Ndërlidhjet

WP: Kapitalizmi e jo kultura drejton ekonominë


Flamuri i SHBA-ve
Flamuri i SHBA-ve
"The Washington Post"

Mit Romni shpjegoi se komentet e bëra jashtë vendit tregojnë thjesht të vërtetën “Tentoj t’u tregoj njerëzve se në çfarë besoj në të vërtetë”, tha ai. Lidhur me një koment të debatuar gjatë-atë për dallimet ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve-shumë njerëz pajtohen me të.

Editorialet dhe kolumnat e publikuara në The Wall Street Journal , përfshirë ato të Mark A. Tisen dhe Xhon Podorec vunë në pah një pajtim me komentin në fjalë. Podorec shkroi: “Secili që publikon mendimet e tij, e ndihmon Romnin në zgjedhje”.

“Kultura përbën krejt dallimin”, tha Romni gjatë një organizimi për ngritjen e fondeve në Izrael, ku e krahasoi vitalitetin ekonomik të vendit me varfërinë palestineze. Natyrisht se ekziston një burim për këtë ide. Romni citoi Dejvid Landesin, një historian të ekonomisë.

Ai mund ta kishte cituar Maks Veberin, dijetarin e njohur gjerman, i cili e bëri i pari këtë vlerësim 100 vjet më parë në librin “Etika Protestante dhe Fryma e Kapitalizmit”. Në të thuhej se vlerat protestante ishin më të rëndësishmet për progresin ekonomik.

Problemi është se Veber veçoi dy kultura që thuhej se ishin të prirura për varfëri dhe stagnim-atë të Kinës dhe atë të Japonisë. Mirëpo, këto janë dëshmuar të jenë dy ekonomitë më të mëdha dhe më të zhvilluara në dekadat e fundit.

Gjatë dy dekadave të fundit, “shtëpi tjetër e fuqishme” ishte India, e cila me vite cilësohej ta kishte një kulturë të papërshtatshme për sukses ekonomik. Nga kjo buron dhe thënia “niveli hindu i rritjes” që përdoret për të përshkruar gjendjen ekonomike të shtetit, i cili ishte dikur në agoni.

Kina kishte stagnuar me shekuj dhe papritmas më 1980 nisi të indusrializohet tri herë më shpejt se sa perëndimi. Ajo që ndryshoi nuk ishte kultura e Kinës, e cila thuhet se ishte e njëjta më 1970 ashtu si më 1980. Ajo që ndryshoi, duke nisur nga viti 1979, ishin politikat ekonomike të Kinës.

Realiteti i njëjtë vlen edhe për Japoninë dhe Indinë. Po të kishte kaluar Romni më shumë kohë duke e lexuar Milltën Fridmanin, ai do të kishte kuptuar se historikisht çelësi kyç për zhvillim ekonomik është përqafimi i kapitalizimit dhe krijimi i institucioneve e politikave në përputhje me këtë ideologji.

Lidhja ndërmjet politikave ekonomike dhe performancës mund të shihet edhe në vendin, për të cilin Romni ka lavdërata të mëdha. Izraeli ka pasur, qysh moti, tipare të admirueshme, por askush nuk do ta quante një mrekulli ekonomike.

Ekonomia e këtij vendi ishte kryesisht e kontrolluar nga shteti. Gjërat ndryshuan më 1990 me reformat e drejtuara kah tregu dhe politikat e theksuara monetare, të iniciuara nga Benjamin Netanjahu.

Si rezultat, rritja ekonomike e Izraelit u rrit shumë më shpejt se sa që ishte rritur në vitet e 80-ta. Mrekullia, për të cilin fliste Romni, kishte të bënte më shumë me politika se sa me kultura.

Ironikisht, argumenti se kultura ka peshën kryesore për suksesin ekonomik të një shteti përdorej kryesisht nga aziatikët si argument për të dëshmuar se vendit të tyre nuk i duhet demokracia që kanë shtetet perëndimore. Lideri i Singaporit, Li Kuan Ju, e ka theksuar këtë me dekada të tëra.

Qëndrimi në fjalë është një pretendim i zakonshëm, meqë suksesi i Singaporit dukej se ishte në kundërshtim me të. Ai është aq i ndryshëm nga Malajzia fqinjë. Dallimi krucial është se Singapori ka pasur një udhëheqje të mire, e cila ka zhvilluar politika të mira ekonomike me një disiplinë të papërkulshme.

Pavarësisht këtyre të dhënave, shumica e njerëzve ende besojnë se dy kultura, veçanërisht ajo afrikane e ajo islame, pamundësojnë zhvillimin ekonomik. Por, dy shtetet, të cilat në të ardhmen pritet ta kenë një GDP prej një trilionësh janë dy demokraci myslimane-Turqia dhe Indonezia.

Nga dhjetë ekonomitë me zhvillimin më të shpejtë në botë sot, shtatë janë afrikane. Bota po ndryshon dhe këmbëngulja në ide fikse për kulturën shkakton shpërqëndrim nga dinamika ekonomike.

Kur shoqëritë ose popujt arrijnë sukses, ne analizojmë kulturën e tyre për origjinën e suksesit. Në kulturë, e cila është e shumanshme në pjesën më të madhe të vendeve, mund të gjesh çkado që kërkon.

Ne vëzhgojmë suksesin e hebrejëve, libanëve, kinezëve dhe popullit indian në shumë shoqëri dhe ia atribuojmë atë kulturës. Por, kjo mund të burojë vërtetë nga tiparet e diasporës së një shteti-grupeve të vogla të migrantëve të detyruar të jetojnë në kultura të huaja.

Në mënyrë interesante, palestinezët gëzojnë një reputacion në Lindjen e Mesme për të qenit tregtarë kalkulues-gjë që u ka ndihmuar në suksesin e tyre në Emiratet e Bashkuara Arabe, Jordani dhe në Arabinë Saudite.

Kultura është e rëndësishme. Në të bën pjesë përvoja historike e njerëzve që reflektohet në institucione dhe në praktikë. Por, kulturat ndryshojnë. Kultura gjermane e vitit 1935 dallon nga ajo më 1955.

Evropa ishte dikur shtrat i ngrohtë për nacionalizmin e dhunshëm, ndërsa sot është post-moderne dhe pothuaj pacifiste. Shtetet e Bashkuara ishin dikur një republikë e izoluar agrare me dyshime të thella për krijimin e një ushtrie. Sot, SHBA ka gjysmën e forcës ushtarake në botë.

Deniell Petrik Mojnihën vuri dikur re: “E vërteta kryesore konservative është se kultura e jo politika përcakton suksesin e një shoqërie. E vërteta kryesore liberale është se politika mund ta ndryshojë kulturën dhe ta shpëtojë atë nga vetvetja”.

Kjo mbetet deklarata më e mençur për këtë problem të komplikuar, ndoshta tepër e mençme për t’u përdorur gjatë një fushate elektorale në Amerikë.(e.p.)
XS
SM
MD
LG