Ndërlidhjet

Rukiqi: Në Kosovë, ambient i pabarabartë biznesor


Berat Rukiqi
Berat Rukiqi

“Sistemi gjyqësor jo efikas në Kosovë ka bërë që fusha e prokurimit në Kosovë të mbetet si një nga fushat më të korruptuara në Kosovë, dhe në këtë mënyre bizneset kosovare të funksionojnë në një ambient të pabarabartë biznesor dhe kështu po krijohet një konkurrencë e padrejtë", tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Rukiqi, fusha e prokurimit nga raportet vendore dhe ndërkombëtare cilësohet si njëra nga fushat më të korruptuara në Kosovë. Sa po dëmtohen bizneset nga kjo?

BERAT RUKIQI
Problemet e prokurimit publik janë probleme që e përcjellin Kosovën, e përcjellin edhe një pjesë të vendeve të rajonit, për shkak se është ajo pjesa më e ndjeshme duke pasur parasysh se është shpenzim i parasë publike, ku ndërmarrjet ftohen që të konkurrojnë në mënyrë të barabartë, mirëpo gjithmonë ekziston një percepcion se jo gjithçka shkon në rregull.

Dhe, kjo ndodh edhe në Kosovë, duke pasur parasysh që vazhdimisht ka ankesa, mirëpo ankesa që tash në formë të shkruar nuk parashtrohen nga bizneset, mirëpo ato përhapin një lloj shqetësimi që në prokurimin publik nuk janë gjithë të barabartë mund të ketë favorizime dhe kjo pastaj ndikon në konkurrencën e lirë.

Tani i kemi disa ndryshime në ligj të cilat besoj që do të mundësojnë që së paku të përmirësohet si fushë dhe mos të kemi këto probleme.

RADIO EVROPA E LIRË
A po luftohet mjaftueshëm eliminimi i kësaj dukurie në Kosovë nga Institucionet e Kosovës?

BERAT RUKIQI
Ka një rritje të rolit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) në shqyrtimin e ankesave që vinë nga bizneset, pra edhe bizneset bëjnë më shumë ankesa se sa që kanë bërë në të kaluarën, duke i mundësuar OSHP-së që t’i vlerësojë ato. Si organ mendoj që ka avancime në punën e vet, duke pasur parasysh që kemi disa raste kur kemi anulim të tenderëve të rëndësishëm, si vlerësim i asaj që procedura apo procesi përgjithësi nuk ka shkuar mirë , pra kjo është një shenjë pozitive.

Mirëpo, në anën tjetër, duke pasur parasysh rolin e gjykatave që shumë pak ka progres në rregullimin apo në trajtimin e këtyre çështjeve atëherë mendoj që në pjesën e gjykatave apo rolit të sistemit gjyqësor në këtë fushë kemi shumë më pak progres dhe aty duhet të jetë fokusi, pra që gjitha firmat, gjitha bizneset të njihen të barabarta dhe në rast se ato dëmtohen ta kenë një adresë ku të drejtohen. Ajo që bizneset nuk ankohen zyrtarisht është ndoshta edhe si pasojë e asaj që kanë pak besueshmëri në sistemin gjyqësor të vendit.

RADIO EVROPA E LIRË
Sektori privat në vazhdimësi ka ngritur shqetësime se në Kosovë nuk ka politika të favorshme për të ngritur kapacitet e tyre. Sa është e vështirë për bizneset vendore funksionimi i tyre në Kosovë?

BERAT RUKIQI
Ajo që mungon është një lloj sigurie juridike, siç e thashë pra, besimi në sistem, dhe besimi në sistem e rritë edhe të themi, atë gatishmërinë e bizneseve për t’i rritur investimet. Aspekti tjetër ka të bëjë me financat. Pra, qasja në financa në Kosovë me norma të interesit të larta, shumë biznese i kufizon në veprimtarin e vet.

Pastaj është tregu i vogël, po mendoj në një treg të tillë me pak investime dhe me pak kapital të freskët është shumë vështirë të funksionohet, pastaj është një konkurrencë jo lojale mendoj nga një pjesë e vendeve të rajonit që aplikojnë edhe politikat subvencionuese në eksport, aplikojnë edhe firmat e tyre politikat damping për me hy në tregun e Kosovës ku një pjesë e madhe e industrive janë industri që njihen si ‘industri foshnjore’ që e kanë shumë vështir të mbijetojnë me një konkurrencë të tillë, ku konkurrohet në mënyrë të barabartë.

