Ndërlidhjet

logo-print

STRAS jep rekomandime për sektorin ekonomik


Ndërtesa e qeverisë së Kosovës

Ndërtesa e qeverisë së Kosovës

Parashikimet e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës për perspektivën ekonomike të vendit janë alarmuese, të cilat qeveria e Kosovës duhet t’i pranoj si sinjal se është momenti i fundit të ndërmerr masa që vendi të mos futet edhe më thellë në varfëri, thekson Qendra për Hulumtime Strategjike dhe Sociale në një komunikatë për media.

Në dokumentin që mban nënshkrimin e drejtorit ekzekutiv të kësaj organizate, Ibrahim Rexhepi, STRAS drejton një varg kritikash në adresë të qeverisë së Kosovës, ndërsa jep gjithashtu rekomandime për përmirësimin e situatës aktuale ekonomike të vendit.

“...Premtimet e Qeverisë së Kosovës për rritje ekonomike 5 për qind do të mbeten në nivel të dëshirave. Ndërkaq, rritja sipas parashikimeve të BQK-së, në fakt tregon për rënie të thellë në krahasim me vitin e kaluar. Njëkohësisht, kjo normë e zhvillimit nuk do të kontribuojë për zbutjen e dy problemeve esenciale që ka Kosova–varfërinë dhe papunësinë”, thuhet, ndër të tjera, në komunikatë.

STRAS bën thirrje për veprime emergjente në frenimin e rënies ekonomike, rishikimin e planit strategjik për ekonomi, rishikimin e shpenzimeve kapitale dhe në sektorin e biznesit dhe atë bankar.

Meqenëse qeveria e Kosovës nuk ka mekanizëm që të intervenoj në politikat e bankave, organizata bën thirrje që të ndërmerren masa në fushën fiskale, apo në segmente të tjera që lehtësojnë zhvillimin e qëndrueshëm dhe stabil të biznesit.

Rrjedhimisht thuhet se qeveria duhet “Të parasheh pushime tatimore, posaçërisht për bizneset e reja dhe ato që premtojnë punësim dhe që- së bashku me pushtetin lokal, të ofrojë mundësi për shfrytëzim pa pagesë të lokacioneve për ndërmarrjet prodhuese e shërbyese dhe qasje më të lehtë në shërbimet publike”.
XS
SM
MD
LG