Ndërlidhjet

Efektet e protestave dhe tubimeve publike


Protestë në Kosovë, foto nga arkivi
Protestë në Kosovë, foto nga arkivi
Kosovën e rëndojnë probleme të mëdha, si në aspektin politik, ekonomik dhe shoqëror.

Për të gjitha këto çështje, në vend, deri më tani ka pasur shumë pakënaqësi të cilat janë manifestuar në forma të ndryshme. Një nga format më të shpeshta ka qenë mbajtja e protestave.

Por, sa kanë treguar efekte këto organizime? Sociologë dhe psikologë nga Kosova, japin vlerësimet e tyre.



Ardian Gola, profesor në Fakultetin Filozofik, në Departamentin e Sociologjisë, vlerëson se efekti i tubimeve publike nuk është i duhur.

Ai madje thotë se që nga përfundimi i luftës është krijuar një hezitim i shoqërisë për të shprehur pakënaqësitë e tyre.

Qytetarëve, thotë ai, iu është krijuar një lloj frike psikologjike, se pjesëmarrja në protesta rrezikon proceset politike.

Unë konsideroj se shoqërisë kosovare po i mungojnë ata filtrat e artikulimit të revoltës qytetare, zëri kritik, vetëdija kritike. Zëri qytetar është mjaft i ngufatur në mjedisin tonë politik dhe social”.

Mediat, organizatat joqeveritare, partitë opozitare dhe formacionet e ndryshme sociale, të cilat synojnë të artikulojnë një zë kritik, me përjashtime të vogla, më shumë janë bërë pjesë dekoruese e këtij sistemi politik, sesa tipar fundamental i tij”, thotë Gola.

Edhe sociologu tjetër, Shemsi Reçica, thotë se kërkesat e paraqitura në tubimet publike në Kosovë janë realizuar pjesërisht.

Ajo që është pritur nga protestat as përafërsisht nuk është arritur. As pjesëmarrja e protestueseve në këto protestat nuk ka qenë aq e pritshme, kur të merren parasysh kushtet dhe rrethanat ekonomike, gjendja sociale në Kosovë, në përgjithësi”.

Do të thotë, pjesëmarrja në këto protesta është jashtëzakonisht simbolike, është jashtëzakonisht e vogël. Dhe, vërehet një lodhje e protestuesve për kërkesat e tyre”, shprehet Reçica.

Shumica e protestave dhe demonstratave nuk arrijnë qëllimin e tyre, thotë sociologia Linda Gucia, me gjithë faktin që sipas saj, në Kosovë, problemet janë të shumta, ndërkaq tubimet publike për të shprehur pakënaqësi janë të pakta.

Sot është krijuar një gjendje apatie apo dëshpërimi, që qytetarët mendojnë se gjendja është aq e keqe, sa që është e pashpresë. Apo mendojnë se sistemi është aq thellë i korruptuar sa çfarëdo lloji organizimi është i pashpresë. Ndërkaq, autoritet përkatëse nuk merren fare më protesta, deri sa ato të bëhen më masive”, thekson Gucia.

Ndërkaq, psikologia Flutura Gërmizaj, thotë se situata socio-ekonomike në vend paraqitet tejet e rëndë, ndërkaq shprehja e mospajtimeve për diçka konkrete është në nivel të duhur, krahasuar më shtetet e ndryshme të Evropës.

Megjithatë, ajo thotë se të reagosh ndaj padrejtësive është gjithmonë e drejtë.

Efekti është vështirë të matet, sepse duhet të bëhen studime të mirëfillta. Nëse në këtë rast, njerëzit shprehin pakënaqësitë dhe dalin në rrugë, kjo duhet të ketë një efekt, vendimmarrësit duhet të dëgjojnë zërin e tyre. Në vendet e zhvilluara, efektet vërehen por jo në Kosovë”, thekson Gërmizaj.

Sidoqoftë, në bazë të ligjit për tubimet publike, rregullohet e drejta për tubime publike, e fjalës së lirë në këto tubime, protestave, manifestimeve publike, koha dhe mënyra e lajmërimit, detyrat dhe përgjegjësitë e organizatorëve.

Tubimet publike janë të tubime të hapura të qytetarëve të organizuar në grupe, entitete, organizata joqeveritare, subjekte politike, në të cilat festohet, jepen shfaqje apo shprehet brenga dhe pakënaqësia për çështje të ndryshme.
XS
SM
MD
LG