Mirëpo, gjithmonë dikush është më i barabartë se sa ky i barabarti duke u përkrah qoftë nga shteti nga vjen, nga shteti i origjinës, që në mënyrë ekstensive bëhen subvencione qoftë duke aplikuar politika që ata i kanë mirë njohura për shkak përvojës me çmime damping.

Ajo që tash është shqetësim kryesor i bizneseve është në përgjithësi pjesa e barrierave administrative apo të këtyre licencave lejeve që kërkohen në nivele të ndryshme. Ka shumë, të themi, licenca dhe barriera tjera të bërit biznes që janë komplet të panevojshme, nuk janë menduar kur janë bërë ligjet për inpaktin e tyre që mund ta kenë në biznes dhe mendoj që duhet të vjen një kohë që këto të gjitha të analizohen.

RADIO EVROPA E LIRË
I përmendet vendet e rajonit ku thoni se janë Institucionet shtetërore që mbrojnë bizneset vendore. Çfarë po bëhet nga institucionet Kosovës që të mbrohet prodhimi vendor nga importi?

BERAT RUKIQI
Po një debat që duhet me të hapet tash në Kosovë është politika e subvencionimit. Unë jam kundër subvencionimit si parim, apo të themi mendimi im parimor është që jo gjithmonë shteti duhet me qenë aktiv me subvencione, për shkak se mund ta dëmtojë konkurrencën nga aspekti parimor ekonomik.

Mirëpo, nga aspekti praktik tash që kemi në Kosovë, duke parë atë parimin e funksionimit të tregtisë së lirë në rajon, duke parë politikat e vendeve të rajonit, atëherë sigurisht duhet të qëndrojmë e në anën e asaj se çka është praktike. Duhet të gjejmë forma që prodhuesit tanë të jenë në gjendje që ta rrisin produktivitetin e subvencionimi të shkon në ato pika ku mund të rritet produktiviteti i ndërmarrjeve tona në mënyrë që të konkurrojnë të barabarta me ndërmarrjet e vendeve tjera.

Ky debat në njëfarë forme ka qenë ndoshta ‘tabu’, duke pasur parasysh që ne kemi pasur një angazhim gjithëmbarshëm për me i respektuar marrëveshjet ndërkombëtare, obligimet ndërkombëtare, mirëpo duke pas parasysh vendet e rajonit që nuk kanë qëndruar në të njëjtën linjë në raport me marrëveshjen ndërkombëtare edhe me marrëveshjen e tregtisë së lirë, mirëpo kanë gjet forma për t’i përkrah prodhuesit e vet, atëherë sigurisht kjo ka implikime edhe për neve dhe këto implikime neve na shtyjnë drejt asaj që të diskutojmë se cila është politika jonë ndaj prodhimit vendor.

Është bërë mjaft, mirëpo kur them është bërë mjaft është bërë mjaft për një periudhë kohore, mirëpo tash konkurrenca dinamika e tregjeve ndërkombëtare e konkurrencës, duke pas parasysh globalizimin në ardhjen e produkteve të lira nga vendet si Kina, Turqia apo vendet tjera neve na implikon që të kemi politika që mundësojnë që produktet tona të jenë konkurruese

RADIO EVROPA E LIRË
Një investitor i huaj cili do të dëshironte të vinte në Kosovë dhe të investonte kapitalin e tij, çka i ofron Kosova?

BERAT RUKIQI
Nëse e shikojmë nga aspekti i resurseve Kosova ofron. Nëse investitori bazohet në madhësinë e tregut fatkeqësisht ne jemi treg i vogël, mirëpo duke i shfrytëzuar marrëveshjet e tregtisë së lirë dhe duke i shfrytëzuar preferencat tregtare me vendet e ndryshme ne mundem ta konsiderojmë veten si pjesë e tregut më të madh. Fuqia blerëse në këtë pozicionimin në këtë lokacionin gjeografik që është Kosova nuk është shumë e madhe prandaj kjo për një kohë ka qenë disavantazh sidomos nëse ne krahasohemi me këtë Kroacinë apo me Serbinë.

Kur jemi të aspekti i lirisë ekonomike apo i hapjes ekonomike ne kem mjaft ligje të favorshme pra që trajtojnë barabartë investitorin e huaj me investitorin e vendit. Në një anë tjetër kemi disa disavantazhe në raport me vendet e rajonit, gjitha vendet e rajonit e kanë marrëveshjen e stabilizim asociimit që ka pasur një rol në vendimet e investitorëve dhe Kosova nuk e ka këtë.

