Ndërlidhjet

KEK-u prin me shkelje ligjore në prokurim


Termocentrali "Kosova A"

Termocentrali "Kosova A"

Fusha e prokurimit në Kosovë vazhdon të mbetet njëra nga fushat më të korruptuara në Kosovë. Lëvizja “FOL” në Kosovë, e cila merret me monitorimin e transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve publike, në hulumtimin e fundit që ka realizuar, ka evidentuar 13 shkelje ligjore, gjatë procedurave të prokurimit në institucionet e Kosovës.

Këto shkelje, sipas përfaqësuesve të kësaj organizate, janë bërë në një periudhë tremujore.

Përgjatë kësaj periudhe, në shkelje të procedurave të prokurimit prin Korporata Energjetike e Kosovës, pasur nga Postë-Telekomi i Kosovës, dhe disa ministri si Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Kulturës, si dhe Ministria për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural.

Komunat, që po ashtu, kanë bërë shkelje ligjore të prokurimit, janë Komuna e Gjilanit, Komuna e Vitisë, Komuna e Ferizajt, si dhe Komuna e Kamenicës.

Fidan Kalaja nga kjo organizatë, në një konferencë për media theksoi se të dhënat në këtë raport tregojnë se në fushën e prokurimit ka parregullsi të mëdha.
Buxheti i Kosovës gjatë realizmit të këtyre procedurave të prokurimit është rrezikuar në rreth 2.6 milionë euro...

“Prej këtyre 13 tenderëve që ka pasur shkelje ligjore të prokurimit, në vetëm 4 procedura kemi arritur ta sigurojmë vlerën e tenderëve dhe kontratave. Buxheti i Kosovës gjatë realizmit të këtyre procedurave të prokurimit është rrezikuar në rreth 2.6 milionë euro. Derisa për 9 tenderë tjerë, në të cilët janë evidentuar shkelje ligjore nuk është arritur të sigurohet shuma e tyre”, bëri të ditur Kalaja.

Korporata Energjetike e Kosovës, sipas Organizatës “FOL”, prin me numrin më të madh të shkeljeve ligjore në fushën e prokurimit. KEK-u, sipas “FOL-it”, ka pasur shkelje ligjore në tri aktivitete të prokurimit. Bëhet fjalë për furnizim me shirit gome, ruajtjen dhe sigurimin e objekteve të KEK-ut, dhe tenderi i tretë ka të bëjë me shitjen e thëngjillit.

Të kontaktuar nga Radion Evropa e Lirë, zyrtarët e KEK-ut thanë se të gjitha të dhënat e aktivitetet e prokurimit në KEK tregojnë rezultate të mira në favor të KEK-ut.

Eglantina Hoxha, zyrtare në KEK, tha se hulumtimi i Lëvizjes” FOL” nuk pasqyron realitetin e fushës së prokurimit në KEK.

“Lidhur me këtë çështje dhe të gjitha çështjet tjera, KEK-u fton të gjitha organizatat në fjalë dhe palët tjera që t’i drejtohen KEK-ut që për çdo proces të prokurimit të kenë qasje në dokumente dhe të mos dalin me deklarata dhe konkluza të pavërteta, të cilat nuk pasqyrojnë realitetin”, tha Hoxha.

Prokurimi, në raportet e organizatave vendore dhe ndërkombëtare, është cilësuar si një nga burimet kryesore të aferave korruptive.

Kosova gjendet në vendin e 112-të në raportin e Transparency International, organizatë kjo e cila bën matjet e nivelit të korrupsionit në një vend të caktuar.

Përfaqësuesit e Organizatës “FOL” thanë se nuk kanë hasur të shohin nga gjykatat që rastet e korrupsionit në prokurim publik të hetohen.

Fidan Kalaja tha se në baza të të dhënave që ata i kanë, që nga tetori i vitit të kaluar deri më tani ka vetëm 5 raste që gjykata ka ngritur aktakuzë për personat e involvuar në korrupsion në prokurimin publik.

“Edhe pse ka vazhduar ky avazi i keqpërdorimeve në prokurimin publike, nuk kemi pasur rastin që të shohim nga autoritetet kontraktuese nga institucionet që të dënojnë zyrtarët e prokurimit apo pjesëmarrësit tjerë që kanë qenë në procesin e vlerësimit të tenderëve, e të cilët kanë bërë shkelje ligjore”, shtoi Kalaja.


Monitor Corruptus
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG