Ndërlidhjet

Millanoviq flet rreth marrëveshjes për kufijtë me Bosnjën


Kryeministri kroat, Zoran Millanoviq
Kryeministri kroat, Zoran Millanoviq
Kryeministri i Kroacisë, Zoran Millanoviq, tha në një intervistë televizive të transmetuar të martën mbrëma se iniciativa për ratifikimin e një marrëveshjeje të 1999-ës ndërmjet Kroacisë dhe Bosnjës ka ardhur nga pala kroate dhe se qëllimi i dokumentit në fjalë ishte përmbyllja e një varg çështjesh dhe lidhja e Dobrovnikut me pjesën tjetër të shtetit.

Ai ritheksoi se marrëveshja është nënshkruar 13 vite më parë, se është diskutuar në nivel diplomatik dhe se kufijtë ndërmjet të dyja shteteve ishin caktuar deri në vitin 2005, kur marrëveshja ishte ligjshmërisht e pjekur për ratifikim, por nuk ishte ratifikuar për arsye politike.

“Dy muaj më parë ne erdhëm në përfundim se do të duhej ta diskutonim këtë çështje me fqinjtë tanë dhe e tërë kjo doli nga një konsultim që bëra me zonjën Pusiq (ministren e jashtme kroate). Nuk ka asgjë të re këtu”, citon agjencia e lajmeve HINA Millanoviqin gjatë intervistës për HRT-në.

Ai tha se Kroacia beson në të drejtën ndërkombëtare dhe se dëshiron që kriteret e njejta të zbatohen në raport me të gjithë fqinjtë dhe organizatat ndërkombëtare.

“Fakt është se kemi nënshkruar një marrëveshje në nivelin më të lartë dhe se një marrëveshje e tillë prodhon disa efekte ligjore”, tha kryeministri kroat.

Ndërsa, duke komentuar mundësinë e tërheqjes nga marrëveshja para ratifikimit të saj, ai tha se “e tëra do të duhej të rifillonte nga e para-të kalojmë në mijëra kilometrat e kufirit dhe të merremi me një varg çështjesh të reja që nuk janë zgjedhur brenda 20 viteve të fundit”.
XS
SM
MD
LG