Ndërlidhjet

Kuçi paraqet kërkesat në “Shkëmbimin e letrave”


Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi

Shkëmbimi i Letrave në mes të Kosovës dhe BE-së duhet të ketë disa gjëra parasysh: respektimin e bazës ligjore të Kosovës, kufizimin e mandatit te EULEX-it deri më qershor të vitit 2014, pëlqimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve nga institucionet e Kosovës, krijimin e një marrëveshje bilaterale në mes të Kosovës dhe BE-së nëpërmjet këtij shkëmbimi letrash dhe miratimin e marrëveshjes nga Kuvendi i Kosovës.

Këtë kërkesë e bëri zëvendëskryeministri dhe ministri i drejtësisë, Hajredin Kuçi, gjatë takimit me një delegacion në përbërjen e të cilit ishin Përfaqësuesi Special i Bashkimit Europian në Kosovë, Samuell Zhbogar, Zëvendës-ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Kelli C. Degnan, dhe Zëvendës-shefii i EULEX-it Endi Sparks.

“Shkëmbimi i letrave”, siç mësohet nga komunikata për media e ministrisë së drejtësisë, nënkupton vazhdimin e mandatit të misionit EULEX në Kosovë, gjë që kërkon një ftesë të Prishtinës drejtuar BE-së.

Zëvendëskryeministri Kuçi thuhet se u kërkoi pjesëmarrësve në takim gjithashtu ndihmë nga pala e EULEX-it për procesin e liberalizimit të vizave dhe atë të marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit .

Në takim thuhet se u diskutuan edhe një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me definimin e detyrave të EULEX-it dhe palës kosovare, të cilat do të përfshihen në një marrëveshje partneriteti në mes të qeverisë së Kosovës, Zyrës së BE-së në Kosovë dhe EULEX-it.

“Në përcaktimin e këtyre detyrave, zëvendëskryeministri Kuçi tha gjithashtu që duhen: zhvilluar objektiva të qarta me afate te caktuara për detyrat e përmendura në këtë marrëveshje, analizuar pasojat ligjore dhe buxhetore për sa i përket këtyre detyrave dhe që duhet të përfshihet Plani për Transferimin e Kompetencave nga EULEX-i në institucionet e Kosovës, siç u propozua në tetor 2011 dhe u përsërit në Bruksel në maj 2012”, thuhet në komunikatën për media.
XS
SM
MD
LG