Ndërlidhjet

Prishtinë - Beograd: Dialogu i kushtëzuar nga shumë palë


European Union -- EU symbol for "Administrative simplification"
European Union -- EU symbol for "Administrative simplification"
Një nga mesazhet e përfaqësuesve të shteteve të mëdha perëndimore drejtuar Prishtinës e Beogradit në ditët e fundit është vazhdimi i dialogut, i pezulluar në fillim të këtij viti për shkak të zgjedhjeve serbe.

Prishtina dhe Beogradi në bisedimet njëvjeçare të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, kanë arritur shtatë marrëveshje.

Por, ngecja në zbatimin e tyre ka bërë që Prishtina të vë zbatimin e tyre si parakusht për vazhdimin e dialogut.

Ndërsa, struktura e re qeverisëse në Beograd, shpeshherë ka vënë në dyshim këto marrëveshje, duke thënë se nuk ka pasur transparencë për to.

Sidoqoftë, tani Beogradi po kërkon një konsensus politik të brendshëm para ndonjë vazhdimi të dialogu.

Por, analistët në Beograd thonë se kushte nuk ka vetëm Prishtina dhe Beogradi, por edhe komuniteti ndërkombëtar.

Beogradit i është kërkuar që të shpërbëjë strukturat paralele në veriun e Kosovës, ndërsa Gjermania kryeson me këtë kërkesë. Ognjen Pribiçevqi, ish - ambasador i Serbisë në Berlin, jep të tjera hollësi:

Këtu, natyrisht, nuk mendohet në institucionet e arsimit e të shëndetësisë, por para së gjithash në forcat gjyqësore dhe policore. Këto janë dy strukturat kryesore që Gjermania mendon se duhet të zhbëhen dhe të hyjnë nën juridiksionin e Prishtinës. Pala jonë, nuk pajtohet me këtë, dhe kjo është sfida, për të cilën po flasim. Nga mënyra se si do të zgjidhet kjo çështje varet edhe e ardhmja e veriut të Kosovës”.

Veriu i Kosovës i banuar me shumicë serbe nuk i bindet autoritetit të Prishtinës, ndërsa atje kanë dështuar që të shtrijnë sundimin e ligjit edhe forcat ndërkombëtare të sigurisë.

Kohëve të fundit janë shtuar zëra se edhe veriu mund të shtrohet në tryezën e bisedimeve, ndërsa Beogradi tashmë ka bërë të qartë se kërkon ngritje të nivelit të dialogut me Prishtinën nga ai teknik në atë politik.

Vetë presidenti serb, Tomisllav Nikolliq, në vizitën e parë në Bruksel ka thënë se dialogu duhet të ngrihet në nivel më të lartë, dhe me të, të merret kryeministri. Derisa, edhe ai si president, ka thënë se është i gatshëm që ta udhëheqë vetë këtë proces.

Ideja e zhvendosjes së dialogut në nivel më të lartë, ka shkaktuar debat në Serbi.

I pari që ka reaguar ka qenë ish-kryenegociatori Borko Stefanoviq, i cili ka thënë se me përfshirjen e presidentit apo kryeministrit në bisedime, do të bëhej de-facto njohja e Kosovës.

Aleksandra Joksimoviq, drejtoreshë e Qendrës për Politikë të Jashtme, kujton se çështja e njohjes së Kosovës nuk është shtruar asnjëherë në rend dite në dialogun ndërmjet Prishtinës e Beogradit dhe se një gjë e tillë nuk pritet, të paktën jo para vendimit përfundimtar të anëtarësimit të Serbisë në BE.

Por, ajo thekson se ngritja e dialogut në nivel politik është e domosdoshme për shkak të ngecjes së zbatimit të marrëveshjeve të arritura deri më tash, ndërsa fajin për këtë, sipas Joksimoviqit, e bartin tri palët, Beogradi, Prishtina dhe Brukseli, si ndërmjetësues në bisedime.

“Kur pjesëmarrësit direkt në proceset politike marrin pjesë në bisedime, kanë mundësi të zbatojnë atë, për të cilën është rënë dakord. Kur është fjala se çka përbëjnë çështjet teknike e çka politike, është vështirë të gjendet përgjigja, sepse çdo çështje teknike lidhet edhe me ato politike”, thekson Joksimoviq.(a.i.)
XS
SM
MD
LG