Ndërlidhjet

logo-print

Klinë: Dëshmitarët ndërrojnë rrëfimin për sulmin në Grapc

  • RFE /RL

Mediat serbe të informimit kanë njoftuar për një sulm të një “grupi shqiptarësh” në fshatin Grapc të komunës së Klinës, disa nga banorët e të cilit thuhet të jenë pjesëtarë të kthyer të komunitetit serb.

Policia e Kosovës në Klinë është njoftuar në orët e para të mëngjesit të sotëm se në fshatin Grapc ka të shtëna me armë zjari dhe se ka të plagosur.

Në vendin e ngjarjes, njësitet e reagimit kanë intervistuar viktimën e raportuar, Radosh Madiq dhe bashkëshorten e tij, Radomirka Madiq, në cilësinë e deshmitares.

Xhevat Ibra, zëdhënësi i policisë rajonale në Pejë tha për Radion Evropa e Lirë se që të dy, në deklarimet e tyre të para, kanë thënë se “kishin vërejtur një automjet afër shtëpisë së tyre, nga i cili kanë zbritur tre persona të veshur me të zeza, njëri prej të cilëve kishte shkrepur armën një herë, kurse tjetri kishte hedhur gurë në drejtim të shtëpisë së tyre”.

Viktima, thuhet të ketë marrë plagë nga guri i hedhur në dritaren e shtëpisë.

Megjithatë, gjatë zhvillimit të procedurave hetimore dhe marrjes së deklarimeve me shkrim, zoti Ibra tha se çifti Madiq ka deklaruar se “nuk kanë vërrejtur asnjë automjet”, porse një të shtënë arme kishte pasur.

Dëshmitarja ka ndërruar rrëfimin e saj duke thënë se ‘edhe pse natë, njëri prej sulmuesve ka pasur këmishë të bardhë, kurse dy të tjerët kanë qenë të veshur në të zeza’”, tha zoti Ibra.

Ai tha se në vendin e ngjarjes nuk është gjetur asnjë gëzhojë, predhë apo dëmtim shtëpie nga armët. Gjithashtu, disa nga banorët e fshatit janë marrë në pyetje, në cilësinë e dëshmitarëve, por asnjëri prej tyre nuk ka dëgjuar krismë armësh dhe as nuk ka vërrejtur ndonjë automjet.

Zoti Radosh është dërguar në shtëpinë e shëndetit në Klinë, për trajtim të lëndimeve që ka pësuar nga guri i hedhur në dritare dhe sipas konstatimeve të mjekut, ai ka një shenjë të vogël lëndimi në këmbë.

Rasti është ende në hetim, kurse policia megjithatë ka shtuar numrin e patrullimeve në këtë lokacion, ka thënë Xhevat Ibra, zëdhënës i policisë rajonale në Pejë.(a.k.)
XS
SM
MD
LG