Mendoj se tani duhet të fokusohemi në resurset, dy anë të resurseve, qoftë resurse natyrore, qoftë resurset humane. Te resurset humane të sigurojmë që fuqia e punëtore jo vetëm të jetë e lirë për nga kostoja, mirëpo të jetë edhe e edukuar edhe cilësore edhe të jetë e gatshme të ju përgjigj nevojave të tregut të punës, ndërsa te resurset natyrore ata duhet të prezantohen siç duhet. Në mbarë botën është një lloj atraktiviteti për minierat duke pas parasysh çmimin e metaleve dhe çmimin e produkteve që janë si derivat i koncentratit të ndryshëm që nxirret nga minierat t’i promovojmë këto projekte, të sigurojmë qartësi të mjaftueshme ligjore.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendet promovimin e resurseve natyrore. Kosova tani ka filluar ta bëjë këtë. Ky promovim është duke u bërë në mënyrën e duhur?

BERAT RUKIQI
Po ka një qasje tash që me konferenca të mëdha promovohen investimet apo të promovohen mundësit për investime. Unë mendoj që është qasje e gabuar që të organizohen vetëm konferenca është shumë më mirë që investitorët të ftohen këtu të punohet me grupe të fokusuar të investitorëve dhe kjo puna me grupe të fokusuara me investitorë nuk ka ndodh deri tash. Qasja ka qenë të shkohet në kryeqytete botërore dhe me ftua grupe investitorësh me pas prezantime dhe pastaj mos me pas edhe një vazhdimësi.

Mendoj që duhet ne të ulemi gjithë dhe këtu ka rolin edhe Oda Ekonomike e Kosovës që ta gjejmë një qasje që të punojmë me grupe të fokusuara te investitorëve, të bisedojmë me ta të ju prezantojmë mundësit tona, të ju tregojmë alternativat tona, të tregojmë që ai realiteti që shpesh herë prezantohet në media ndërkombëtare është më shumë percepcion sesa që është fakt, për shkak se atje më shumë transmetohet imazh shumë negative për Kosovën.

RADIO EVROPA E LIRË
Sipas raporteve të Bankës Qendrore të Kosovës kemi rënie të investimeve të huaja. Kjo rënie, sa do të ndikojë në rritjen ekonomike të Kosovës?

BERAT RUKIQI
Megjithëse ka gjithmonë kritika që rritja ekonomike e Kosovës nuk po reflektohet në zhvillim edhe pse është rritje stabile në raport me vendet tjera që kanë pas problem me krizën me dy cikle të krizave 2008 dhe tash prapë pas krizës të eurozonës.

Ajo që është shqetësuese është që ne nuk mund të llogarisim në një rritje të dyfishuar ekonomike. Pra parashikimet janë që të kemi një rritje të tille konservative edhe për periudhën e ardhshme afat shkurt dhe këtu humb ai optimizmi.

Unë gjithmonë, duke pasur një optimizëm të matur, mendoj që mbajtja e ritmit të rritjes është me rëndësi po duhet definitivisht të bëhen përpjekje që të dyfishohet kjo, dhe tash perspektiva mund të jetë në zbatimin e suksesshëm të projekteve në energji dhe telekomunikacion. Perspektiva mund të jetë në anëtarësimin e Kosovës në Bankën Evropiane për zhvillim dhe Rindërtim, për shkak se anëtarësimi në BERZH mundëson qasjen e fondeve zhvillimore.

RADIO EVROPA E LIRË
Anëtarësimi i Kosovës në BERRZH është thënë se do të bëhet së shpejti. Cilat mendoni se do të ishin ato projekte që do duhej t’ia prezantonte Kosova këtij mekanizmi financiar ndërkombëtar që më pas ata ta përkrahin?

BERAT RUKIQI
Po tash nuk mund të emërohet një projekt përderisa nuk e kemi atë projekt të zhvillimit. I vetmi projekt që tash pret është projekti i autostradës Prishtinë-Shkup, që në kushte normale duhej të prezantohet dhe që do të ishin pranuar në BERZH.

Po janë edhe projekte tjera sidomos duhet me u pa projektet në shëndetësi duhet me u pa projektet në edukim. Shëndetësia që është diçka bazike për mirëqenien e njerëzve dhe edukimi kur them edukimi duhet që një pjesë e kapaciteteve të reja apo mundësive të reja apo rritja e cilësisë në edukim të jetë një nga ato fushat që mund të përkrahen dhe bie brenda asaj pjesës fizibile që e ka Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Dhe definitivisht pjesa e fundit që do të duhej të ishte bujqësia dhe zhvillimi rural me projekte më madhore sesa këto projekte të granteve që përkrahin disa fermer po që inpaktet janë shumë më te vogla sesa një projekt i madh për përkrahjen e kësaj fushe.
XS
SM
MD
LG