Ndërlidhjet

logo-print

KFOR-i do ndërhyrjen e autoriteteve “përgjegjëse” në veri


Pjesëtarë të KFOR-it në veri të Mitrovicës

Pjesëtarë të KFOR-it në veri të Mitrovicës

KFOR-i u bëri thirrje autoriteteve përgjegjëse “të intervenojnë për të ndaluar bllokadën ilegale të qarkullimit të mallërave në pjesën veriore të Portës 1 (Jarinje) në anën Serbe të vijës administrative kufitare”.

“Për të ruajtur ambientin e qetë dhe të sigurtë, KFOR-i ka vendosur disa pika kontrolli të automjeteve për të ndaluar qarkullimin e mallërave nëpër rrugë të paautorizuara përgjatë vijës administrative kufitare. Aktualisht, KFOR-i nuk ka as mision e as kapacitet për t’i kontrolluar automjetet e rënda në pikat e kontrollit të automjeteve. Prandaj KFOR-i kërkon që trafiku i mallërave të kryhet duke përdorur ekskluzivisht kalimet kufitare të autorizuara siç janë Porta 1 (Jarinje), Porta 3 (Merdare) dhe 31 (Brnjak)”, thuhet në njoftim të misionit.

Pohimet se masat e KFOR-it aktualisht ndikojnë në furnizimin elementar të popullatës lokale, theksoi KFOR-i, “nuk janë të sakta meqë hyrja në Kosovë mund të bëhet lehtësisht nëpërmjet Portës 3 (Merdare) dhe Portës 31 (Brnjak)”.

Pohimet se trafiku komercial i vendosur ndërmjet Vijës Administrative kufitare dhe pikës së KFOR-it për kontrollë të automjeteve është i detyruar të qëndrojë në vend, janë poashtu false, thuhet në njoftim.

KFOR-i njoftoi se u ofroi ngasësve të automjetve t’i përcjellin ata për në Portën 1 për procesim-gjë që, siç thuhet, nuk është pranuar.

KFOR-i theksoi se “nuk do të lejojë asnjë zhvillim në terren i cili kërcënon ambientin e qetë dhe të sigurtë apo kufizon lirinë e lëvizjes”.
XS
SM
MD
LG