Ndërlidhjet

SHBA: Thatësi e paparë në 50 vitet e fundit


SHBA...
SHBA...
Një thatësi me përmasa pothuajse historike në Shtetet e Bashkuara, ka shkaktuar dëme tejet të mëdha në kulturat bujqësore, por duket se kjo nuk u krijon shqetësim vetëm fermerëve amerikanë.

Kjo situatë ka ndikuar në ngritjen e çmimeve të ushqimit edhe jashtë kufijve të Shteteve të Bashkuara dhe mund të shkaktoj problem madhor global.

Departamenti amerikan i agrikulturës tashmë ka paraparë rritje të çmimit të artikujve ushqimor vendës gjatë vitit të ardhshëm për 3 deri në 4%, derisa 1 mijë rrethe në Shtetet e Bashkuara janë shpallur hapësira të shkatërruara.

Të dhënat e publikuara më 26 korrik nga Monitoruesi i Thatësisë në Shtetet e Bashkuara, tregojnë se situata vetëm se po përkeqësohet, ndërsa janë të prekura gati 2/3 e Shteteve të Bashkuara.

Robert Thompson, ish drejtor i agrikulturës dhe i zhvillimit rural në Bankën Botërore, thotë se thatësi e këtillë ndodhë një apo dy herë gjatë një shekulli.

Kjo është thatësi që ndodhë një ose dy herë gjatë shekullit dhe është më e rëndë se që ndokush e ka parashikuar. Është shumë e rëndë sa i përket misrit dhe sojës”, thotë Robert Thompson.

Misri është goditur më së tepërmi nga temperaturat e larta dhe mungesë të shiut. 78% të prodhimeve bujqësore në Shtetet e Bashkuara janë të prekura, ndërsa në përmasë 11% është goditur soja në mbarë Amerikën.

Meqë Shtetet e Bashkuara janë prodhuesi më i madh i të dy këtyre kulturave (misri dhe soja), kjo do të thotë se pasojat do të ndjehen edhe jashtë Shteteve të Bashkuara.

Çmimet më të larta të misrit dhe sojës do t’i shtojnë kërkesat për grurë, kështu që mund të rritet edhe çmimi i drithërave.

Sipas Bankës Botërore, çmimet globale për misër dhe grurë janë rritur më se 45 e deri në 50% përkatësisht, prej mesit të muajit qershor. Çmimi i sojës është rritur për afro 30% prej 1 qershorit.

Banka Botërore ka premtuar t’i ndihmoj qeveritë për t’i zbutur pasojat e thatësisë me anë të financimit të shpejtë të programeve të tjera. Vendet në zhvillim, përfshirë edhe ato në Amerikën Qendrore dhe në nën-Saharanë Afrikane, pritet të goditen më së tepërmi.

Sipas zotit Thompson, vendet mund ta shtojnë presionin në çmimet e ushqimit duke i depozituar drithërat, siç kanë vepruar gjatë krizës së ushqimit në vitin 2008.

Atëherë India e kishte ndalur eksportin e orizit, ndërsa Rusia dhe Ukraina, e kishin kufizuar maksimalisht eksportin e grurit.

Ka edhe shqetësime se mund të rikthehet situata e vitit 2011, kur rritja e çmimeve të ushqimit ka ndihmuar në revolucionet popullore në Botën Arabe.

Asgjë nuk mund ta përmbysë qeverinë më shpejtë se populli i uritur, prandaj nuk është vështirë për të shkaktuar panik te konsumatorët dhe qeveritë”, thotë Robert Thompson.

Rritja e çmimeve dhe mungesa potenciale e ushqimit i ka alarmuar edhe organizatat humanitare.

Rene MekGafin, zëdhënëse e Programit Botëror të Ushqimit të Kombeve të Bashkuara (WFP), thotë se thatësia mund të ketë pasoja serioze për qëllimin e këtij programi, për t’i ushqyer miliona njerëz në vendet nga Afganistani e Etiopia, e deri në Irak dhe Kazakistan.

Çmimet e larta dhe shpërthyese të ushqimit ndikojnë edhe në Programin Botëror të Ushqimit dhe në aftësinë tonë për t’i ushqyer më të varfrit e botës në dy mënyra: ne duhet të shpenzojmë më tepër për t’u furnizuar me ushqim për të uriturit dhe ne vlerësojmë se çdo 10% i rritjes në çmim të ushqimit, që ne e shpërndajmë, do të thotë 200 milionë dollarë më tepër në vit na duhen për ta blerë sasinë e njëjtë të ushqimit. Njëherësh, çmimet shpërthyese të ushqimit e shtojnë numrin e njerëzve, që u duhet ndihma në ushqim”, thotë Rene MekGafin nga Programi Botëror i Ushqimit i Kombeve të Bashkuara, që është agjencia më e madhe humanitare në botë e fokusuar në luftimin e urisë.

Megjithëqë ndikimi i plotë i thatësisë në Shtetet e Bashkuara, në çmimet globale të ushqimit, mund të paraqitet pas disa muajve, sipas ekspertëve, duhet pasur parasysh se kriza e ushqimit duket se ndodhë me frekuencë të rritur.

Si pasojë e ndryshimit klimatik, ne po shohim ndodhje më të shpeshtë të zhvillimeve klimatike ekstreme: thatësi ekstreme, vërshime ekstreme. Kishim vërshime në Pakistan, para disa vitesh, kishim thatësi të rëndë në 5 vitet e fundit në Rusi dhe në Australi. Kjo ka ndikim në rritjen e jostabilitetit dhe në rritjen e rezikut në tregjet globale të agrikulturës”, Robert Thompson, ish drejtor i agrikulturës dhe i zhvillimit rural në Bankën Botërore.

Në mungesë të mundësisë për t’u marrë me ndryshime klimatike, vendet do të duhet t’i harmonizojnë politikat në agrikulturë, thotë zoti Thompson, duke shtuar se duhet të investohet në kërkime të prodhimit të llojeve të ndryshme të drithërave, që janë më tepër rezistuese ndaj vërshimeve dhe thatësisë. (f. b.)
XS
SM
MD
LG