojnë ende disa probleme ekzistuese; në përgjithësi ka pasur ndryshime të mëdha; serbët që jetojnë në jug ndihen më të integruar në Kosovë; janë krijuar dhe po veprojnë tashmë komunat me shumicë serbe. Pra, ka gjëra pozitive, por mbesin edhe disa çështje të vogla që duhet rregulluar dhe këtu Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar do të mund ta kishte pasur një rol.

RADIO EVROPA E LIRË
Serbët në pjesët qendrore të Kosovës kanë shfaqur frikën lidhur me atë që do të ndodhë kur shteti të mos jetë më nën mbikëqyrjen e të gjithë anëtarëve të Grupit Drejtues Ndërkombëtar. A ka ndonjë rrezik për përkeqësimin e gjendjes së minoriteteve pas largimit të ICO-së?

SABINE FREIZER
Nuk e besoj. Kosova i ka marrë të gjitha obligimet e njohura ndërkombëtarisht; ato janë pjesë të kushtetutës dhe të ligjeve të ndryshme të Kosovës. Do të isha mjaft e befasuar po që se do të ndodhte një kthim prapa në këtë. Mendoj se në këtë moment, qeveria e Kosovës ndihet rehat me serbët që jetojnë në jug të vendit.

Siç e dini, janë 13 deputetë serbë në Kuvendin e Kosovës; serbët janë pjesë e koalicionit qeverisës andaj mendoj se ata kanë aktualisht një pozitë të fuqishme. Pra, nuk ka ndonjë kërcënim për të drejtat dhe ekzistencën e tyre në jug. Serbët në jug paraqesin në fakt një shembull të mirë për mënyrën e integrimit të serbëve, por tregojnë gjithashtu se integrimi duhet të jetë një proces gradual.

Ajo që kemi gjetur gjatë hulumtimeve për raportin tonë është se Beogradi ende financon serbët në jug në fushën e edukimit, shëndetësisë, në pensione dhe gjëra të tjera-gjë, që është pranuar nga Prishtina. Gjërat në jug po e marrin ngadalë drejtimin e tyre meqë Beogradi po ia dorëzon Prishtinës disa kompetenca. Shpresoj që një tranzicion i tillë-gradual, të ndodhë edhe në veri.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Freizer, cili mendoni se do të jetë efekti i përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë në arenën ndërkombëtare? A do të mund të ketë kjo ndonjë ndikim në procesin e njohjeve për Kosovën?

SABINE FREIZER
Jo nuk mendoj se ndonjë shtet do ta merr përmbylljen e mbikëqyrjes si matës për ta njohur Kosovën. Mendoj se shumë njerëz e kanë parë mbikëqyrjen si një çështje që ka zbehur pavarësinë e Kosovës dhe veprimin e saj si shtet i pavarur. Nëse një shtet do të kishte dëshiruar ta njeh Kosovën, ai do ta kishte bërë këtë, pavarësisht se a ka apo nuk ka ndonjë trup mbikëqyrës.

Nëse e merrni si shembull Bosnjën-atje ka ende një trup mbikëqyrës, por kjo nuk e ka ndalur Bosnjën të njihet nga disa shtete dhe të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara. Nuk pres që përmbyllja e mbikëqyrjes së pavarësisë të rrisë njohjet. Ajo (përmbyllja e mbikëqyrjes) do të mund te ketë një ndikim tek shtetet anëtare të ISG-së dhe ajo që ka gjasa të shohim në të ardhmen është një përfshirje më e madhe e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Ajo që shpresoj se do të ndodhë është që BE-ja të vazhdojë ta luajë një rol më të madh politik. Por, në përgjithësi nuk pres ndonjë ndryshim të madh përveç atij në terren që ka të bëjë me Përfaqësuesin Civil Ndërkombëtar, i cili do të mund ta kishte luajtur një rol aktiv në ndërmjetësimin Kosovë - Serbi.
XS
SM
MD
LG