Ndërlidhjet

KS vendos për konfliktin Sudan-Sudan Jugor


Pamje nga Këshilli i Sigurimit
Pamje nga Këshilli i Sigurimit
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara pritet t’i kushtojë një vëmendje të shtuar respektimit të afatit të paraparë për 2 gusht rreth zgjidhjes së mosmarrëveshjeve ndërmjet Sudanit dhe Sudanit Jugor, bëri të ditur ambasadori britanik në OKB.

“Ne do t’ia hedhim një sy zbatimit të Rezolutës 2046 dhe afatit të paraparë për zbatimin e saj më 2 gusht”, tha Mark Liëll Grant para gazetarëve në Nju Jork.

Rezoluta 2046 bën thirrje për një marrëveshje gjithëpërfshirëse lidhur me konfliktin në Sudan pas shpalljes së pavarësisë së Sudanit Jugor në korrik të 2011-ës.

“Në veçanti do të kërkojmë një raportim nga Tabo Mbeki i Unionit Afrikan gjatë javës së ardhshme për të parë sa progres është bërë lidhur me rezolutën”, tha diplomati britanik për të shtuar:

“Këshilli do të vendos se çfarë të bëjë më pas”.

Kartumi dhe Xhuba kanë mbajtur një varg diskutimesh nën ndërmjetësimin e Unionit Afrikan që nuk kanë rezultuar me ndonjë marrëveshje precize.

Bisedimet u ndërprenë kah mesi i muajit korrik pas një takimi në Adis Adaba, gjatë të cilit palët shkëmbyen akuza të ndërsjella për ndërhyrje në punët e brendshme shtetërore.
XS
SM
MD
LG