Ndërlidhjet

Maqedonia heq reciprocitetin me Kosovën


Ilustrim
Ilustrim
Qeveria e Maqedonisë ka miratuar vendimin për heqjen e taksës doganore me Kosovën për importin e ujit të ambalazhuar dhe për gypat e salduar që ishte vendosur si masë reciproke pas vendimit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës për vendosjen e taksës doganore për importin e çimentos prej 35 për qind.

”Me shfuqizimin e këtij vendimi gjegjësisht me heqjen e tatimit shtesë nga ana e Qeverisë së Kosovës, i cili vendim hyn në fuqi sot, nuk do të paguhet tatim për çimenton prej 35 për qind. Në këtë drejtim është dhe vendimi i Qeverisë së Maqedonisë, gjegjësisht tërheqja e masës së reciprocitetit për gypat e salduar dhe ujin e pijshëm që importohen nga Kosova, i cili, vendim hyn në fuqi nga dita e sotme - 1 gusht”, bën të ditur për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Qeversisë së Maqedonisë, Muhamet Hoxha.

Sipas zëdhënësit Hoxha, “shfuqizimi i vendimit për taksën doganore është në frymën e bashkëpunimit të mirë ndërmjet Maqedonisë dhe Kosovës duke eliminuar barrierat doganore ndërmjet dy shteteve njëherësh duke i hapur rrugë bashkëpunimin të mirë në lëmin e tregtisë.

Por, ekspertët e ekonomisë thonë se vendosja dhe heqja e ndalesave, e cila ka filluar të praktikohet ndërmjet dy vendeve është në funksion të përfitimit të qarqeve të caktuara në dëm të zhvillimit të përgjithshëm të ekonomisë.

“Mendoj se lufta tregtare që mund të bëhet ndërmjet dy shteteve, në rastin konkret ndërmjet Maqedonisë dhe Kosovës, bëhet për shkak të interesave që mund të ketë ndonjë aktor politik në të dy skenat e politikës - qoftë asaj të Kosovës, ose asaj të Maqedonisë. Por, në momentin kur shihet reagimi i komunitetit të biznesit se dëmtohet zhvillimi ekonomik - ‘ata’ tërhiqen”, shprehet Visar Ademi, ekspert për çështje ekonomike.

Sipas Ademit, veprimet e këtilla kanë pasoja më afatgjata, veçanërisht kur kihet parasysh se rritet kostoja e veprimit të filialeve si pika shitjeje, ngase për javë ose muaj të tërë mbeten të mbyllura duke mos realizuar shitje

“Është shumë normale që nëse kërkohet një lloj protektorizmi për kompanitë vendore, prodhimet vendore, atëherë shitësit e huaj largohen nga ideja për të shitur në vendin e dytë. Kështu që kjo ndikon në marrjen e vendimit për kthimin e resurseve, por gjithsesi ka kosto të lartë, sepse paraprakisht ata kanë bërë investime si në resurset njerëzore ashtu edhe në hapjen e filialeve dhe kjo lë një imazh të keq për investitorët e tjerë të huaj”, thekson Ademi.

Ndryshe, sipas të dhënave nga autoritetet qeveritare, importi vjetor i ujit nga Kosova në Maqedoni arrin vlerën prej 1.7 milion dollarë, derisa importi i gypave të hekurt të salduar arrin vlerën 2 milionë dollarë, ndërkohë që eksporti i çimentos nga Maqedonia në Kosovë arrin vlerën prej 24 milionë dollarësh në vit.
XS
SM
MD
LG