Ndërlidhjet

Në Kosovë, sipas përfaqësuesve të Bankës Qendrore të Kosovës po vazhdon trendi i rritjes ekonomike, por në nivel më të ngadalshëm sesa që ishte në vitin e kaluar.

Norma e rritjes ekonomike sivjet parashihet të arrijë vetëm 3.8 për qind, përderisa gjatë vitit 2011 ishte 5 për qind.

Kjo normë më e ultë do të ndodhë për shkak se kriza e vendeve të Eurozonës do të reflektohet në rënien e dërgesave të mërgimtarëve, në rënien e eksportit dhe investimeve të huaja të drejtpërdrejta në Kosovë.

Sidoqoftë, në Kosovë do të ketë qëndrueshmëri financiare, thanë zyrtarë të Bankës Qendrore të Kosovës, gjatë prezantimit të raportit të vitit 2011 dhe zhvillimeve ekonomike në gjashtë mujorin e parë të vitit 2012.

Guvernatori i BQK-së, Gani Gërguri, tha se gjatë vitit 2011 është ruajtur qëndrueshmëria financiare, dhe kjo, sipas tij, do të vazhdojë edhe gjatë këtij viti.

Sistemi financiar i Kosovës do të vazhdojë zgjerimin e aktivitetit duke ruajtur nivelin e qëndrueshmërisë, ndërsa zhvillimet në ekonominë globale mund të ndikojnë edhe në rrjedhën e tregtisë si dhe kategorive tjera të bilancit të pagesave, siç janë dërgesat e emigrantëve dhe investimet e huaja direkte”, theksoi Gërguri.

Prodhimi i brendshëm bruto gjatë vitit 2011 tejkaloi shumën prej 4.7 miliardë eurosh, me një rritje prej 5 për qind krahasuar me vitin paraprak, por prodhimi i brendshëm bruto për kokë banori vazhdon të jetë në nivelin më të ultë në rajon, vetëm 2 mijë e 700 euro.

Dërgesat e emigrantëve ishin rreth 585 milionë euro, investimet e huaja të drejtpërdrejta 414 milionë euro, pastaj inflacioni prej 7.3 për qind, deficiti i lartë tregtar, ku importi ishte 2.4 miliardë dhe eksporti vetëm 312 milionë euro.

Sidoqoftë, gjatë vitit 2011 aseset e bankave arritën vlerën prej 3.5 miliardë eurosh, me një rritje prej 9.3 për qind, kreditë arritën në 1.7 miliardë, me një rritje prej 16.4 për qind kurse depozitat prej 2.1 miliardë me një rritje prej 8.5 për qind, dhe kreditë joperformuese vetëm 5.7 për qind.

Kryetari i bordit të drejtorëve të Bankës Qendore, Gazmend Luboteni, tha se pavarësisht krizës financiare në disa vende të Eurozonës, e cila është reflektuar në rënien e dërgesave të mërgimtarëve, Kosova në vitin 2011 ka shënuar rritje të mirë ekonomike.

Kosova përkundër të gjitha këtyre problemeve ka arritur të ruajë rritjen ekonomike pozitive edhe në vitin e kaluar prej 5 për qind, parashikimet për sivjet janë shumë më ulëta, parashihet rreth 3.8 për qind të jetë norma e rritjes ekonomike”, tha ai.

Në anën tjetër, Arben Mustafa, analist në BQK, theksoi se gjatë gjysmës së parë të këtij viti ka pasur një stabilizim të inflacionit 1.5 për qind, rënie e eksporteve për 24.4 për qind, nivel i njëjtë i importeve, rënie të dërgesave të emigrantëve për 4.8 për qind e po ashtu rënie të investimeve të huaja direkte prej 27.6 për qind.

Gjatë këtyre muajve të parë të këtij viti kemi pasur një rënie të lehtë të dërgesave të emigrantëve të cilat kanë shënuar një rënie prej 4.8 për qind dhe po ashtu një rënie të investime të huaja direkte. Kur jemi remitencat të cilat paraqesin një burim mjaft të rëndësishëm të financimit për ekonominë e Kosovës nuk presim ndonjë tronditje të madhe kur kemi parasysh se këto dërgesa kanë qenë mjaft stabile gjatë këtyre viteve dhe duke pasur parasysh faktin se këto dërgesa dërgohen në shuma të vogla dhe përdoren për të plotësuar konsumin bazik”, u shpreh ai.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG