Ndërlidhjet

Siri: Raporte për 35 të vrarë dhe për ekzekutime

  • RFE /RL

Siri...

Siri...

Aktivistët sirianë kanë thënë se nga ndërhyrja e forcave të sigurisë së qeverisë në një lagje të kryeqytetit Damask, janë vrarë së paku 35 vetë dhe se disa nga viktimat ishin torturuar dhe ekzekutuar.

Vëzhgimi sirian për të Drejtat e Njeriut me seli në Londër, tha se forcat e regjimit kanë hyrë në lagjen jugperëndimore Xheidet Artouz dhe kanë “arrestuar afro 100 të rinj, të cilët janë dërguar në një shkollë dhe janë torturuar”.

Banorët thanë se tanket dhe trupat janë larguar nga kjo hapësirë të enjten në mëngjes, ndërsa kufomat ishin lënë nëpër rrugë dhe shtëpi.

Televizioni shtetëror raportoi se “një duzinë e terroristëve dhe mercenarëve ishin dorëzuar ose ishin vrarë” në Xheidet Artouz.

Raportet e sotme për ekzekutim në lagjen Xheidet Artouz, u bënë një ditë pas paraqitjes së një videoje të ekzekutimeve masive në Alepo, të njerëzve për të cilët thuhet se ishin milici pro-qeveritare.

Në këtë video shihen kryengritësit duke i tërhequr katër njerëz të rrahur keq, drejt një muri, e pastaj janë dëgjuar të shtëna.

Grupe ndërkombëtare për të drejta të njeriut i kanë kritikuar të dy palët në konfliktin në Siri për mizori.

Vëzhgimi sirian për të drejtat e njeriut, po ashtu, ka thënë se kryengritësit të enjten e kanë bombarduar një bazë ushtarake qeveritare afër qytetit Alepo, duke përdorë një tank.

Baza Menag ishte përdorë nga helikopterët luftarakë për ta sulmuar pjesën veriore të qytetit Alepo.

Në Alepo, që së bashku me kryeqytetin Damask, janë qytetet më të mëdha në Siri, kanë vazhduar luftimet e ashpra, ndërsa monitoruesit e Kombeve të Bashkuara, kanë konfirmuar se kryengritësit në këtë qytet tash kanë tanke dhe makina të tjera të blinduara, që i kanë zënë nga forcat qeveritare.

Monitoruesit, po ashtu, kanë konfirmuar se i kanë parë aeroplanët luftarakë të qeverisë duke ndërmarrë sulme ajrore kundër kryengritësve në Alepo.

Qindra mijëra banorë të Alepos janë larguar nga qyteti, duke iu bashkuar mijëra refugjatëve sirianë, që tashmë gjenden në kampet në vendet fqinje Turqi, Jordani dhe Liban.

Derisa situata në Siri vazhdon të përkeqësohet, Programi Botëror i Ushqimit dhe Organizata për Ushqim dhe Agrikulturë e Kombeve të Bashkuara, thanë se afro 3 milionë sirianë me gjasë do të kenë nevojë për ndihma në ushqim, meqë luftimet nuk kanë lejuar që fermerët ta realizojnë fushatën e korrje-shirjeve të të mbjellave.

Këto dy organizata, po ashtu, kanë cituar vlerësimin e përbashkët të OKB-së dhe qeverisë së Sirisë se humbjet e raportuara të sektorit të agrikulturës në këtë vend tashmë arrijnë vlerën prej 1.8 miliardë dollarë. (f. b.)
XS
SM
MD
LG