Ndërlidhjet

Maqedoni: Lustrimi, emrat e “spiunëve” do të publikohen në internet


Ilustrim

Ilustrim

Komisioni për Lustrim ka paralajmëruar se deri të premten në ueb faqen e komisionit do të publikojë emrat e ish bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit.

Bëhet fjalë për 10 persona, emrat e të cilëve tashmë qarkullojnë në opinion, por, që do të zyrtarizohen vetëm pas publikimit të tyre në internet.

Me ligjin e kaluar një gjë e tillë nuk parashihej, ndërsa tani, përveç emrave do të publikohen edhe vendimet si dhe dokumente tjera lidhur me bashkëpunimin e tyre me sigurimin e shtetit në bazë të të cilave komisioni edhe ka shpallur vendimin.

Por, disa nga anëtarët e komisionit janë shprehur kundër kësaj me arsyetimin se një veprim i këtillë është antikushtetues, pasi sipas tyre nuk mund që dikush të shpallet fajtor pa përfunduar të gjithë procedurat e nevojshme ligjore.

Me këtë ligj nuk ruhet prezumimi i pafajësisë. Me publikimin e emrave ashtu siç parashihet me ndryshimet e reja ne shkelim këtë parim pasi vendimi i komisionit nuk mund të konsiderohet pa pasur një epilog gjyqësor. Vlerësoj se ne duhet të presim përgjigjen edhe të Gjykatës Kushtetuese ku janë ngritur shumë iniciative për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjit, pra, së pari instanca më e lartë gjyqësore duhet të vendosë, dhe vetëm atëherë ne mund të nisim procedurën e lustrimit”, thotë anëtari i komisionit për lustrim, Çedomir Damjanovski.

Kryetari i komisionit, Tome Axhiev vlerëson të kundërtën. Sipas tij, ata që kundërshtojnë ligjin e ri, kundërshtojnë edhe procesin e Lustrimit.

Ata janë këtu vetëm për të penguar procesin e lustrimit, asgjë më shumë, pasi kjo mendoj se është në agjendën e tyre. Puna e ime në këtë çështje nuk është aspak me rëndësi. Unë jam si gjithë të tjerët, kam vetëm të drejtën e votës, vendimi është miratuar dhe si i tillë duhet të respektohet”, thotë Axhiev.

Por, me këtë vlerësim nuk pajtohen edhe njohësit e kësaj problematike.

Iniciatorët e këtij procesi thonë se Lustrimi ka humbur kuptimin pasi është shndërruar në luftë mes partive për etiketimin e të gjithë kundërshtarëve të tyre politikë.

Shpëtim Pollozhani, kryetar i shoqatës së të burgosurve politikë shqiptarë, që besohet se anëtarët e saj kanë qenë edhe viktimat më të shumta të ish shërbimeve të sigurimit të shtetit, thotë se fatkeqësisht me ndryshime e reja ligjore, puna e komisionit është e destinuar të dështojë.

Kjo nuk do të ketë aspak efekt praktikë, mund të kenë pak efekt mediat për njerëzit që duan sensacione pasi ndryshimet nuk janë në drejtim të arritjes së efektit të duhur. Gjithsesi qëndrimi jonë si shoqatë është se kjo që po ndodhë nuk është aspak etike dhe morale që me një klikim në kompjuter të dalin emrat për të cilët sot vërtetohen se janë spiunë kurse nesër gjyqi kushtetues vërteton se nuk janë spiunë dhe çdo gjë fillon nga e para”, thotë Pollozhani.

Me ndryshimet e reja ligjore, procesi i lustrimit do të përfshijë jo vetëm bartësit e funksioneve publike, por edhe të gjitha kategoritë tjera si të punësuarit në media, shoqatat joqeveritare, përfaqësuesit e partive politike, të bashkësive fetare si dhe afaristët të cilët kanë përfituar më shumë se pesë për qind nga privatizimi i ndërmarrjeve shtetërore në kohën e tranzicionit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG